Kina rinovon alarmin e verdhë për thatësirën
2022-09-12 11:47:53

Foto: VCG

Observatori kombëtar i Kinës rinovoi të shtunën një alarm të verdhë për thatësirën, pasi mungesa e reshjeve ka vazhduar në shumë rajone, njofton “CGTN”.

Thatësira mesatare deri të rënda goditën pjesë të Jiangsu, Anhui, Hubei, Zhejiang, Fujian, Jiangxi, Hunan, Guizhou, Guangxi, Chongqing, Sichuan dhe Tibet të shtunën, sipas Qendrës Kombëtare Meteorologjike. Dhe provinca Jiangxi në Kinën lindore ishte prekur nga thatësira e madhe për 59 ditë deri të shtunën.

Në tre ditët e ardhshme, pjesë të Shangait, Zhejiang, Hubei, Guangxi, Guizhou dhe Sichuan do të pësojnë reshje të moderuara deri në të forta, duke sjellë pak lehtësim në këto zona, parashikon qendra.

Megjithatë, thatësirat do të vazhdojnë në shumicën e zonave të lartpërmendura për shkak të mungesës së shiut, shtoi qendra.

Observatori u bëri thirrje autoriteteve lokale në Sichuan, Guangxi, Guizhou dhe Hubei që t'i kushtojnë vëmendje ndryshimeve të motit dhe të nxisin reshje artificiale për të lehtësuar thatësirat në kohën e duhur.

Departamentet përkatëse këshillohen të përdorin burimet urgjente të ujit dhe të dërgojnë burimet e disponueshme të ujit brenda rajoneve të tyre për të siguruar furnizim të vazhdueshëm, veçanërisht për banorët.

Qendra sugjeroi gjithashtu nxitjen e masave të ruajtjes së ujit dhe paralajmëroi për rreziqet e zjarrit në pyje.

Kina ka një sistem paralajmërimi të motit me katër nivele, të koduar me ngjyra, ku e kuqja përfaqëson paralajmërimin më të rëndë, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe bluja. (Fatosi)