Mali i Zi përballë sfidave politike
2022-09-09 11:39:18

Mali i Zi, vendi më i vogël ballkanik me 600 mijë banorë, në realitetin e tij politik përballet me sfida të mëdha. Një vend që shpalli pavarësinë në vitin  2006 Mali i Zi është anëtar i NATO-s qysh prej vitit 2017 dhe aspiron anëtarësimn në BE. 

Për 3 muaj vendi u drejtua nga një qeveri e  pakicës, me kryeministër  36-vjeçarin, Dritan Abazoviç, që i përket komunitetit shqiptar të këtij vendi. Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviç, nënshkroi më 3 gusht Marrëveshjen Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd. Kjo marrëveshje është mjaft e debatuar në Malin e Zi, sepse i jep të drejta të veçanta, kishës ortodokse serbe të kontrolluar nga Beogradi dhe është kundërshtuar ashpër nga presidenti i vendit Milo Gjukanoviç

Kjo ndikoi në rrëzimin e qeverisë  natën e 20 gushtit, kur  50 nga 81 deputetë votuan me iniciativën e partisë së presidentit Milo Gjukanoviç dhe katër grupeve parlamentare. Abazoviç do të vazhdojë të drejtojë qeverinë në detyrë, deri sa të zgjidhet kryeministri i ri.

Mali i Zi shpalli pavarësinë në vitin 2006, atëherë në ujdi me shtetin serb. Sot qeveria në Beograd përpiqet përmes kishës dhe partive lokale proserbe e organizatave të tjera të ushtrojë ndikim në Malin e Zi, vend anëtar i NATO-s nga viti 2017.

Për situatën aktuale në Mal të Zi dhe mundësinë e ndikimit të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor flet për Grupin Mediatik të Kinës analisti Enver Bytyçi

CMG: Pas 3 muajsh në Malin e Zi u rrëzua qeveria e ekologjistit liberal Dritan Abazoviç, 36 vjeçar i etnisë shqiptare të këtij vendi. Vlerësimi juaj për situatën aktuale në vendin fqinj

Prof.Enver Bytyçi: Zhvillimet politike në Malin e Zi kanë patur një specifikë të veçantë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit tone gjatë 30 viteve të fundit. Atje vendin e ka qeverisur i njejti koalicion, ose e njejta parti politike, e drejtuar nga presidenti Milo Gjukanoviç. Para dy vitesh pati një rotacion të pushtetit nga partia e Gjukanoviç te opozita.

Kjo ka ndodhur për shkak se opozita përfaqëson në përgjithësi minoritetin serb dhe ndonjë minoritet tjetër të shkëputur, por jo minoritetet kryesore, pasi partite politike të minoriteteve kryesore  si myslymanët e Sanxhakut dhe shqiptarët në Malin e Zi kanë qenë në koalicion të vazhdueshëm me partinë e Milo Gjukanoviç .

Në përgjithësi opozita dhe mazhoranca në Malin e Zi gjatë 30 viteve të fundit ka patur qëndrime diametralisht të kundërta përsa i përket pavarësisë së Malit të Zi. Opozita ka qenë shumicë përfaqësuese e minoritetit serb në Malin e Zi, duke përbërë 33 për qind të banorëve të këtij vendi ka synuar gjithmonë që të suprimojë pavarësinë e vendit, ndërkohë që mazhoranca e çoi Malin e Zi në korrik të vitit 2006 drejt pavarësisë.

Kjo pikëpamje e ndryshme dhe një qëndrim thelbësor i kundërt i të dy kaheve politike ka bërë që edhe lufta politike të jetë e ashpër, por edhe partia e mazhorancës të qëndrojë shumë gjatë në pushtet. Nëse do të kishte një konflikt politik dhe një përplasje politike thjesht për  problem sociale, ekonomike, të taskave dhe tatimeve, që ndodhin normalisht në vende normale, nuk besoj që një mazhorancë do të qëndronte më shumë se 25 vjet në pushtet.

CMG: Në këtë kontekst duhet të kujtojmë që Mali i Zi ka probleme të rënda të korrupsionit

Prof. Enver Bytyçi: Pikërisht. Problemet e korrupsionit do të ishin shtesë që çuan në rrëzimin, ose në mosarritjen e  partisë së Gjukanoviç për të krijuar qeverinë.

Në prill të këtij viti erdhi në pushtet Abazoviç, pas një krize qeveritare në Malin e Zi, pas votëbesimit të partisë në pushtet. Ardhja e Dritan Abazoviç u pa me shumë optimizëm. Vetë ai premtoi që do të bëjë ndryshime radikale në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, në kuptimin e marrëdhënieve brenda Malit të Zi dhe marrëdhëniet rajonale. Me sa duket Abazoviç nuk iu përmbajt konsensusit të përbashkët për të ndërmarrë veprime politike të rëndësishme. Duhet të kemi parasysh se Abazoviç u zgjodh kryeministër i pakicës, pasi deputetët që bënin pjesë në qeverisje nuk përbënin mazhorancën e parlamentit.

Ai mori mbështetjen e opozitës  dhe sigurisht që partia e Gjukanoviç, më e madhja e përfaqësuar në parlament me 30 deputetë do të tërhiqej në një moment të caktuar kur Dritan Abazoviç do të vepronte pa konsensusin e opozitës.

Ardhja në krye të një qeverie nëpërmjet votave të opozitës, dikton detyrimisht konsensusin me opozitën. Bashkëpunimi dhe konsensusi me opozitën është një tipar pozitiv në çdo sistem pluralist, por sidomos kur qeveria votohet nga opozita atëhere është e domosdoshme. Këtë princip e shkeli Abazoviç në rastin kur nënshkroi një marrëveshje me Kishën Ortodokse të Serbisë gjatë një vizite të tij në Beograd.

CMG: Abazovic ka një profil atipik, një politikan i vetëshpallur "kozmopolit", "malazez dhe europian”. Pas 100 ditëve të qeverisjes së tij, deklarata e Abazoviç  ishte që “Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë në 100 ditë. Ne do të kujtohemi si qeveria që zgjati më pak, por që mori vendimet më të vështira. Edhe biografia e këtij 36 vjeçari, që ka lindur në Ulqin, me origjinë shqiptare, si një politikan i ri ka momente të rëndësishme si mësimdhënia, shkrimet, librat apo profili i tij pro perëndimor. Komenti juaj për këtë politikan të ri.

Prof. Enver Bytyçi: Dritan Abazoviç erdhi në skenën politike si një risi në kuptimin e ideve, projekteve politike, që jepte shpresë për një bashkëpunim, kohezion, harmoni dhe ekuilibër më të madh politik në Malin e Zi dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Madje ai që në qeverisjen e pare të përfaqësuar nga opozita proserbe ai u emërua zëvendëskryeministër me qëllim që të krijonte një lloj ekuilibri midis opozitës dhe mazhorancës .

Abazoviç erdhi me premtimin se do të bënte çmos për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të gjitha këto ngjitën edhe tek qytetarët malazezë të të gjitha krahëve. U sulmua nga një pjesë e serbëve, shqiptarëve dhe malazezëve për qëndrimet e tij kontraverse, por tek ai u vu re mungesa e principeve. Të jesh modern nuk do të thotë të mos kesh parime, por t’i përmbahesh rregullave dhe parimeve. Pikërisht këtë e harroi Abazoviç. Për shembull, ndërsa presidenti i vendit shprehej ato ditë kategorikisht kundër iniciativës së “Open Balkan”, Abazoviç pa miratimin e presidentit dhe parlamentit dhe me iniciativën e tij personale mori pjesë në mbledhjen e fundit të nismës dhe u shpreh pro. Kishte një qëndrim të kundërt me të gjithë pjesën tjetër politike  që ishte kundër kësaj lëvizje. Nuk diskutojmë se kush ka të drejtë apo jo, sepse secili në optikën e vet i  jep vetes të drejtë dhe askush nuk ka të drejtë të gjykojë palën tjetër për mendimet e kundërta.

Fakti që nuk bashkëpunoi me pjesën tjetër të politikës dhe sidomos me presidentin e vendit e çedoi në qëndrimin e tij politik. Më pas ka dhe momente të tjera të cilat nuk kanë shkuar në kohezion në drejtimin e duhur mbi bazën e së cilave ai u mbështet për t’u bërë kryeministër nga deputetët e parlamentit. Qëndrimet e tij kanë qenë vërtet interesante për shembull në krizën e Kishës Ortodokse të Malit të Zi dhe vizitën e kryepeshkopit  të Serbisë para disa muajsh në Cetinjë. Për pasojë gjithçka është zhvilluar në një mënyrë kaotike, por ai me shkathtësinë e tij politike ka ditur të dale në krye të situatës dhe ta menaxhojë atë sikur gjithçka po zhvillohej në mënyrë të organizuar.

CMG: Ka qenë shumë e ndjeshme situate në Malin e Zi ndaj Kishës Ortodokse serbe, madje më parë ka patur dhe protesta  Marrëveshja Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare. Përse është kaq e kontestuar kjo marrëveshje?

Prof. Enver Bytyçi: Vendet ortodokse që dolën nga ish Jugosllavia kanë trashëguar problem pas pavarësisë së tyre. Kështu ka ndodhur me Maqedoninë e Veriut dhe po ndodh aktualisht me Malin e Zi. Si Maqedonia e Veriut ashtu dhe Mali i Zi u shkëputën nga ish Jugosllavia në mënyrë paqësore, pa dhunë, pa luftë e konflikte, siç ndodhi në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci apo Kosovë.

Në Maqedoninë e Veriut për shkak të prezencës ndërkombëtare dhe në Mal të Zi për shkak të afërsisë së gakut, gjuhës, fesë etj nuk pati konflikt. Ndoshta në Malin e Zi edhe për shkak se u shkëput pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe ajo çfarë ndodhi në Serbi dhe Kosovë në atë periudhë ishte një mësim i mire për Serbinë dhe nuk kishte asnjë mundësi reale të ndërhynte për të parandaluar pavarësinë e Malit të Zi.

Megjithatë fakt është se kryeministri i atëhershëm serb Koshtunica 3-4 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi e vizitoi Podgoricën dhe u pajtua me ekzistencën e Malit të Zi. Pra kishim të bënim me një diplomaci të moderuar të Beogradit.

Ndërkohë Kisha Ortodokse u përdor si në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe në Malin e Zi si një element diversioni nga ana e Serbisë, për të njohur pronësinë e vet jo vetëm mbi kishën, besimin, por dhe mbi vetë shtetin dhe ekzistencën e Malit të Zi.

Mali i Zi në vitit 1918 është bashkuar vullnetarisht me Serbinë. Mbreti i asaj kohe i Malit të Zi, Knjaz Nikolla ka hequr dorë nga kurora mbretërore dhe ia ka dorëzuar atë mbretit të Serbisë, Karagjeorgjeviç.

Megjithatë ky fakt nuk e bën legjitime të drejtën që Serbia ta ketë Malin e Zi gjithmonë nën sundim, apo si pjesë të sovranitetit të saj.

Abazoviç në kundërshtim me pikëpamjet, vendimet, madje dhe ligjet dhe kushtetutën e Malit të Zi shkoi për një vizitë dyditore në Beograd ku u takua me homologen serbe Bërnabiç dhe presidentin Vuçiç ku ra dakord me një projekt-marrëveshje me kreun e Kishës Ortodokse të Serbisë për ta nënshkruar atë.

Pasi u kthye në Malin e Zi Abazoviç e paraqiti marrëveshjen në qeveri dhe nënshkroi marrëveshjen, e cila ende sot është e paratifikuar në parlamentin e Malit të Zi.

Kjo marrëveshje u bë shkak që të krijohet mosbesimi ndaj tij dhe të rivotohet në parlament. Marrëveshja konsiderohet e dëmshme nga autoritetet malazeze që janë kundër saj për shkak se jo vetëm njeh pronësinë e Kishës Ortodokse të Serbisë në Malin e Zi si dhe njeh trashëgiminë e kësaj kishe në Malin e Zi. Kjo cënon integritetin dhe legjitimitetin e pavarësisë e shtetit të Malit të Zi, si dhe dëmton dhe vë në pikëpyetje ose në diskutim në të ardhmen ekzistencën e këtij identiteti dhe çon në një diskutim të mëtejshëm nëse duhet ose jo të ekzistojë Mali i Zi.

Por ky vend tashmë është vendi më i përparuar në Ballkanin Perëndimor sa i përket hapave të integrimit në Bashkimin Europian si dhe është vend anëtar i NATO-s dhe një nga vendet me një qëndrueshmëri më të madhe se vendet e tjera. Përveç këtij konflikti. Mali i Zi nuk ka asnjë konflikt tjetër me vendet fqinje dhe është shumë afër anëtarësimit në BE, madje më afër se Serbia dhe vendet e tjera. Ky ngërç që u krijua me rastin e Kishën Ortodokse të Serbisë krijoi dhe ngërçe të tjera në rrugën e integrimit europian sepse për integrimin Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës i kërkohet detyrimisht konsensusi i plotë i opozitës dhe mazhorancës. Konflikti politik në përgjithësi ka çuar këto dy vitet e fundit në mungesën e konsensusit dhe për pasojë në ngadalësimin e  ritmeve të integrimit dhe diskutimit të kapitujve që ka Mali i Zi me Brukselin.

Ky ngërç krijon pakënaqësi dhe te popullata dhe për pasojë në këtë atmosferë pakënaqësie u realizua dhe mocioni i mosbesimit dhe rrëzimi i qeverisë së kryeministrit Abazoviç.

CMG: Cilat do të jenë pritshmëritë e afërta të situatës, sipas jush si një njohës i mirë i rajonit?

Prof. Enver Bytyçi: Abazoviç kërkoi ditën e mocionit që të krijonte një qeveri të re me një konsensus tjetër dhe me një përbërje të re, por kjo nuk u miratua në parlamentin e Malit të Zi. Përkundrazi në mocionin e votëbesimit votuan më shumë deputetë se sa kishin votuar për ta krijuar këtë qeveri. Tashmë dihet që Mali i Zi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja dhe do të bëhen përpjekje për të krijuar një qeveri të re me një mazhorancë të re.

Unë nuk besoj që do të arrihet një rezultat i tillë sepse i tillë është konfiguracioni politik  i zgjedhjeve me këta deputetë që ekzistojnë, të fragmentarizuar në parti të shumta. Nuk besoj se këto parti do të krijojnë një qeveri stabël dhe në vend të një qeverie të përkohëshme mendoj që Mali i Zi do të synojë të shkojë në zgjedhje të parakohëshme.

Zgjedhjet e parakohëshme do të prodhojnë ndoshta një hartë politike pak më ndryshe se sa sot, por qeveria që do të dale nga zgjedhjet e parakohëshme do të jetë më e qëndrueshme se sa një qeveri që mund të krijohet përsëri tani. Nëse janë bërë prova me dy qeveritë që u rrëzuan gjatë kësaj legjislature do të thotë që një qeveri e tretë, e cila nuk del nga zgjidhjet e reja nuk do të prodhojë diçka pozitive, ndaj them që do të ketë zgjedhje të reja. Në zgjedhjet e reja krijohen kushte që të rritet numri i deputetëve që Partia Socialdemokrate e Milo Gjukanoviç, i cili mbetet edhe sot autoriteti më i madh i politikës dhe  shoqërisë në këtë vend të vogël ballkanik.

Ndërsa Abazoviç me sa gjykoj e ka mbyllur misionin e tij jo politik, por si lider në Malin e Zi. Ishte një moment historik që e solli atë në krye të qeverisë, një moment kur u bë një eksperiment, por këto nuk shkojnë në vendet ballkanike ku nacionalizmat janë shumë të zhvilluara, ku mosbesimi ndaj kombeve, etnive është akoma shumë i lartë, ku ekzistojnë mekanizma joparimorë, jojuridik apo kushtetues për të kundërshtuar njeri-tjetrin. Në këtë kuptim them që është e vështirë në Ballkanin Perëndimor të bëhen këto eksperimente.

CMG: Sa do të ndikojë rrëzimi i qeverisë në stabilitetin rajonal?

Prof. Enver Bytyçi: Nuk mendoj se do të ndikojë në një masë të madhe sepse Mali i Zi është një vend i vogël me një pozitë gjeopolitike të rëndësishme në bregun e Detit Adriatik dhe lakmohet për këtë nga fuqi të ndryshme. Por duke qenë tashmë anëtar i NATO-s dhe në prag të pranimit në Bashkimin Europian nuk mendoj që do të destabilizohet  dhe për pasojë nuk do të ketë efekte në rajon. Mendoj që efekti i Malit të Zi do të shtrihet dhe në vende të tjera në kuptimin e pozicionimit të forcave. Abazoviç prodhoi diçka ndryshe, prodhoi neoliberalizmin përballë konservatorizmit dhe nacionalizmit.

Ekologjisti liberal Abazoviç e mori postin më 28 prill, pasi qeveria e mëparshme proserbe u rrëzua nga parlamenti. Abazoviç ashtu si edhe presidenti Gjukanoviç konsiderohen me orientim perëndimor. Qeveria e Abazoviçit ishte një koalicion shumë partiak i pakicës me partinë e tij URA, Të Gjelbrit, socialdemokratët, partitë etinke të shqiptarëve dhe boshnjakëve si edhe një partie proserbe.

Mocioni për rrëzimin e qeverisë ishte kërkuar nga partia e presidentit Gjukanovic, si pakënaqësi ndaj vendimit të Abazoviç për nënshkrimin e marrëveshjes themelore me Kishën Serbe.

“Përgëzoj koalicionin e ri të (Alekse) Beçiçit dhe Gjukanoviçit, jemi gati të pranojmë humbjen. Më vjen keq që krimi i organizuar në Mal të Zi vazhdon të përdorë tentakulat e tij për të rregulluar marrëdhëniet politike”, tha Abazoviç. Ai shtoi se nëse formohet qeveria e re para zgjedhjeve, ai nuk do të marrë pjesë në to.