Kinë-Bashkimi Afrikan, kremtohet 20-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike
2022-09-09 14:41:00

Foto:VCG

Foto:VCG

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe kryetari i radhës i Bashkimit Afrikan dhe presidenti i Senegalit, Macky Sall, dërguan të premten mesazhe të ndërsjella urimi për 20-vjetorin e krijimit të Bashkimit Afrikan dhe të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe kësaj organizate.

 

Xi vuri në dukje se 20 vjetët e fundit, Bashkimi Afrikan i ka drejtuar vendet afrikane të ecin përpara me hapa të mëdhenj në rrugën e fuqizimit, lulëzimit dhe integrimit. Ai tha se në luftën kundër COVID-19, ruajtjen e multilaterizmit dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të vendeve në zhvillim, Bashkimi Afrikan ka treguar fuqinë e Afrikës. Marrëdhëniet Kinë-Bashkimi Afrikan u kanë bërë ballë ndryshimeve të gjendjes ndërkombëtare, vuri në dukje kreu i shtetit i Kinës, duke shtuar që të dy palët kanë zgjeruar e thelluar pandërprerë nivelin e bashkëpunimit dhe kanë luajtur rol udhëheqës për vazhdimin e miqësisë tradicionale dhe forcimin e solidaritetit e të bashkëpunimit në epokën e re.

 

“Unë u kushtoj rëndësi të madhe marrëdhënieve të Kinës me Bashkimin Afrikan dhe jam i gatshëm të përpiqem bashkë me liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Afrikan për të promovuar bashkëpunimin miqësor kino-afrikan, për të mbështetur në mënyrë të vendosur njëri-tjetrin në çështjet kryesore me interes thelbësor, për të forcuar pandërprerë të drejtën e fjalës të vendeve në zhvillim për çështjet ndërkombëtare dhe për të dhënë kontribut të ri për ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta Kinë-Afrikë në epokën e re,” tha Xi Jinping-u.

 

Macky Sall, nga ana e tij, u shpreh që miqësia tradicionale, solidariteti e bashkëpunimi mes Kinës dhe Bashkimit Afrikan kanë gjallëri të plotë në kornizën e bashkëpunimit kino-afrikan. “Dua t'jua ritheksoj që Afrika mbështet në mënyrë të vendosur parimin e 'Një Kine' dhe  ndërtimin së bashku me Kinën mike të bashkësisë së fateve të përbashkëta Kinë-Afrikë për epokën e re,” theksoi kryetari i radhës i Bashkimit Afrikan. (Jiang Lei)