Pekin, zhvillohet Forumi Ndërkombëtar i të Dhënave të Mëdha për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2022
2022-09-08 11:50:25

大数据---[dà shù jù]---të dhëna të mëdha

Të martën u hap në Pekin Forumi Ndërkombëtar i të Dhënave të Mëdha për Zhvillimin e Vazhdueshëm (FBAS) 2022. Tema e forumit është “Teknologjia digjitale nxit zhvillimin e vazhdueshëm global”.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Synimi i forumit është diskutimi dhe vënia në jetë e arritjeve të përfshira në deklaratën e kryetarit të Dialogut të Nivelit të Lartë për Zhvillimin Global, për të nxitur zbatimin e teknologjive digjitale në zhvillimin e vazhdueshëm global dhe ndarjen e metodave, teknologjive e njohurive që mund të promovojnë zhvillimin e vazhdueshëm. Po ashtu, forumi ka si qëllim  krijimin e platformës globale të shkëmbimeve studimore në kuadër të mekanizmit të nxitjes së teknologjisë të OKB-së që mbështet realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm, përshpejtimin e nxitjes së Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së të vitit 2030 dhe promovimin e Nismës së Zhvillimit Global, për të nxitur një zhvillim global më të fuqishëm, më të gjelbër dhe më të shëndetshëm.

 

Zv.kryetari i Akademisë së Shkencave të Kinës, Zhang Yaping, mori pjesë në ceremoninë e hapjes të forumit dhe mbajti fjalimin e rastit. Ai u shpreh që teknologjia digjitale, veçanërisht të dhënat e mëdha, luan një rol kyç në procesin e analizës së problemeve të zhvillimit të vazhdueshëm që kanë lidhje me sistemet e Tokës dhe veprimtarinë e njeriut, si edhe në procesin e vendimmarrjes të qeverive të vendeve të ndryshme.

 

Zv.sekretari ekzekutiv i Konventës së OKB-së për Parandalimin e Shkretëtirëzimit, Andrea Meza Murillo, u shpreh në videofjalimin e tij në forum se teknologjia digjitale dhe të dhënat e mëdha mund të ndihmojnë të realizojmë më shpejt të Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së 2030. P. sh., OKB-ja po përdor mjetet e të dhënave të mëdha  për të ndihmuar vendet anëtare të raportojnë ecurinë e tyre për sa i përket realizimit të Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm. Ndërkohë, nevojiten edhe përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar mundësinë e zotërimit të teknologjisë digjitale dhe shtimin e aftësisë së vendeve anëtare në mbledhjen e të dhënave përkatëse.

 

“Konventa e OKB-së për Parandalimin e Shkretëtirëzimit bën thirrje që në këtë forum të fillojnë nismat e mëposhtme: krijimi i një sërë mjetesh të të dhënave të mëdha për vëzhgimin e Tokës me teknologjinë digjitale si bazë, me synim që të mbështetet realizimi i Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së; krijimi i partneritetit përkatës për të ngritur aftësitë në përdorimin e të dhënave dhe teknologjive digjitale, si edhe mbështetja e Nismës 'Muri i Madh i gjelbër’ për Sahelin, për të rritur zotërueshmërinë e të dhënave,” theksoi Murillo.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Koordinatori  i OKB-së në Kinë, Siddharth Chatterjee, vuri në dukje nga ana e tij se fuqia e të dhënave mund të pasqyrohet në pothuajse të gjitha punët e OKB-së, si paqja e siguria, zhvillimi i vazhdueshëm dhe ndryshimet klimatike. Sipas tij, të dhënat mund të ndihmojnë në realizimin e Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së:

 

“Tani duhet të bashkërendojmë sektorët publikë dhe privatë, politikëbërësit, qarqet studimore e tërë shoqërinë, për të eksploruar përdorimin e të dhënave të mëdha në nxitjen e realizimit të Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm. Duhet të përdorim në kohë të dhënat e teknologjitë digjitale, që të përballojmë në kohë krizat e mundshme e të parashikojmë më mirë të gjitha hapat dhe përpjekjet që kërkohen për arritjen e Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm të vitit 2030”. 

 

Bashkëkryetari i komisionit të shkencës e teknologjisë pranë forumit FBAS, Xu Guanhua, vuri në dukje që zhvillimi i pandërprerë i teknologjisë së të dhënave të mëdha i ka çuar studimet mbi zhvillimin e vazhdueshëm në një fazë të re dhe se Kina do të vazhdojë të shfrytëzojë të dhënat dhe të japë kontribut për zhvillimin global.

 

“(Kina) do të përmirësojë aftësitë e shërbimit të të dhënave; do të forcojë kërkimin shkencor për zbulimin dhe vlerësimin e treguesve; do të zhvillojë satelitët shkencorë të Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm dhe do të ndihmojë në arsimimin dhe trajnimin për vendet në zhvillim. Lidhur me Agjendën e Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030, shpresoj që të gjithë do të punojnë së bashku për të thelluar dhe përmirësuar aftësinë e të dhënave të mëdha në nxitjen e zhvillimit të vazhdueshëm dhe në ofrimin e nismave dhe kontributeve për zhvillimin global,” tha Xu Guanhua.

 

Ky forum 3-ditor zhvillohet si në internet, ashtu edhe me prani fizike. Ai përmban tetë konferenca, 57 mbledhje, mbi 300 raporte me gojë dhe 12 sesione tematike me temën “Rruga e Mëndafshit digjitale”, ndërsa numri i pjesëmarrësve arrin në afro 700 pjesëmarrës nga 65 vende e rajone të botës. (Jiang Lei)