Kina nis fushatë mbarëkombëtare për të rritur ndërgjegjësimin për sigurinë kibernetike
2022-09-06 11:12:36

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Java e Sigurisë Kibernetike të Kinës 2022 filloi të hënën në Hefei, kryeqendra e provincës Anhui të Kinës lindore. Eventi, i cili do të zgjasë deri më 11 shtator, do të përbëhet nga aktivitete online dhe me prani fizike të mbajtura në të gjithë vendin, njofton “Xinhua”.

Tema e Javës së Sigurisë Kibernetike të këtij viti thekson se një mjedis i sigurt i hapësirës kibernetike shërben dhe mbështetet te njerëzit.

Më shumë se 60 kompani dhe organizata po marrin pjesë në një ekspozitë me temë sigurinë kibernetike që mbulon një sipërfaqe prej rreth 20.000 metrash katrorë. Disa kompani automobilistike janë ftuar në ekspozitë për herë të parë për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për sigurinë e të dhënave të automjeteve përmes demonstrimeve në vend.

Nëntë forume janë planifikuar gjatë javës, duke u fokusuar në tema të ndryshme si teknologjitë e sigurisë kibernetike, siguria kibernetike për adoleshentët, siguria e të dhënave të automjeteve, inteligjenca artificiale dhe mbrojtja e të dhënave personale.

Ngjarjet speciale do të organizohen gjithashtu në komunitete, kampuse, fshatra dhe ndërmarrje për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për sigurinë kibernetike.

Që nga qershori, numri i përdoruesve të internetit të Kinës u rrit në afërsisht 1.05 miliardë, me raportin e mbulimit të aksesit në internet në mbarë vendin që arriti në 74.4 për qind, sipas një raporti mbi zhvillimin e internetit të Kinës të publikuar nga Qendra e Informacionit të Rrjetit të Internetit të Kinës.

Kina nisi Javën e saj të parë të Sigurisë Kibernetike në vitin 2014. (Fatosi)