Digjitalizimi nxit më tej tregtinë e shërbimeve ndërmjet vendeve të BRICS-it
2022-09-05 16:15:12

Vitet e fundit, me shtimin e partnerëve në tregtinë e shërbimeve, edhe vëllimi i shkëmbimeve në këtë sektor ndërmjet Kinës dhe vendeve të BRICS-it (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut) ka pasur zhvillim të vrullshëm. Shumë pjesëmarrës nga këto vende në Panairin Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës të këtij viti i thanë CMG-së se digjitalizimi do të fuqizojë më tej tregtinë e shërbimeve, duke shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit në këtë drejtim mes këtyre vendeve.

Foto:VCG

Foto:VCG

 Të dhënat statistikore nga Ministria kineze e Tregtisë tregojnë që vjet vëllimi i import-eksportit të shërbimeve të Kinës i kaloi për herë të parë 800 miliardë dollarët amerikanë, shifër kjo 21 % më e lartë në krahasim me vitin 2020. Ndër to, tregtia e Kinës me vendet e BRICS-it është rritur 52 %.

Konkretisht, vitin e kaluar, vëllimi i tregtisë së shërbimeve midis Kinës dhe vendeve të tjera të BRICS-it arriti afro 18 miliardë dollarë amerikanë, 22. 6% më shumë në krahasim me vitin 2019, para rënies së pandemisë. Ndër to, në sektorët tradicionalë, përveç turizmit, që u ndikua rëndë nga kontrolli antiepidemik, vëllimi i tregtisë në transport dhe ndërtim u rrit përkatësisht me 55.8 % dhe 280.4 %. Fushat që kërkojnë njohuri intensive, si sigurimet, telekomunikacion-kompjuter-informacion, të drejtat e autorit dhe shërbimet kulturore e argëtuese, janë rritur përkatësisht me 25 %, 23.6 %, 61 % dhe 17.6 %.

Sasha Muller, konsulent ekonomik i departamentit të financave të partisë në pushtet në Afrikën e Jugut, Kongresit Kombëtar Afrikan, u shpreh se vitet e fundit, me shtimin e eksporteve të Afrikës së Jugut në Kinë, tregtia e shërbimeve midis dy vendeve është thelluar më tej.

“Ne ofrojmë ndihmë për ndërmarrjet afrikanojugore që merren me tregtinë ndërkufitare, si shërbime logjistike, konsultimi, përkthimi, pagese etj. Këto i takojnë tregtisë së shërbimeve. Në tre vjetët e kaluar, vëllimi i tregtisë së Afrikës së Jugut me Kinën dhe numri i kompanive që merren me tregtinë elektronike ndërkufitare është rritur në mënyrë mbresëlënëse.  Edhe gjatë krizës së pandemisë, këto shkëmbime nuk janë prekur shumë”, tha Muller.

 Që nga shpërthimi i pandemisë, forcimi i digjitalizimit në fushën e tregtisë së shërbimeve është njohur gjerësisht si një prirje. Zv.ministri brazilian i Ekonomisë Alexandre Ywata  është i mendimit se epidemia e shkaktuar nga koronavirusi i ri ka nxitur procesin e digjitalizimit të biznesit dhe të shoqërisë. “Në këto rrethana, digjitalizimi është bërë diçka e pashmangshme, e jo një alternativë. Në zinxhirët globale të vlerës, digjitalizimi tregon një ndër prirjet më të dukshme në sektorët e prodhimit e të shërbimeve,” tha z. Ywata.

Zv.ministri rus i Zhvillimit Ekonomik Vladimir Ilyichev ka mendim të ngjashëm. Ai vuri në dukje se tani shërbimet digjitale janë integruar në shumë aplikime, si qeverisja elektronike, tregtia elektronike, mjekësia elektronike, sektori bankar elektronik dhe blerja elektronike e biletave. Ai mendon se vendet e BRICS-it duhet të kenë vullnet të fortë për të nxitur bashkëpunimin në këtë drejtim, duke çuar përpara tregtinë përkatëse të shërbimeve.

Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Shërbimeve 2022, Pekin(Foto:VCG)

Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Shërbimeve 2022, Pekin(Foto:VCG)

Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Shërbimeve 2022, Pekin(Foto:VCG)

Ndihmësministri indian i Biznesit dhe Industrisë Amit Yadav u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet vendeve të BRICS-it në tregtinë e shërbimeve do të nxisë procesin e globalizimit. Ai propozoi nxitjen e institucionalizimit të bashkëpunimit në të mirë të ndërlidhshmërisë ndërkombëtare.

“Vendet anëtare të BRICS-it mund të shfrytëzojnë hapësirat e bashkëpunimit në fushat e shkëmbimeve të informacionit, telemjekësisë, ndërveprimit të talenteve etj. Prandaj, duhet të ndërtojmë një kornizë bazë, një skemë, në bazë të së cilës qeveritë dhe ndërmarrjet të lidhen më mirë me njëra-tjetrën në sektorë të ndryshëm dhe në të gjitha aspektet e tregtisë ndërkufitare”, tha z. Yadav.