Ashpërsohet legjislacioni për telekomin dhe mashtrimin në internet
2022-09-05 11:19:02

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Legjislatura më e lartë e Kinës ndërmori një hap të madh në lidhje me telekomin dhe mashtrimin në internet, duke miratuar legjislacionin e shumëpritur që do të godasë ndjeshëm këto krime, të cilat kanë shqetësuar prej kohësh publikun dhe kanë çuar në humbje financiare të njerëzve, pas marrjes së mesazheve dhe thirrjeve të padëshiruara, njofton “China Daily”.

Ligji për telekomin dhe mashtrimin në internet, i cili ka 50 nene, u miratua pasi u shqyrtua tre herë nga organi më i lartë legjislativ i Kinës, duke synuar të ofrojë mbrojtje të fortë të të drejtave legjitime të njerëzve dhe të ndëshkojë ashpër mashtruesit.

Ligji do të ndërtojë gjithashtu një forcë të përbashkët duke përmirësuar qeverisjen e sektorëve të telekomunikacionit, financave dhe internetit për ta bërë luftën kundër mashtrimit më efektive, deklaroi Wang Aili, zyrtar i Komisionit të Çështjeve Legjislative pranë Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës.

Sipas ligjit të ri, kompanive të sektorit u kërkohet, për shembull, t'u kujtojnë klientëve dhe konsumatorëve që të jenë në gatishmëri për lloje të reja mashtrimesh.

Ligji, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor, përcakton se njohuritë dhe këshillat kundër mashtrimit duhet të promovohen dhe ndahen gjithnjë e më shumë në komunitete, shkolla, fshatra dhe familje për të ndihmuar më tej në përmirësimin e ndërgjegjësimit për parandalimin midis të moshuarve dhe të rinjve, të cilët shpesh janë viktima.

Ndërkohë, departamentet gjyqësore në mbarë vendin i kanë treguar publikut, nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë, aplikacioneve për video të shkurtra dhe mjeteve të tjera të disponueshme lehtësisht, se si të shmangen mashtrime të tilla.

Ndërsa disa njerëz, veçanërisht adoleshentët, u mashtruan duke u joshur për të blerë pajisje për lojëra në internet, Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës ka punuar me ministrinë në luftën kundër mashtruesve që nga fillimi i këtij viti. Deri më tani, ata kanë zgjidhur më shumë se 12.000 raste të tilla dhe u kanë kërkuar operatorëve të internetit të përmirësojnë kanalet e publikut për raportimin e të dhënave të lidhura me mashtrimin. (Fatosi)