Bullizmi është një dhunë psikologjike ose fizike, e cila ndodh masivisht në të gjitha shtetet e botës, duke filluar me fëmijët që në bankat e para të shkollës.
Klaudia Halahula,BA Psikologji, Shëndet Mendor, aktualisht ndjek studimet Master për Psikologji Klinike dhe tregon se ëndrra e saj është të trajtojë fëmijët dhe çdo njeri që ka probleme në aspektin psikologjik. Ajo mendon se puna me fëmijët duhet të fillojë që në familje.
Për Grupinn Mediatik të Kinës psikologia Halahula thotë se prindërit e saj e kanë rritur duke i thënë se ‘‘Konkurrenca e vërtetë është mes teje dhe vetes"
CMG:Cilat kanë qënë fjalët më të shpeshta, që prindërit të kanë thënë për të qenë më e motivuar?
Klaudia Halahula:Fjalët më të shpeshta që më kanë thënë për të qenë më e motivuar kanë qenë "Përpiqu të japësh më të mirën tënde. Konkurrenca e vërtetë është mes teje dhe vetes." Këto fjalë më kanë ndihmuar shumë, jo vetëm për të qenë më e motivuar, por edhe për t'u ndjerë më e qartë dhe më e organizuar për të arritur qëllimet e mia. Këto fjalë shpeshherë i kam në vëmendje edhe ne ditet e sotme, ku vazhdoj të jem sërish një studente.
CMG: Pse zgjodhe psikologjinë?
Klaudia Halahula: Unë gjithmonë kam lexuar për psikologjinë dhe ëndrra ime ka qënë që ato dije të cilat i merrja, t‘i përcillja tek të tjerët në formën e ndihmës. Ndaj, nisi përkushtimi im për këtë degë dhe tani nuk do të ndaloj më. Mezi pres që të ushtroj funksionin tim.
CMG: Cilat janë pyetjet më të shpeshta që i bën vetes?
Klaudia Halahula: Pyetja më e shpeshtë ka qënë gjithmonë‚se pse unë dua t‘i ndihmoj të tjerët. Duke qënë që unë kisha këtë pyetje më pas u përkushtova për t‘u profesionalizuar.
CMG: A ka një kategori të caktuar moshe që mendon se kanë më tepër nevojë?
Klaudia Halahula: Po patjetër, të moshuarit dhe fëmijët për mua janë një prioritet. Më duken të pambrotjur përballë fenomeneve të ndryshme. Bullizmi mbetet shqetësues ndaj gjithnjë zgjedh të flas dhe përpiqem të ndihmoj këdo që më ka kërkuar ndihmë.
CMG: Si duhet të menaxhojnë fëmijët bullizmin nëse bullizohen?
Klaudia Halahula:Nëse fëmijët bullizohen, ata nuk duhet të sillen në të njëjtën mënyrë si fëmijët, që po i bullizojnë ata. Të sjellurit njëlloj si bulluesit e tyre, nuk do të zgjidhte aspak situatën, por vetëm sa do ta agravonte atë. Fëmijët gjithashtu nuk duhet ta injorojnë bullizmin që po përjetojnë, sepse nëse do ta injoronin atë, do të mendonin se bullizmi është diçka që duhet toleruar. Ata duhet të flasin me të rriturit që mund t'i ndihmojnë; siç mund të jenë prindërit, kujdestarët apo mësuesit e tyre.
CMG:Si duhet të sillen prindërit në rast se kuptojnë se fëmija i tyre është bullizuar?
Klaudia Halahula: Nëse prindërit kuptojnë se fëmija i tyre është bullizuar, duhet që t'i tregojnë fëmijës se ata janë aty për ta mbështetur dhe dëgjuar fëmijën. Është e nevojshme që prindërit të jenë dëgjues të mirë, ndonëse ato ç'ka fëmija po tregon mund t'i bëjnë të ndihen të trishtuar apo të nevrikosur për situaten që fëmija po kalon. Fëmija nuk do të donte kurresesi që prindërit e tij të mërziteshin më tëper, ndaj mund të ndodhë që fëmija të mos tregojë më tepër rreth bullizmit.
Gjithashtu prindërit duhet të përpiqen që të kalojnë sa më shumë kohë me fëmijën dhe ta bindin atë që të angazhohet në aktivitete që i pelqejnë, siç mund të jetë një kurs baleti apo noti, etj. Angazhimi në kurse apo aktivitete që fëmija pëlqen, fëmija të mos ndihet tepër i stresuar apo i shqetësuar dhe njëkohësisht bullizmi nuk arrin të dominojë jetën e fëmijës.
Prindërit duhet të sigurohen që në shtëpi të mos ndodhin situata që do ta bënin fëmijen të ndihej i bullizuar në familje gjithashtu. Në keto momente për fëmijën është tepër e nevojshme që familjarët e tij të jenë mbështetës për të. Duke i treguar fëmijës që ata janë aty që ta dëgjojnë, kuptojnë dhe mbështesin atë, femija do të ndihet më mirë.
Prindërit nuk duhet t'u thonë fëmijëve që edhe ata të sillen njëlloj si bulluesit. Kjo gjë do të agravonte situatën dhe nuk do të sillte një zgjidhje efektive të saj. Do të ishte mirë që prindërit të flisnin dhe bashkëpunonin me mësuesit e fëmijes se tyre apo edhe psikologun në shkolle.
CMG:Cilat janë problematikat themelore të fëmijëve gjatë periudhës që kanë kaluar tani në Covid?
Klaudia Halahula: Vështirësia emocionale është një problematikë themelore. Fëmijët janë përballur me frikën dhe pasigurinë që solli pandemia. Disa fëmijë mund të kenë humbur edhe të afermit e tyre gjatë pandemisë, ndaj për ta ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Rritja e nivelit të stresit dhe ankthit tek femijet sigurisht që është një problematikë themelore.
Mësimi online ishte diçka e re dhe tepër sfiduese për fëmijët. Ata duhej të përshtateshin nga mësimi në klasë në mësimin online.
Distancimi social e bënte të vështirë që fëmijet të takonin miqtë e tyre.
Miqtë janë tepër të rëndësishem për fëmijët, ndaj të mos takuarit ata jo vetëm që solli një ndryshim në rutinen e tyre, pra nuk mund të luanin më së bashku, por gjithashtu bëri që fëmijët të ndiheshin më të vetmuar.
Të mos luajturit më me miqte e tyre, bëri gjithashtu që shumë fëmijë të zgjidhnin të luanin lojera elektronike, duke qënë kështu të rrezikuar nga të panjohurit me të cilët ata mund të luanin online, por edhe nga përmbajtja e skenave të dhunes, të cilat janë të pranishme në disa lojera elektronike.
Gjithashtu edhe përdorimi i tepërt i internetit është problematikë, sepse i bën fëmijët më të rrezikuar ndaj varesisë nga interneti, e cila i bën fëmijët më të prirur ndaj izolimit dhe vetmisë dhe njëkohesisht ul vetëvlerësimin e tyre.
CMG: Çfarë do t'u rekomandoje fëmijeve për të qenë më të motivuar në fillimin e nisjes së shkollës?
Klaudia Halahula: Fëmijeve do t'u rekomandoja që shkollën ta shohin si një mundësi të artë për të mësuar gjëra të reja dhe për të ritakuar miqtë e tyre, por edhe për të krijuar miqësi të reja gjithashtu.
Për të qenë më të motivuar në fillimin e nisjes së shkolles, ata mund të bëjnë dhe shkruajnë një listë me qëllimet që ata kanë për këtë vit shkollor. Të qenurit të qartë për qëllimet që duan të arrijnë këtë vit shkollor, i bën ata më të motivuar për t'i arritur keto qellime.