Mungesa e stafit spitalor, jep dorëheqjen ministrja portugeze e Shëndetësisë
2022-08-31 15:02:22

Ministrja portugeze (Foto web i qeverise portugeze)

Ministrja portugeze (Foto web i qeverise portugeze)

Ministrja portugeze e Shëndetësisë, Marta Temido, dha dorëheqjen të martën mes kritikave të përhapura për vendimin e saj për të mbyllur përkohësisht disa nga shërbimet e kujdesit urgjent të vendit për shkak të mungesës së stafit, raportuan mediat lokale.

Dorëheqja e Temidos erdhi disa orë pasi dolën raporte se një grua shtatzënë vdiq nga një arrest kardiak të shtunën gjatë një transferimi me ambulancë nga spitali kryesor i Lisbonës, “Santa Maria”, i cili nuk kishte vende të lira në shërbimin e neonatologjisë, në një spital tjetër në kryeqytet, bën të ditur “Xinhua”.

Qeveria mori masën për mbylljen e shërbimeve urgjente obstetrike, veçanërisht në fundjavë, pasi disa spitale nuk kishin mjaftueshëm mjekë gjatë pushimeve verore.

Kryeministri portugez, Antonio Costa, tha se e kishte pranuar dorëheqjen dhe falënderoi Temido për punën e saj, veçanërisht "në periudhën e jashtëzakonshme të luftimit të pandemisë Covid 19". Ai ende nuk ka bërë të ditur se kush do ta pasojë Temidon, por tha në një deklaratë se do të vazhdojë reformat e vazhdueshme për të forcuar Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (SNS) dhe për të përmirësuar kujdesin shëndetësor. (Elona)