Kina do të vijojë të mbështetë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore
2022-08-29 20:40:55

 Zhao Lijian,zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze(Foto:Ministria e Punëve të Jashtme)

Zhao Lijian,zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës(Foto:Ministria e Punëve të Jashtme)

Kina do të vazhdojë të mbrojë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, pavarësisht zhgënjimit të fundit prej rezultateve të konferencës së rishikimit të këtij traktati, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian.

Duke u përgjigjur në një konferencë të rregullt shtypi lidhur me qëndrimin e Kinës mbi rezultatet e Konferencës së 10-të të Rishikimit nga Palët të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, Zhao tha:

“Kina shprehu keqardhje të thellë që konferenca nuk ishte në gjendje të arrinte konsensus, por megjithatë dëshmoi se mekanizmi i traktatit nuk po funksionon në zbrazëti”.

 Zëdhënësi shtoi se konferenca nuk ishte dështim, edhe pse dokumenti përfundimtar nuk u miratua.

Mendimet, perspektivat dhe kërkesat nga të gjitha palët vijuan të përplaseshin gjatë konferencës, duke pasqyruar ndryshimin e tanishëm të situatës ndërkombëtare dhe duke diskutuar sfidat e përballjes me regjimin ndërkombëtar të mospërhapjes bërthamore, vërejti Zhao.

Ai ritheksoi se Kina do të vijojë rrugën e zhvillimit paqësor dhe do të mbrojë qëllimin e traktatit, do të përmbushë me besnikëri çdo detyrim nga traktati, do të ruajë ekuilibrin strategjik e stabilitetin global dhe do të përkrahë përdorimin paqësor të energjisë bërthamore nga vendet në zhvillim. .

Kina, së bashku me palët e tjera nënshkruese, do të vijojë të forcojë universalitetin, autoritetin dhe vlefshmërinë e traktatit, duke shtuar sigurinë në këtë botë të trazuar dhe duke dhënë ndihmesë të vazhdueshme për paqen botërore, tha zëdhënësi.

Konferenca e Rishikimit nga Palët të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore e këtij viti u mbajt në selinë e Kombeve të Bashkuara nga 1 deri më 26 gusht. Ajo u zhvillua në kushtet e përkeqësimit të vazhdueshëm të mjedisit të sigurisë strategjike globale dhe të sfidave me të cilat përballet çarmatimi bërthamor e regjimi ndërkombëtar i mospërhapjes bërthamore. Delegatët nuk arritën marrëveshje për një dokument përfundimtar, pasi kjo kërkonte miratimin nga të 191 vendet që janë palë në traktat, dhe shumë vende nuk ranë në një mendje me "një mori çështjesh" në projektin përfundimtar.(Artan)