Kinë: Zhvillim me cilësi të lartë i çështjeve të veteranëve në epokën e re
2022-08-26 19:14:09

Zyra e Çështjeve të Veteranëve e Bashkisë së Pekinit mbajti panairin e punës për veteranët në Qendrën Kombëtare të Konferencave, Pekin, Kinë, 11 dhjetor 2018. /CFP

Zyra e Çështjeve të Veteranëve e Bashkisë së Pekinit mbajti panairin e punës për veteranët në Qendrën Kombëtare të Konferencave, Pekin, Kinë, 11 dhjetor 2018. /CFP

Ministria e Çështjeve të Veteranëve e Kinës  mbajti të premten një konferencë shtypi me temë "Kina në dekadën e kaluar", ku paraqiti zhvillimin me cilësi të lartë të çështjeve të veteranëve që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës (PKK).

Nën kujdesin e përzemërt të presidentit dhe udhëheqjen e Komitetit Qendror të PKK-së, Kina ka marrë një sërë masash për të përmirësuar përfitimet për veteranët dhe familjet e ushtarakëve, si dhe për të shtuar arsimimin dhe trajnimin e veteranëve, për t'i bërë ata më konkurrues në tregun e punës, theksoi zëvendësministri i Çështjeve të Veteranëve Ma Feixiong.

Që nga themelimi i Ministrisë së Çështjeve të Veteranëve të Kinës në vitin 2018 dhe Qendrës Kombëtare të Shërbimeve ndaj Veteranëve më 2019, qendra ose pika shërbimi për veteranët janë ngritur në çdo nivel administrativ nga lagjet në provincë. Vjet u krijuan më shumë se 600 000 qendra të shërbimit ndaj veteranëve për të lehtësuar zhvendosjen dhe punësimin e ish-ushtarakëve.

Zv.ministri tha se veteranët inkurajohen që të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik. Gjatë katër vjetëve të fundit, më shumë se 2.26 milionë veteranë kanë gjetur me sukses punë ose kanë krijuar bizneset e tyre.

Mbi 1.85 milion veteranë janë zhvendosur nëpërmjet ndihmës së ministrisë dhe shumica e tyre kanë gjetur vende pune në institucionet qeveritare, tha Ma.

Sipas tij, Ministria e Çështjeve të Veteranëve do të përmirësojë dhe diversifikojë përgatitjen profesionale për veteranët, për t'i ndihmuar ata të përshtaten më mirë me ndryshimin e rolit të tyre pas daljes në pension.

Autoritetet kineze janë zotuar të përmirësojnë mirëqenien dhe përfitimet për veteranët ushtarakë në planin e fundit pesëvjeçar nga 2021 deri më 2025, duke synuar të shtojnë mundësitë e tyre të punësimit.

Për të mbrojtur më mirë të drejtat e ligjshme të veteranëve, u hartua në vitin 2020 ligji i parë për çështjet e veteranëve. Ligji lidhet me mirëqenien e veteranëve, duke përfshirë zhvendosjen, arsimimin dhe trajnimin e tyre, si edhe certifikatat përkatëse për trajtim preferencial.

Ligji, i cili hyri në fuqi vjet, ofron politika financimi preferenciale për veteranët. Për shembull, ata mund të përfitojnë zbritje interesi për kreditë për nisjen e bizneseve të vogla ose të mikrobizneseve. Bizneseve që punësojnë ish-ushtarakë u ofrohen edhe lehtësi tatimore.

Gjatë konferencës për shtypin, zyrtarët theksuan se është bërë përparim në aplikimin dhe dhënien e certifikatave të trajtimit preferencial për veteranët dhe thanë se do të promovojnë edhe më tej digjitalizimin e këtyre certifikatave.

Sipas ministrisë, që nga fillimi i dhënies së certifikatave të trajtimit preferencial për veteranët në dhjetor 2021, më shumë se 200 000 aplikime ishin miratuar deri në mars.

Ministria ka nisur sivjet edhe një projekt të veçantë për të ndihmuar veteranët në vështirësi. Gati 10 miliardë juanë u mblodhën përmes kanaleve të shumta, prej të cilave kanë përfituar 32 milionë veteranë. Gjithashtu u morën masa që veteranët me aftësi të kufizuara të kenë përparësi në institucionet mjekësore, duke përfshirë regjistrimin, marrjen e barnave, pagesën dhe shërbimet e shtrimit në spital.