Li Keqiang: Kina e Koreja e Jugut, së bashku për 30 vjetët e ardhshëm
2022-08-26 11:55:33

Foto:Xinhua

Kryeministri kinez Li Keqiang tha të mërkurën se Kina dhe Koreja e Jugut do të qëndrojnë së bashku për 30 vjetët e ardhshëm.

Duke folur në një forum të bashkëpunimit të biznesit me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, Li vuri në dukje se të dy vendet kanë fqinjësi të mirë prej vitesh dhe të dy popujt kanë një histori të pasur shkëmbimesh miqësore, prandaj udhëheqësit nga të dyja palët i kushtuan rëndësi të madhe këtij përvjetori dhe shkëmbyen urime.

Gjatë 30 vjetëve, zhvillimi i përbashkët ka sjellë arritje të frytshme në bashkëpunimin e biznesit, duke sjellë përfitime për të dy palët dhe duke dhënë ndihmesë të rëndësishme për paqen rajonale e botërore.

Me ndryshimin e situatës ndërkombëtare në kushtet e rrethanave komplekse dhe përballë faktorëve të shumtë të paqëndrueshëm dhe të pasigurt me të cilat haset zhvillimi i ekonomisë globale, të dyja palët duhet të mbështeten në respektin dhe barazinë e ndërsjellë për të trajtuar çështjet me interes thelbësor dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit dhe për të promovuar zhvillimin dypalësh, tha Li.

Kryeministri kinez sugjeroi rrugë për thellimin e bashkëpunimit në krijimin e risive, prodhimin e përparuar, ekonominë digjitale, zhvillimin e gjelbër dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike, duke shtuar se faza e dytë e negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë Kinë-Kore e Jugut duhet të mbyllet së shpejti.

Njerëzit dhe ndërmarrjet mund të përfitojnë nga mundësitë që sjell Partneriteti i Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), tha Li.

Ai theksoi se dera e Kinës do të qëndrojë e hapur për botën dhe se Kina, duke qenë e përkushtuar ndaj krijimit të një atmosfere të bazuar në ligj dhe të orientuar nga tregu, po bëhet një "tokë e pasur" për investimet e ndërmarrjeve dhe me një mjedis të mirë për promovimin e biznesit. Kryeministri tha se Kina mirëpret investimet nga çdo vend, përfshirë nga Koreja e Jugut, për të ndarë mundësitë e zhvillimit. (Çang Çuo)