Plani i Tsai Ing-wenit për të ushqyer më shumë bishën e pangopur amerikane
2022-08-26 20:07:22

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në korrik, ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper vizitoi rajonin e Tajvanit të Kinës dhe sugjeroi që autoritetet e Tajvanit të rrisin buxhetin e mbrojtjes. "Nëse Tajvani nuk forcon aftësinë e tij ushtarake, kjo do t’i sinjalizojë Pekinit mungesën e aftësive dhe vendosmërisë së Tajvanit për të mbrojtur veten," u shpreh Esper.

Si gjithmonë, çfarëdo që të thonë amerikanët, makina politike e kontrolluar nga Tsai Ing-wen dhe Partia e saj Demokratike Progresive (DPP) e dëgjon. Më 25 gusht, autoritetet e Tajvanit paraqitën projektbuxhetin e mbrojtjes me vlerë 586.3 miliardë dollarë të rinj tajvanezë (19.4 miliardë dollarë amerikanë) për vitin 2023, një rritje prej 13.9 për qind në krahasim me këtë vit. Rritja dyshifrore e shpenzimeve të mbrojtjes bëhet teksa rritja vjetore e ekonomisë së Tajvanit ka mbetur nën 4 për qind që nga viti 2017. Kjo do të thotë se në vitin 2023, Tsai dhe DPP-ja e saj do të shpenzojnë rreth 2.4 për qind të PBB-së së Tajvanit për "mbrojtje".

Përfituesit e rritjes nuk do të ishin banorët e Tajvanit, marrëdhëniet ndërmjet brigjeve të ngushticës së Tajvanit, apo edhe vetë Tsai dhe DPP-ja. Përfituesit më të mëdhenj do të ishin kontraktorët amerikanë të mbrojtjes dhe politikanët antikinezë.

Dihet se Tajvani në vetvete është një xhuxh ushtarak. Besimi që qëndron pas provokimit të vazhdueshëm të Tsai-t dhe DPP-së kundër Kinës kontinentale buron nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara, më saktë, mbështetja e armëve amerikane. Që nga viti 2016, kur Tsai u zgjodh udhëheqëse e rajonit, ajo ka bërë 25 marrëveshje armësh me dy administrata të njëpasnjëshme amerikane, që arrijnë në 20 miliardë dollarë gjithsej.

Për politikanët amerikanë që kërkojnë të fitojnë pikë politike brenda vendit duke qenë "të ashpër ndaj Kinës", Tajvani ka qenë i preferuar për udhëtime. Vetëm në gusht në ishull janë bërë tre vizita të nivelit të lartë – e para nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e dyta nga një delegacion i udhëhequr nga senatori Ed Markey dhe më e fundit nga “skifterja” kundër Kinës, senatorja Marsha Blackburn, e cila "rastësisht" bën pjesë në komisionet e Forcave të Armatosura dhe Tregtisë të Senatit.

Aktivistë nga “Pivot to Peace”, Koalicioni ANSWER, CODEPINK, Veteranët për Paqen dhe drejtuesit e komunitetit kinez në San-Francisko mbajnë një demonstratë përpara zyrës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në Ndërtesën Federale të San-Franciskos, ShBA, 1 gusht 2022. /CFP

Politikanët amerikanë të lidhur me forcat e armatosura dhe tregtinë duhet të jenë të gëzuar, duke pritur me padurim blerjet e ardhshme të armëve nga Tajvani, që do të sjellin më shumë dollarë për sponsorët e tyre në kompleksin ushtarako-industrial dhe do të krijojnë më shumë vende pune për zgjedhësit e tyre - dy elemente kyçe për rizgjedhjen e një politikani amerikan.

Tsai Ing-wen mendon se ushqimi i kësaj bishe të uritur do të ishte mirë për agjendën e saj dhe do të siguronte trashëgiminë e saj politike. Por a është e vetëdijshme ajo se oreksi i bishë është i pangopur? Taksapaguesit, paratë e të cilëve po dërgohen në Shtetet e Bashkuara, nuk marrin asnjë përfitim nga kjo.

Përfitimi i vërtetë për banorët e Tajvanit qëndron në marrëdhëniet paqësore dhe miqësore ndërmjet dy brigjeve të ngushticës. Suficiti tregtar ndërmjet pjesës kontinentale të Kinës dhe rajonit të Tajvanit është mbi 100 miliardë dollarë në vit. Pjesa kontinentale është partnerja më e madh tregtare e Tajvanit, duke zënë 33 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së tij. Në vitin 2021, vëllimi i tregtisë ishte 328.3 miliardë dollarë. Kjo është marrëdhënia që do të sillte rritje reale ekonomike dhe përfitim për rajonin.

sai Ing-wen dhe DPP-ja po vënë bast për njerëzit e gabuar. Të ushqyerit e amerikanëve mund t'u sjellë atyre një iluzion sigurie, por Shtetet e Bashkuara do ta braktisin Tajvanin kur gjërat të bëhen shumë të vështira dhe të kushtueshme. Ashtu siç kanë bërë me shumë vende dhe rajone të tjera në botë.