Festa e Varkës së Dragoit

2020-06-24 17:32:23 CRI Komenti juaj Printoni

III. Doket e zakonet

Gara e Varkës së Dragoit dhe ngrënia e zongzi-ve janë zakonet kryesore të kësaj feste. Në disa rajone kineze, njerëzit mbajnë edhe qeska aromatike, lidhin fije mëndafshi pesëngjyrëshe dhe varin në derë gjethe artemise ose kallami.

Shumë festa kineze janë të lidhura me një ushqim të veçantë e nga kjo nuk bën përjashtim as Festa e Varkës së Dragoit. Zongzi, në formë piramide, me oriz ngjitës të mbështjellë me gjethe kallami, është ushqimi i posaçëm në këtë festë.

Zongzi ka mbushje të ndryshme. Banorët në krahinat veriore të Kinës parapëlqejnë hidet, ndërsa ata jugorë pastën e ëmbël të fasules, mishin ose të verdhën e vezës.

Sot, zongzi është bërë një ushqim i zakonshëm dhe gjendet lehtësisht në supermarket. Por një pjesë e familjeve e kanë ruajtur traditën që t'i prodhojnë vetë zongzi-të në shtëpi.

Varka e Dragoit u emërtua sipas bashit dhe kiçit të barkës, që janë në formën tradicionale të dragoit kinez. Një ekip rremtarësh u jep shpejt lopatave, me qëllim që të arrijë në pikëmbërritje më përpara ekipeve të tjera. Një anëtar i ekipit ulet në pjesën e përparme të varkës, duke i rënë daulles, për të nxitur moralin dhe për të siguruar që të gjithë anëtarët të lëvizin lopatat me të njëjtin ritëm.

Thuhet se Gara e Varkës së Dragoit buroi nga përpjekjet e njerëzve të lashtë që të shpëtonin poetin Qu Yuan me varkë. Sot ajo është bërë një sport që është i përhapur jo vetëm në Kinë, por edhe në vendet e tjera aziatike dhe në ato perëndimore.

Qysh nga vitet '80 të shekullit të kaluar, pasi morën pjesë në garat e varkës së dragoit në Kinë, shumë amerikanë u njohën me këtë veprimtari dhe e çuan në ShBA. Tani Gara e Varkës së Dragoit është bërë një nga sportet dëfruese që janë përhapur më shpejt në këtë vend.

Në vitin 1989, Gara e Varkës së Dragoit u zhvillua për herë të parë në Gjermani. Dy vjet më vonë gara u shpërngul nga Hamburgu në Frankfurt, duke vijuar deri më sot.

Keni provuar zongzi? Cila mbushje ju pëlqen më shumë? Keni marrë pjesë në Garën e Varkës së Dragoit? Na shkruani!


1 2 3
Mrekulli
Lajmet Kryesore