20160328Hotpot_1.m4a |
Lejtnanti amerikan Charles Flores ka mësuar të gatuajë receta kineze që në moshën 15 vjeçare, por tani ai po përballet me një sfidë të re. Në moshën 60 vjeçare ka nisur të mësojë kinezisht. Përse vallë?
Çdo të enjte ky punonjës i ekipit të urgjencës mjekësore pranë Njësisë së Zjarrfikësave të Nju Jorkut, së bashku me kolegë të tjerë të këtij departamenti zhvillojnë kursin e gjuhës kineze.
Inxhinierja Lily Cheung me origjinë kineze është profesorja e tyre e kinezishtes. Ajo i nxit studentët e saj nga departamenti i zjarrfikësave të kuptojnë gjuhën kineze por dhe ta praktikojnë atë. Ajo ka shumë durim me këtë ekip i përbërë nga punonjës paramjekësorë të Departamentit të Zjarrfikësave të Nju Jorkut.
Ky kurs i gjuhës kineze i nisur nga Shoqëria Phoenix e FDNY është i pari i zhvilluar nga Fondacioni i Departamentit të Zjarrfikësave të Nju Jorkut.
Në Nju Jork jeton një komunitet i madh aziatik, ndër të cilët 420 mijë banorë flasin kinezisht. Kjo është gjuha e dytë më e madhe e folur pas spanjishtes në këtë komunitet, sipas Censusit të Zyrës Amerikane të Komuniteteve.
Qëllimi i këtij programi është tu shërbehet sa më mirë komunitetit kinez, joanglishtfolës të Nju Jorkut. Pritet që në të ardhmen kurse të zhvillohen dhe në dialekte të tjera të gjuhës kineze si dhe në gjuhë të tjera aziatike. Në këtë departament prej 10.200 zjarrëfikësash, vetëm 120 janë aziatiko-amerikanë, thotë Steven Lee kryetar i FDNY-së, i cili është njeri ndër studentët e kursit të kinezishtes. Tashmë ky departament përpiqet të punësojë sa më shumë aziatiko-amerikanë, madje ekipet e shpëtimit kanë edhe emërtesa të tilla si "Ekipi i varkës së dragoit". Sipas Lee të mësuarit e shprehjeve të thjeshta në kinezisht do të ndihmojë punonjësit e Departamentit të Zjarrfikësave të Nju Jorkut të komunikojnë më lehtë me pjestarë të komunitetit kinez që nuk dinë gjuhën angleze.
Mësuesja e kinezishtes Cheung u mëson atyre jo vetëm gjuhën por edhe kulturën kineze. Ajo u ka mësuar disa receta gatimi kineze si dumplings e të tjera por ndërkohë u flet dhe për filmat apo muzikën kineze. Së fundmi ajo u ka shfaqur në orën e mësimit filmin kinez "Sirena"
Kursi i kinezishtes në Departamentin e Zjarrfikësave të Nju Jorkut nisi në shtator të vitit të kaluar me 22 kursantë. Përveç punës së përditëshme me turne ata kryejnë dy herë në javë dhe kursin e kinezishtes dhe më 31 mars do të japin provimin. Organizatorët thonë se më 6 prill do të nisë kursi i dytë.
Të dhëna mbi komunitetin kinez në SHBA
Emigracioni kinez në SHBA ndahet në dy faza, e para nga vitet 1850-1880 dhe e dyta nga viti 1970 deri në ditët tona. Pas normalizimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve edhe politikat migratore në SHBA ndaj emigracionit të kinezëve janë përmirësuar, krahas liberalizimit vitet e fundit të vizave më afatgjata për shtetasit kinezë.
Komuniteti kinez në SHBA është i treti përsa i përket numrit të popullsisë, duke ndjekur komunitetet meksikan dhe indian. Numri i këtij komuniteti , sipas të dhënave të Rregjistrimit të popullsisë të SHBA-së në vitin 2013 ishte 2 milion, duke përbërë 5% të popullsisë migratore në SHBA. Rreth gjysma e emigrantëve kinezë në SHBA janë të pajisur me leje qëndrimi të përherëshme në SHBA, e njohur si "green card". Vitet e fundit është shtuar numri i të rinjve kinezë që kryejnë studimet në universitet apo kolegjet amerikane, por dhe i atyre pasuniversitarë. Krahasuar me komunitetet e tjera në SHBA ai kinez dallohet për nivel të lartë arsimimi, punësim të rregullt dhe të ardhura të larta. (Eda Merepeza)