20160321YIYU |
Kohët e fundit depresioni është një ndër temat më të diskutuara në Kinë. Ekspertët i kanë bërë thirrje opinionit publik të mbajë një qëndrim aktiv ndaj kësaj çeshtjeje, duke i nxitur qytetarët e prekur nga kjo sëmundje të kërkojnë ndihmë mjekësore.
18 vjeçari Lin Jiawen është nxënës i ciklit të lartë të gjimnazit, i vetëvrarë në fund të shkurtit. Ai njihej si një i ri me talent të spikatur në studimet historike. Kur ishte vetëm 16 vjeç, Lini botoi librin e parë për rolin e taoizmit në historinë kineze. Vetëm një vit më vonë, vepra e e tij e dytë kushtuar dinastisë Song tërhoqi vëmendjen e historianit të njohur Li Yuwen, i cili e sheh Linin si një talent të rrallë me aftësi më të mira se sa kandidatët për doktoraturë në këtë degë.
Por ky i ri me cilësi kaq të veçanta u vetëvra, duke u hedhur nga ballkoni i shtëpisë së tij e duke i dhënë fund jetës para se të niste një të ardhme ndoshta të ndritur.
Në një mesazh të publikuar në Wechat (rrjet social i ngjashëm me facebook), Lini shprehej se ishte dyshues ndaj motivit për të cilin lufton. Sipas mesazhit, i riu vuante prej kohësh nga dhimbje trupi dhe pagjumësi e theksuar. I ati i Linit tha për mediat se i biri ishte prekur nga depresioni, 6 muaj para vetëvrasjes.
Wang Gang është zv.drejtor i qendrës së trajtimit të depresionit pranë Spitalit Anding të Pekinit, një ndër spitalet më të njohura për shëndetin mendor në Kinë.
"Depresioni është një ndër shkaqet kryesore të vetëvrasjeve. Statistikat tregojnë se gati 15% e pacientëve me depresion kryejnë vetëvrasje ", tha Wang.
Ndërkohë, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 350 milionë njerëz në botë kanë simptoma depresioni. Ndërsa, nga 1 milion njerëz të vetëvrarë në vit në mbarë botën, mbi 50% vuajnë nga depresioni.
Një vajzë e re me pseudonimin "Ao Xi" u diagnostikua me depresion para 3 vjetësh. Ajo nuk fliste me të tjerët për gjendjen e saj dhe shpesh mendonte për vdekjen.
"Ti nuk mund të kuptosh çfarë mendojmë ne. Do të ndihem më mirë dhe e çlodhur nëse largohem nga kjo botë. Kolegët e mi habiten kur mësojnë se vuaj nga depresioni, sepse u dukem gjithmonë një person optimist dhe gazmor në zyrë. Por, në shtëpi jam një tjetër njeri. Jam vizituar por nuk i kam marrë mjekimet e dhëna nga mjeku. Më vjen turp që jam e sëmurë, sepse kjo do të thotë se jam e dobët", ankohet Ao Xi.
Një raport i publikuar në vitin 2009 nga revista e njohur mjekësore Lancet, parashikon se në Kinë ka 80 milionë njerëz me simptoma depresioni dhe vetëm 10% e tyre kërkojnë ndihmë mjekësore. Kurse, ndër ata që këshillohen me mjekun, vetëm 20% marrin mjekim të rregullt.
Të dhënat statistikore tregojnë se për shkak të mungesës së njohurive, njerëzit tendojnë të lidhin këtë sëmundje me personalitetin e dobët.
Por, psikologët klinikë e hedhin poshtë lidhjen mes këtyre.
Lu Yazhou është drejtor i qendrës së mjekimit të depresionit të Spitalit Anding të Pekinit.
"Depresioni nuk do të thotë se një person është i dobët psikikisht ose mendjengushtë. Prekja nga kjo sëmundje nuk do të thotë se pacienti është një njeri i dobët në jetë ", tha Lu.
Por, cilat janë simptomat që mund të jemi prekur nga depresioni ? Sipas psikologëve ka dy simptima.
E para është gjendja shpirtërore dhe e dyta zgjatja në kohë e saj. Nëse një njeri nuk interesohet për atë çka ndodh rreth tij dhe mbyllet tërësisht në vetvete dhe kjo gjendje zgjat më shumë se 2 javë, ai duhet të këshillohet me mjekun psikolog.
Disa ekspertë të shëndetit mendor propozojnë metoda si të lehtësohet stresi që shkakton depresionin.
Së pari, të ndahet një punë stresuese në disa pjesë dhe të përcaktohen përparësitë, pasi është e vështirë që një veprimtari e rëndësishme të realizohet brenda një kohe të shkurtër. Nëse tentojmë ta bëjmë këtë do të ndjejnë stres të madh.
Së dyti, të zgjerohet rrethi miqësor dhe shoqëror. Komunikimi dhe pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme, duke përfshirë veprimtaritë fizike mund të ndihmojnë në çlirimin e energjive dhe ndjenjave negative.
Së treti, mos merrni vendime të rëndësishme kur ndjeheni të stresuar, pasi një vendim i rëndësishëm i marrë me nxitim do të shkaktojë pendesë dhe do të ngelet për një kohë të gjatë në mendje.