20160321Hotpot02 |
E dini çfarë kanë të përbashkët Pekini dhe Nju Jorku ? Përveç dimrit të ftohtë, trafikut të dendur dhe rrugëve të tejmbushura në njerëz, diçka tjetër i bashkon dy metropolet- në to banojnë njerëzit më të pasur në vend.
Sipas Listës Globale të Njerëzve të Pasur të vitit 2016, të përpiluar nga Hurun këtë shkurt, 568 nga të 2,188 miliarderët e botës janë kinezë dhe 100 prej tyre jetojnë në Pekin. Në krye të listës është Wang Jianlin, president i Grupit Dalian Wanda, pasuria e të cilit i kalon 26 miliardë dollarët. Numri i miliarderëve e vendos Pekinin para Nju Jorkut, i cili është shtëpia e 95 miliarderëve të SHBA-së.
Kryeqyteti i Kinës, Pekini është qendër politike, ekonomike dhe kulturore dhe tani sipas raportit të Hurun është dhe qendra e njerëzve të pasur të vendit.
E veçanta e pasanikëve të Pekinit është se numri më i madh i tyre është " I padukshëm", të cilët nuk dallohen në pamjen e jashtme nga njerëzit e zakonshëm. Një miliarder kinez në shumicën e rasteve nuk paraqitet sipas stereotipit të zakonshëm të bosit të pasur, siç jemi mësuar ti shohim kryesisht në perëndim.
Opinioni i të huajve për kinezët e pasur
Sipas raportit të Hurun, të huajt që jetojnë në Kinë përgjithësisht janë të mendimit se numri i të pasurve në këtë vend po rritet me shpejtësi të madhe. Eduardo Vecchiato një student Brazilian në Pekin thotë se kinezët kanë makina më të shtrenjta se perëndimorët. Ai thotë se në rrugët e Pekinit ndesh më shumë makina si Mercedes, BMW apo Lamborghini se sa në vende të tjera.
Ndërsa një Logan, një i ri amerikan që punon për një kompani kineze në Pekin thotë se miliarderët Bill Gates, Warren Buffett apo Mark Zucherberg nuk jetojnë në Nju Jork, ndërsa në Pekin ndodhen kompanitë e fuqishme si Baidu, Alibaba, Tencent dhe Wanda, që drejtohen nga njerëzit më të pasur të Kinës. Gjithashtu të huajt mendojnë se të rinjtë e pasur kinezë e kanë trashëguar pasurinë nga prindërit, ndryshe nga perëndimi ku miliarderët e kanë krijuar vetë pasurinë.
Prona e paluajtëshme çelësi i pasurimit
Pekini është si një magnet për miliarderët. Madje shumë kinezë nga qytetet e tjera zhvendosen në kryeqytet për të kapur shansin për pasurim.
Të lindurit në Pekin që kanë pasuri të paluajtëshme, në sajë të rritjes nga viti në vit të çmimeve të tyre janë bërë të pasur. Për këtë mjafton ti referohemi një raporti të Beijing Youth Daily sipas të cilit çmimet e pasurive të paluajtëshme të dorës së dytë nga 4,456 yuan ose 684 dollarë për meter katrorë, që ishin në 2003, sivjet kanë arritur në shifrën 41,586 yuan. Në shumicën e rasteve pekinasit autoktonë kanë më shumë se 3 apartamente të lëshuara me qira, çka do të thotë që sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për mbarë familjen dhe nivelin e jetesës së saj. Ky është shkaku që shumica e pekinasve autoktonë që zotërojnë prona të paluajtëshme të dalin në pension që në moshën 50 madje dhe 40 vjeçare.
Por shumica e pekinasve nuk mjaftohen vetëm me të ardhurat e mira nga qiratë e shtëpive, por kanë praktikuar një mundësi të re të investimit të të ardhurave të tyre, duke krijuar dhe një mënyrë të re jetese.
Një numër i madh i pekinasve që zotërojnë pasuri të paluajtëshme i kanë shitur ato dhe janë shndërruar në emigrantë investues, duke blerë pasuri të paluajtëshme apo hapur biznese në Kanada, SHBA apo Australi. Kryesisht pekinasit që kanë prona në Unazën e Dytë, ku dhe çmimi i tyre është më i lartë janë në gjendje për të përballuar blerjen e apartamenteve apo lokaleve për biznes jashtë vendit.
(Eda Merepeza)