PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Gëzuar Vitin e ri kinez !
2016-02-05 10:38:03 CRI Komenti juaj Printoni

Viti i Ri Kinez starton sot, pas natës së mbrëmshme ku çdo familje kineze brenda dhe jashtë vendit e ka festuar plot gëzim me urimin " Xin Nian Kuai Le" që do të thotë "Gëzuar vitin e ri" . Viti i ri kinez bazohet në Kalendarin Hënor, por njihet edhe si Festivali i Pranverës. Dita e parë e Vitit të Ri Kinez varion vit pas viti, por në intervalin nga 21 janar deri më 20 shkurt. Me rastin e kësaj feste kinezët kanë dhe më shumë ditë pushimi edhe për shkak të rekordit të lëvizjeve që shënon festa kryesisht te ata që kthehen në vendlindje nga metropolet ku punojnë dhe jetojnë. Kinezët do të pushojnë 7 ditë, duke nisur nga e diela e vigjiljes së Vitit të ri që sivjet përkoi me datën 7 shkurt.

2016- Viti i Majmunit

Viti që sapo ka nisur sipas Kalendarit Hënor Kinez është Viti i Majmunit, bazuar edhe në Ciklin Zodiakal të 12 kafshëve. Vitet e shenjës së Majmunit kanë një diferencë 12 vjeçare mes tyre dhe përfshijnë vitet 1944, 1956, 1968, 1980,1992, 2004, 20016. Tashmë prej afro një muaji në çdo dyqan gjen majmunë kukulla të formave të ndryshme, kryesisht në ngjyrë të kuqe, pasi sivjet është Majmuni i zjarrit.

Kinezët e festojnë me shumë përgatitje Vitin e ri pasi besojnë se është fillim i mirë për një vit të mbarë.

Festivali i Pranverës dhe festimet

Kjo festë kaq tradicionale dhe popullore përfshin darkën e vitit të ri, ku e gjithë familja mblidhet rreth tryezës festive. Nuk mungojnë as anëtarët e familjes që punojnë në qytete apo vende të tjera. Pasi kjo është tradita, që duhet pritur Viti i ri në familje.

Elemente të festës janë dhe shkëmbimi i zarfave të kuq, hedhja e fishekzjarreve, dekorimi i shtëpisë brenda dhe jashtë saj, veshja e rrobave të reja dhe gatimi i veçantë i natës së Vitit të Ri.

Por kjo traditë është pasuruar dhe me elemente moderne të përditshmërisë.

Ndër këto renditim Koncertin Festiv të Vitit të Ri Kinez i përgatitur dhe transmetuar drejpërdrejt nga televizioni kombëtar më i madh në vend CCTV, edhe në satelit për kinezët jashtë vendit. Një tjetër element interesant i festës janë mesazhet e shkëmbyera në celular, përmes rrjeteve sociale, por edhe dërgimi i dhuratave në formë lekësh përmes zarfave elektronikë.

Tryeza e Vitit të Ri

Është një tryezë festive e ngjashme me atë të familjeve shqiptare në mbrëmjen e 31 dhjetorit, por Kina ka traditë të lashtë për këtë festë kaq popullore. Kudo që të jetojnë dhe punojnë anëtarët e një familjeje janë mbledhur mbrëmjen e 7 shkurtit në tryezën e Vitit të Ri.

Kjo darkë quhet në gjuhën kineze " darka e bashkimit" dhe në të thuhet se shërbehen gatimet më të rëndësishme të vitit. Familjet e mëdha të përbëra nga 3 breza ulen së bashku rreth tryezës dhe i gëzohen ushqimit të zgjedhur dhe qëndrimit me njeri-tjetrin në një natë kaq të shënuar gëzimi.

Dekorimi i Vitit të ri kinez

Sipas traditës së lashtë kineze me rastin e Vitit të Ri duhet të dekorohen shtëpitë, ndërtesat e tjera, por edhe rrugët kryesisht me zbukurime në ngjyrë të kuqe, pasi kjo është ngjyrë fatsjellëse për kinezët. Fenerët e kuq i sheh kudo në hyrje të ndërtesave publike apo private, në rrugë, banka apo stacione metroje, pasi ato janë imazhi i begatisë. Dekorimet kanë nisur afro para 3 javësh dhe në vigjilje të Natës së ndërrimit të viteve gjithsçka është gati.

Meqë sivjet është Viti i Majmunit më së shumti zbukurimet janë bërë me figurën e kësaj kafshe të zodiakut kinez.

Veprimtari kulturore me rastin e Vitit të Ri

Festivali i Pranverës është motiv për veprimtari të shumta, të cilat më shumë hapësirë gjejnë në fshatra apo qyteza por edhe në qytete të mëdha. Valle të dragonjve, hedhje fishekzjarrësh, vizita në tempuj, të gjitha këto janë pjesë e ceremonialit tradicional të Vitit të Ri Kinez në mbarë Kinën dhe jashtë saj, atje ku ndodhen komunitete të kinezëve. Një veprimtari e tillë e titulluar "Nata e Kinës" u zhvillua javën e kaluar në Tiranë, në kujdesin e Ambasadës së Kinës në Shqipëri dhe Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, ku ishte ftuar dhe grupi muzikor "Ajinai" nga Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendshme.

Panairet e Tempujve

Në shumë qytete shfaqen koncerte me valle dragonjsh, apo luanësh, apo shfaqje me karakteristika të artit perandorak. Në parqe të ndryshme të qyteteve por edhe në tempuj hapen panaire që nga dita e parë e vitit hënor deri në Festivalin e Fenerëve.

Dhurimi i Hongbao-ve apo zarfave të kuq

Ndërsa në vendet perëndimore me rastin e Krishtlindjes shkëmbehen dhurata nga familjarët apo miqtë, në Festivalin e Pranverës dhurata është një zarf i kuq me lekë, që kryesosht u jepen fëmijëve apo të moshuarve. Dhurimi i zarfave të kuq bëhet me dëshirën për të sjellë shpresë dhe fat të mirë. Tashmë vitet e fundit, kinezët shkëmbejnë zarfe të kuq me shuma të ndryshme lekësh edhe nëpërmjet internetit. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China