PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zakone dhe tabu në ditën e parë të Vitit të Ri Kinez
2016-02-05 10:40:25 CRI Komenti juaj Printoni

8 shkurti është dita e parë e vitit të ri kinez 2016. Në gjuhën kineze, kjo festë quhet "Chun'jie", që në gjuhën shqipe do të thotë "Festa e Pranverës".

Një fjalë e urtë kineze thotë "Një vit i mbarë, nis me pranverën". Ndaj në traditën kineze, qysh nga kohët e lashta i kushtohet një rëndësi e madhe ditës së parë të vitit. Pikërisht me këtë ditë lidhen dhe shumë zakone, por edhe tabu interesante.

Zakonet kryesore të ditës së parë të Vitit të Ri Kinez janë: ndezja e fishekzjarreve, vizitat në familjet e të afërmve dhe të miqve, si dhe ndarja e zarfeve të kuq me para për fëmijë.

Në gjuhën kineze fishekzjarri quhet "bao'zhu"(bambu shpërthyese) sepse para 2500 vjetësh, stërgjyshërit e kinezëve të sotëm digjnin kercejtë e bambuve për të krijuar sa më shumë zhurmë, pasi besohej se ajo largonte shpirtrat e këqij. Mbi 1000 vjet më parë, pasi murgjit taoistë shpikën barutin lindën fishekzjarret e sotëm. Në ditët tona kinezët anembanë vendit, pavarësisht në qytete apo fshatra ndezin fishekzjarrë në minutën e parë të nisjes së vitit të ri kinez.

Vizitat nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të miqve janë një tjetër traditë e rëndësishme e Festës së Pranverës. Pas ngrënies së mëngjesit, njerëzit shkëmbejnë vizita në familjet e të afërmve dhe të miqve për të uruar vitin e ri. Një tjetër element i vizitave është shkëmbimi i dhuratave, që kryesisht janë ëmbëlsira apo fruta.

Fëmijët e presin me gëzim të veçantë Vitin e Ri, pasi jo vetëm pushojnë me prindërit, gjyshërit e të afërmit por edhe u dhurohen zarfat e kuq, kur shoqërojnë prindërit në vizitat e ditës së parë të vitit. Në kohën e lashtë, dhurimi i parave të futura në zarfa të kuq për fëmijët konsiderohej si një mënyrë urimi për shëndet dhe mbarësi për të vegjlit. Por tani, ato janë bërë një burim i rëndësishëm për lekët e mbledhura nga vetë fëmijët. Ndonëse prindërit shpenzojnë shumë me rastin e festës së Vitit të Ri, për fëmijët kjo festë është e begatë.

Festimet e Vitit të Ri Kinez shoqërohen edhe me disa tabu, që e kanë prejardhjen në traditën e lashtë.

Pastrimi dhe hedhja e mbeturinave janë të ndaluara gjatë ditës së parë të Vitit të Ri Kinez, pasi mendohet se këto dy veprime, nxjerrin jashtë shtëpisë begatinë e mbledhur. Në asnjë mënyrë nuk duhen nxjerrë jashtë plehrat e krijuara gjatë natës së vitit të ri, në ditën e parë të tij, pasi ky veprim ngjan me hedhjen e pasurisë jashtë banesës.

Një tjetër tabu përbën sjellja e njerëzve në ditën e parë të vitit. Ata nuk duhet të grinden, as me fjalë e as me trup si dhe nuk duhet të ketë të qara, pasi mendohet se kjo nënkupton fatin e keq në të ardhmen. Edhe fjalori i përdorur gjatë ditës së festës duhet të jetë i zgjedhur. Është tabu të përdorësh fjalët "humbje", "prishje", "vdekje", "sëmundje". Nëse fëmijët përdorin ndonjerën nga këto fjalë pa dashje, ata menjëherë duhet të pështyjnë kurse prindërit e tyre duhet të shfajësohen për përdorimin e fjalës.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China