20160125PM2.5 |
Pekini do të marrë më shumë masa për të bërë të mundur që dendësia e grimcave PM2.5 në ajër të përputhet me kriteret kombëtare, para vitit 2030. Lajmi u bë i ditur ditët e fundit në një konferencë shtypi të Zyrës së Mbrojtjes së Mjedisit të bashkisë së kryeqytetit kinez.
Siç mësohet, megjithëse shkarkimi i katër lëndëve kryesore ndotëse të ajrit në Pekin shënoi ulje gjatë vitit 2015, dendësia e grimcave PM2.5 tejkaloi 1.3 herë nivelin e lejuar kombëtar. Kjo çeshtje ka marrë një përparësi të veçantë në vend vitet e fundit. Drejtori i Qendrës së Kontrollit të Zyrës së Mbrojtjes së Mjedisit Zhang Dawei tha se bashkia e qytetit po planifikon një projekt afatgjatë për realizimin e objektivave, para vitit 2030.
Sipas tij, vitin e kaluar, cilësia e ajrit në 186 ditë, ose 51% të vitit arriti standardet e lejuara, shifër kjo me 14 ditë më shumë , krahasuar me vitin 2014. Ndërsa, ndotja e rëndë e ajrit u shtua me 46 ditë, ose 13% gjatë tërë vitit, vetëm 1 ditë më pak se në vitin 2014. Megjithëse dendësia vjetore e grimcave PM2.5 shënoi një ulje prej 6.2% sërish ishte më e lartë se niveli i lejuar.
Z. Zhang tha në konferencën e shtypit se grimcat PM2.5 në Pekin formohen nga shkarkimi direkt i ajrit të ndotur dhe reaksioni i lëndëve të tjera në ajër. Përsa u përket vendburimeve, 70% prodhohet në Pekin dhe 30% nga periferia e tij.
"30% e grimcave të PM2.5 vjen vjen nga periferia e Pekinit. Ndërsa 70% e grimcave të prodhuara në qytet krijohet përkatësisht 30% nga shkarkimi i ndotjes nga makinat dhe 20% nga konsumi i qymyrgurit ", tha z. Zhang.
Lidhur me smogun e rëndë të nëntorit dhe dhjetori të kaluar, z. Zhang tha se ndotja e rëndë në Pekin ndodh kryesisht në vjeshtë dhe dimër, pasi ndikohet dukshëm nga djegia e qymyrgurit për ngrohje.
"Së pari, përdorimi i qyrmyrgurit mund të shkaktojë ngritje të menjëhershme të dendësisë së PM2.5 brenda një kohe të shkurtër. Shkarkimi i gazit të makinave luan një rol të rëndësishëm në rritjen e nivelit të ndotjes. Vërejmë se mbi 80% e rasteve të ndotjes së rëndë të ajrit ndodhën kur të gjitha rajonet rretheqark Pekinit ishin prekur nga smogu ", tha z. Zhang.
Që nga viti 2013 kur Bashkia e Pekinit hartoi planin pesëvjeçar të veprimit, po shtohen masat për pastrimin e ajrit. Kryeinxhinieri i Zyrës së Mbrojtjes së Mjedisit Yu Jianhua tha se vjet, në Pekin u kryen 84 ndërhyrje të rëndësishme kundër ndotjes. Ai tha:
"Deri në fund të vitit 2015, në dy distrikte të Pekinit është ndaluar përdorimi i furrave për ngrohje me qymyrgur. 380 mijë makina të vjetra dolën nga funksionimi. U mbyllën 326 ndërmarrje me ndotje të lartë. Është ashpërsuar dhe kontrolli i ndotjes në kantierët e ndërtimit".
Duke vënë në pah masat e marra për administrimin e ndotjes që pasqyrohen me shtimin e ditëve me ajër të pastër dhe rënien e nivelit të ndotjes, autoritetet flasin dhe për uljen e mëtejshme të shkarkimit të lëndëve ndotëse.
"Pakësimi i shkarkimit është një proces i ndërlikuar dhe afatgjatë. Për Pekinin, ulja e mëtejshme e përdorimit të qymyrgurit do të jetë një detyrë parësore në dimër. Kurse në kohën kur nuk përdoret ngrohja vëmendja jonë do të përqëndrohet te ndotja nga makinat. Konkretisht, do të shpejtojmë nxjerrjen jashtë përdorimit të makinave të vjetra, të rrisim nivelin e shkarkimit të karburantit nga makinat e reja dhe së treti, do të zhvillojmë më shumë veprimtari promovuese që qytetarët të ndërgjegjësohen për mbrojtjen e mjedisit, nëpërmjet përdorimit më shumë të mjeteve publike të transportit", tha zv.drejtori i Zyrës së Mbrojtjes së Mjedisit të Pekinit, Fang Li.
Sipas tij, Pekini po planifikon masat që duhen marrë para vitit 2030, i cili pritet të publikohet në fillim të këtij viti. Pyetjes së e gazetarëve se kur do të arrijë standartet kombëtare cilësia e ajrit në kryeqytet, z. Fang iu përgjigj: "Për këtë, duhet të kemi parasysh gjendjen shoqërore të Pekinit si dhe faktorët e ndryshëm të zhvillimit të qytetit. Shpresojmë se ky objektiv do të realizohet deri në vitin 2030".
Në vitin 2015, Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit e Pekinit vuri gjoba prej 183 milionë juanësh (28.6 mln $) për shkeljen e rrugullave, me 1/4 prej të cilave u gjobitën nga ata që shkaktuan ndotjen e ajrit. Sipas z. Zhao Zhiwei, ndërmarrjet e vogla janë përgjegjëse të 90% të shkeljeve.
"Mbyllja e shumë fabrikave ka ulur nivelin e ndotjes. Por punishtet e prodhimit të orendive, të reparimit të makinave, ose restorantet e vogla ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e ajrit", tha z.Zhao.
Duke folur për planin aktual ai tha se Pekini do të ulë nivelin e ndotjes deri në 2017 me 25% më shumë, krahasuar me vitin 2012. Për të realizuar këtë objektiv do të forcohet kontrolli dhe do të frenohet vëllimi I shkarkimit.