20150118kine |
Në distriktin Deqing të Kinës Lindore ka disa resorte turistike që u ndërtuan nga të huajt me karakteristika të theksuara të vendeve të ndryshme të botës. Vitet e fundit, ato po tërheqin gjithnjë e më shumë njerëz për t'u çlodhur dhe për të kaluar këndshëm kohën e lirë.
Në këtë zonë malore me peisazh mahnitës gjenden mbi 70 resorte të ndërtuara me investimet jugafrikane, franceze, britanike, belge, jugkoreane etj., të cilat presin mbi 200 mijë vizitorë në vit, duke siguruar të ardhura prej 210 mln juanë(34mln $). Ndër to, "Naked Retreats" është ndërtimi i parë dhe më i njohuri i zonës.
Çdo ditë, pronari i tij Grant Horsfiled pret klientët, por dhe shijon dhe komoditetin e vendit ku punon. Ai është diplomuar me master nga Universiteti i Cape Town-it dhe erdhi në Kinë në vitin 2004.
Bazuar në përvojën mbi 10 vjeçare në fushën e menaxhimit në Britaninë e Madhe dhe Afrikën e Jugut, atij iu ofrua fillimisht një post i lartë në një kompani të Shangait, ku dhe pagesa ishte mjaft e mirë. Por ngarkesa e madhe dhe ritmi dinamik i jetës në metropolin lindor e bënë atë të dëshironte një vend pune më pak stresues dhe me më shumë mundësi çlodhjeje. Në një udhëtim të rastit, Grant zbuloi zonën malore të distriktit Deqing, e cila i kujtoi vendlindjen e bukur e të largët. I lindi mendimi se të huaj që jetojnë e punojnë në Kinë por edhe vetë vendësit e ndjejnë nevojën e kthimit në gjirin e natyrës, ndaj prezantoi fillimisht plan-biznesin për një "resort ekologjik" të tipit të Afrikës Jugore.
Në vitin 2007, me ndihmën e bashkëshortes, një arkitekte kineze, u përurua "Parajsa" e Horsfieldit: Naked Retreats, një resort me një sipërfaqe prej 1.2 kilometër katrore në malin Mogan.
Projekti dhe ndërtimi i resortit të japin idenë e një stili jetese të thjeshtë me konsum të ulët të burimeve natyrore. Çdo vile e resrotit ruan karakteristikat vendore, për të ruajtur origjinalitetin e peizazhit malor. Shumica e apartamenteve janë ndërtuar në pjesën pyjore të resortit, ndërsa muret e tyre përbëhen nga materiale që nuk përmbajnë lëndë ngjitëse kimike madje as bojëra. Gjithashtu, shumë lëndë të përdorura për ndërtimin e çative, kornizave të dritareve apo të tjegullave janë ricikluar.
Teknikat moderne luajnë një rol të rëndësishëm në kursimin e energjisë. Para nisjes së ndërtimit të pjesës kryesore të resortit, u trajtuan ujrat e zeza, si dhe ato kulluese të shiut. Bashkë me metodat e përparuara të ujitjes, të zjarrfikjes, përdorimi ujit në Naked Retreats është 32% më i ulët se sa në hotelet e tjera me të njejtën përmasë. Kurse energjia e nevojshme për kondicionerët dhe ngrohjen përfitohet në mënyrë të përtëritshme, duke ulur 46% konsumin e saj. Për të kultivuar te klientët e resortit konceptin e mbrojtjes së mjedisit, ofrohen çmime më të favorshme për ata që kursejnë ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike.
Suksesi i Horsfieldit u bë shembull për investitorët e tjetë të zonës por edhe për masat e marra nga qeverisja vendore për turizmin ekologjik. Në planin e 13-të pesëvjeçar të zhvillimit të Kinës, vihet një theks i veçantë në konceptin e zhvillimit ekonomik duke mbrojtur mjedisin dhe investitorëve si Grant Horsfield pritet t'u ofrohen më shumë shanse dhe politika të favorshme.
Disa të huaj janë të lumtur me jetën e tyre në Kinë, por të tjerë dëshirojnë që pas kualifikimit në Kinë të kthehen në athe. Ramazan Nashiri është një prej tyre. Ky 40 vjeçar nga Bujumbura, kryeqytet i Burundit të Afrikës Qendrore po studjon në Qendrën e Shkencës së Shëndetësisë Norman Bethune të Universitetit të Jilin-it, ku do të marrë doktoraturën për obstetri-gjinekologji.
Tani në vendlindjen e tij temperatura regjistrohet mbi 30 gradë celsius, por në qytetin Changchun të Kinës Verilindore, është minus 15 gradë celsius. Në institucionin ku studion Nashiri ka 528 studentë të huaj, shumica e të cilëve nga vendet në zhvillim, aziatike dhe afrikane.
Rambha Kumari Shah, 39 vjeçe nga Nepali është nënë e tre fëmijëve. Ajo po studion në Kinë një doktoraturë të mikrobiologjisë. Kurse vajza e madhe e saj Neelam Kumari Shah vazhdon studimet në Kinë për master në gastroenterologji. Rambha ka punuar në një laborator në Nepal dhe ajo thotë se ka bërë progres të dukshëm në institutin Norman Bethune, që mban emrin e mjekut kanadez, që ndihmoi qeverinë kineze në luftën kundër agresorëve japonezë.
Rambha dëshiron të vazhdojë studimet laboratorike pas kthimit në atdhe, ndërsa e bija e saj dëshiron të bëhet gastroenterologe. Kurse, Nashiri është i vendosur të shpëtojë jetën e nënave të reja në vendlindje. "Në spitalin më të madh të Bujumburas shpresoj të jetë vend për një mjek me doktoraturë. Shumë femra vdesin gjatë lindjes, ndaj dua të jap ndihmesën time", tha Nashiri.
Rritja e nivelit mjekësor ka bërë që të rritet numri i studentëve nga vendet në zhvillim në Kinë. Në vitin 2012, Qendra Shkencës së Shëndetësisë Norman Bethune pati 85 aplikime nga të huajt, por në vitin 2015 kjo shifër u rrit në 494. Për të plotësuar kërkesat e studentëve të huaj, drejtori i institutit Li Fan tha se universiteti ka formuar një grup mësimdhënie në gjuhën angleze që përbëhet nga afro 300 pedagogë, si dhe ka punësuar dy specialistë të gjuhës angleze për të përmirësuar nivelin gjuhësor të pedagogëve.
Në të njëjtën kohë, instituti bashkëpunon me Universitetin e Mjekësisë Mount Sinai të ShBA-së për mësimdhënie në platformën elektronike. Kështu që nga lëndët mësimore deri në procesin e praktikave, studimet në Kinë mund të plotësojnë kërkesat e studentëve për të marrë liçencën e duhur profesionale.
Siç mësohet, mbi 80% e 259 të diplomuarve të huaj nga Qendra e Shkencës së Shëndetësisë pranë Universitetit të Jilinit po kryejnë studime mjekësore dhe mbi 20 kanë kaluar provimin për marrjen e liçencës profesionale në ShBA. Ndërsa vitin e kaluar, 3680 aplikues të huaj erdhën për të studiuar mjekësi në 48 universitete të Kinës. Sipas të dhënave, 775 institucione kineze të arsimit të lartë pranuan mbi 377 mijë studentë të huaj nga 203 vende e rajone të botës.