20150118Hotpot02 |
Në distriktin e biznesit Guomao të Pekinit, pikërisht në Qendrën Yintai ndodhet një floktore ku një berber kinez me pamje mjaft të kuruar pret çdo ditë klientët e tij, që në shumicën e rasteve janë sipërmarrës. Kjo është një ndër të parat qendre estetike në kryeqytetin kinez, ku përveç shërbimit për flokët, meshkujve iu ofrohet dhe trajtim për fytyrën. Në fakt, kjo floktore është degë e markës së njohur britanike "Truefitt&Hill, dhe në shërbimet e saj për meshkujt dallon nga floktoret e tjera, për faktin se këtu kryhet dhe manikyr, pastrim lëkure apo trajtime për rënien e flokëve te meshkujt.
Edhe çmimet e kësaj floktoreje me shërbim të gjerë të kujdesit estetik për meshkujt janë më të larta se sa në floktoret e zakonëshme. Kështu vetëm një larje flokësh e shoqëruar me masazh fytyre kushtor 300 yuan, ose 47 dollarë amerikanë.
Menaxheri i përgjithshëm i degës së parukerisë dhe estetikës "Truefitt&Hill" të Pekinit, Zhu Liya thotë se meshkujt kinezë kohët e fundit kanë filluar ti kushtojnë më shumë vëmendje pamjes së tyre të jashtme dhe shpenzojnë më shumë për stilimin e flokëve apo kujdesin e fytyrës.
Kjo dukuri e njohur botërisht si metroseksual, që nënkupton burra të apasionuar pas prodhimeve të kozmetikës është më e dukshme në vende të tjera aziatike, si në Japoni dhe Korenë e Jugut, por tashmë po rritet dukshëm numri i kinezëve, që marrin sistematikisht këtë shërbim estetik.
Një ndër preferencat më të mëdha në rradhët e meshkujve kinezë është kujdesi dhe trajtimi i lëkurës së fytyrës me prodhime kozmetike. Tashmë është rritur dhe numri i këtyre prodhimeve në qendrat e ndryshme tregtare, sipas interesit në rritje të klientëve meshkuj për to.
Përfitimi i firmave të huaja kozmetike
Presidenti dhe këshilluesi i firmës "Frost and Sullivan" në Kinë, Neil Wang thotë për median lokale se "Kina po bëhet një ndër tregjet më të mëdha në botë për prodhimet kozmetike të fytyrës në botë". Sipas tij shitjet e këtyre prodhimeve në Kinë kanë arritur në mbi 1 miliard dollarë amerikanë, ndërsa në vend të dytë renditet Korea e Jugut me 0,7 miliard dollarë. Pritet që tregu i prodhimeve kozmetike për trajtimin e fytyrës për meshkuj në Kinë të arrijë në 11.5 miliard yuan ose 1.85 miliard dollarë amerikanë në vitin 2020, nga 7.3 miliard yuan ose 1.14 miliard dolarrë që ishte në vitin 2014, sipas të dhënave të kompanisë së studimit të tregut Mintel Group.
Mbi 80% e meshkujve kinezë pohojnë se kujdesi për fytyrën është i rëndësishëm, thotë Wang nga firma "Frost and Sullivan". Sipas tij shumë meshkuj janë të gatshëm të shpenzojnë rreth 25 minuta në ditë për të trajtuar lëkurën e fytyrës në qendra estetike.
Kjo dukuri shkon paralel me mendimin se pamja e jashtme është e rëndësishme për një paraqitje të mirë të individit, pavarësisht mashkull apo femër në shoqëri dhe në ambjentin profesional.
30 vjeçari Ding Chen është biznesmen dhe ai shpenzon 600 yuan çdo dy muaj për prodhime kozmetike për fytyrën dhe flokët. Ai thotë se kujdesi ndaj fytyrës dhe flokëve është i rëndësishëm për rritjen e vetëvlerësimit, të tërheqjes së femrave dhe të përmirësimit të imazhit.
Rritja e interesimit të meshkujve kinezë për kujdesin e fytyrës dhe flokëve është gjithashtu një mundësi e mirë për firmat e huaja, të cilat janë prezente në 76.6% të tregut kozmetik në Kinë.
Përfaqësuesi i shtypit i Kompanisë japoneze të kozmetikës Shiseido, Satoshi Hirota thotë se " Prodhimet kozmetike për meshkuj kanë shënuar një rritje të madhe, pasi meshkujt kinezë po rritin dita ditës interesimin për këto prodhime.". Sipas tij në vitin 2015, shitjet e kremit dhe pastruesit të fytyrës për meshkuj të firmës japoneze Shiseido në Kinë kanë shënuar një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2014.
Madje kompania e njohur japoneze e prodhimeve kozmetike Shiseido ka krijuar një linjë prodhimesh kozmetike ekskluzive për tregun kinez , e njohur si "Aupres Mens", në vitin 1994 dhe mësohet se shitjet e artikujve kozmetikë për meshkuj pritet që këtë vit të shënojnë një rritje prej 10%
Ndërsa kompania gjermane e kozmetikëve Beiersdorf AG sheh një potencial të madh shitjesh online të prodhimeve të saj të markës Nivea në Kinë, falë interesimit gjithnjë e më të madh të të rinjve kinezë për to.
Nga të dhënat statistikore mësohet se tregu i artikujve kozmetikë më meshkuj në Kinë zë 40% të të gjitha shitjeve.
Zëvendëspresidentja e Korporatës së Komunikimit të Kompanisë Beiersdorf, Inken Hollmann-Peters thotë se " Vite më parë as që mendohej se meshkujt kinezë mund të blinin online prodhimet tona kozmetike. Por tani gjithçka ka ndryshuar dhe ne parashikojmë që blerjet online të artikujve kozmetikë për meshkuj nga klientët kinezë të rriten 15% në periudhën 2015-2020"
Rritjen e kësaj dukurie vitet e fundit e dëshmojnë dhe përfaqësuesit e Kompanisë amerikane të artikujve kozmetikë Procter& Gamble, sipas të cilëve makinat e rrojes Gillette si dhe solucionet për fytyrën për meshkuj Olay po shiten më shumë online vitet e fundit, si pasojë e rritjes së kërkesës së meshkujve kinezë për to.
Përveç nevojave të tjera jetike, konsumatorët kinezë me rritjen e nivelit të jetesës kanë rritur dhe kërkesën për prodhimet kozmetike. Kjo do të jetë përcaktuese në vitet në vijim për ndryshimin e mënyrës së paraqitjes kryesisht të të rinjve kinezë, me prirje për një paraqitje sa më të bukur të jashtme. Analisti estetik Chen Wenwen thotë se " Tregu i artikujve kozmetikë në Kinë ka një potencial të madh rritjeje, pasi klientët tashmë kanë rritur kërkesën për artikuj për kujdesin e lëkurës së fytyrës, flokëve, duarve, për një paraqitje sa më estetike." (Eda Merepeza)