20160111Hotpot_1 |
Venecia e Kinës
Nëse shikoni fotot e publikuara nga media kineze ditët e fundit të lagjes Jiepai në qytetin Danyang të provincës lindore Jiangsu, do të mbeteni të mrekulluar. Ato janë përhapur me shpejtësi jo vetëm në media por edhe në rrjetet sociale të Kinës, pasi janë tepër të veçanta.
Lagja e re Jiepai është krijuar me vila dhe ndërtesa tepër moderne mbi një sipërfaqe uji dhe mund të krahasohet me Venecian, përsa i përket lidhjes së saj arkitekturore me ujin.
Kjo lagje prej 100 hektarësh nisi të ndërtohej në vitin 2006 me një investim prej 3.75 miliard yuan ose 578 milion dollarë amerikanë. Në këtë komunitet numërohen ndërtesa rezidenciale dhe numri i banorëve është 6400 vetë, por dhe 300 vila si dhe nuk mungon infrastruktura dhe shërbimet për komunitetin, shkollat, spitalet dhe e gjithë zona është e "pushtuar" nga gjelbërimi.
2016, Kina shton 200 linja ajrore ndërkombëtare
Në vitin 2016 Kina do të shtojë 200 linja ajrore ndërkombëtare. Kjo është pjesë e nismës së Kinës "Një brez, një rrugë", përmes së cilës qeveria synon shtimin e lidhjeve me vendet e përfshira në të. Lajmi u bë i ditur në mediat kineze nga Li Jiaxiang, drejtor i Administratës së Aviacionit Civil, sipas të cilit aktualisht operojnë 663 linja ndërkombëtare, ndër të cilat 369 nisën të funksionojnë vitin e kaluar.
"Ne do të hapim në vitin 2016 më shumë se 200 linja ajrore ndërkombëtare. Qëllimi i kësaj lëvizje është forcimi i lidhjeve mes vendeve që i bashkon nisma "Një brez, një rrugë" , tha Liu. Ai bëri të ditur se Kina ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe të transportit ajror me 118 vende kohët e fundit. Nisma "Një brez, një rrugë" u propozua nga presidenti Xi Jinping në vitin 2013 dhe i referohet Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, i cili lidh Kinën me Europën nëpërmjet Azisë Qendrore, dhe Perëndimore si dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të, që kalon nga jugu i Kinës drejt juglindjes së Azisë dhe Afrikës. Nga ky plan ambicioz pritet të përfitojnë 4.4 miliard banorë në 65 vende. Vitin e kaluar vëllimi tregtar i Kinës me këto vende dhe rajone arriti në 1.12 trilion dollarë amerikanë, rreth 25% të vëllimit tregtar vjetor botëror.
Sipas drejtorit të Administratës së Aviacionit Civil të Kinës, Liu industria e aviacionit civil në vitin 2016 do të rritet me shpejtësi dhe sektori i transportit do të mbulojë vendet e përfshira në nismën "Një brez, një rrugë". Ai ka theksuar se do të kryhet një investim prej 200 miliard yuanësh ose 32 miliard dollarë amerikanë për 51 projekte të aviacionit civil të cilat janë pjesë e nismës "Një brez, një rrugë". Sipas tij viti 2015 shënoi një realizim të ardhurash prej 54.7 miliard yuan në linjat ajrore të transportit të Kinës dhe aeroportet. Kjo e ka bërë Kinën tregun më performancën më të lartë në transportin ajror në nivel botëror.
Çifti hongkongas i fiksuar pas Disneyland-it
Fëmijët adhurojnë personazhet e njohur të animuar Mickey Mouse dhe Minnie, por ka dhe të rritur fansa të çmendur të tyre. Sipas të përditshmes hongkongase "Wenweipo" një çift nga Hong Kongu ka vizituar plot 1100 herë në 9 vjet Disneylandet, anembanë botës.
Vizitat në parqet argëtuese Disneyland çifti i ka nisus që në vitin 2006 ndërsa mësohet se vetëm gjatë këtij viti ata kanë vizituar Disneylandin 132 herë, ose 13 herë në muaj. Po ky qenka një fiksim i vërtetë, miq!
Dy dhoma në apartamentin e çiftit janë të mbushura me suvenire të blera prej tyre në Disneylang, ku mbizotëron Mickey Mouse.
Bashkëshorti He Weiwen thotë se kanë shpenzuar të gjitha ditët e shënuara, si ditëlindje, Krishtlindje apo Viti i Ri në Disneyland, duke i vizituar pothuajse të gjithë parqet në Japoni, Francë apo ShBA. Çifti është i pajisur dhe me karta anëtarësimi në të gjithë Disneylandet e botës. (Eda Merepeza)