20151228Hotpot_2 |
Njerëzit kërkojnë gjithmonë të jetojnë qetë, me komoditet dhe të gëzojnë shëndet të mirë. Ashtu si zogjtë shtegtarë që dimrit u drejtohen vendeve të ngrohta dhe jeta e tyre kalon vetëm në stinë pranvere dhe vere, ka njerëz që këtë ëndërr e kanë bërë realitet.
Kur mbaron vjeshta shumë kinezë, kryesisht pensionistë lenë vatrat e tyre dhe nisen drej jugut të Kinës në provincën Hainan, në parajsën tokësore të quajtur, Sanya. Sipas të dhënave zyrtare nga verilindja e vendit drejt jugut me klimë tropikale janë zhvendosur rreth 200 mijë banorë.Kjo shifër është befasuese nëse i referohemi faktit se në fund të vitit 2014 popullsia e Sanyas ishte 740 mijë banorë. Pjesa më e madhe e të ardhurve në Sanya janë nga zona verilindore e Kinës, kryesisht nga provinca Heilongjiang dhe për këtë arsye Sanya tashmë ka marrë edhe emërtesën "Qyteti Sanya i Heilongjiang-ut". Nëse shëtit në rrugët e Sanyas të kap syri një grup zonjash të moshuara që vallëzojnë melodi tradicionale të quajtura "yangge".
Parajsa e pensionistëve
Hainan ka qenë një destinacion turistik i Kinës prej shumë vjetësh. Industria e turizmit në këtë zonë shënoi një bum pas transformimit të ishullit në një destinacion turistik ndërkombëtar në vitin 2010. Sipas të dhënave në vitin 2000 10 milion udhëtime u kryen me destinacion provincën Hainan, ndërsa në vitin 2014 numri i tyre arriti në 40 milion. Popullsia e ishillit Sanya rritet dukshëm nga muaji mars deri në nëntor. Ndërsa në pjesën tjetër të vendin sundon bora dhe ngricat e kur temperatura shënon disa gradë nën zero, banorët e provincës Hainan shijojnë një klimë pranverore me ajër të pastër. Pikërisht kjo klimë e adhurueshme ka tërhequr shumë njerëz të cilët qëndrojnë këtu në periudhën e dimrit apo edhe si banorë të përhershëm.Ndërsa numri i banorëve vazhdon të rritet, rritje shënon edhe çmimi i banesave, të shumëkërkuara nga kinezët që vijnë nga verilindja e vendit. Sipas një raporti të publikuar nga Ellemen, 79.6% e pronarëve të banesave në Sanya janë nga Kina verilindore, ndër të cilët pjesa më e madhe i përkasin grupmoshës së mesme apo pensionistë. Shumë prej të ardhurve nga verilindja e vendit janë pensionistë të cilët kanë patur probleme shëndetësore për shkak të të ftohtit apo ndotjes, ndërsa jetesa në Sanya është shumë më e përshtatshme për ta. Ata kanë nisur të vijnë fillimisht për një periudhë 3 mujore dhe kur kanë parë se sa mirë ndikon klima tropikale në shëndetin e tyre kanë vendosur të shpërngulen në Sanya duke u bërë banorë të përhershëm të saj. Ka prej tyre që vuajnë nga astma, sëmundje e cila keqësohet nëse jeton në qytete me dimër të acartë dhe nivel të lartë ndotjeje. Ndaj vendimi i tyre për tu zhvendosur në një qytet ishullor me klimë tropikale duket më se i arsyeshëm. Madje shumë prej çifteve të pensionistëve të shpërngulur këtu rritin edhe nipat apo mbesat në këtë parajsë të natyrës. Por ka edhe të tjerë të cilët qëndrojnë vetëm gjatë dimrit në Sanya dhe në prill rikthehen në verilindje. Sipas statistikave të pushtetit vendor në Sanya deri në nëntor të vitit 2014 Sanya numëronte 400 mijë banorë pensionistë, të ardhur nga verilindja e vendit, gjysma e të cilëve nga Harbini.
Kërkesa për banesa rrit çmimin e tyre
Agjencitë real estate të turizmit kanë përfitime të mëdha nga ky migrim masiv. Krahasuar me blerësit e qyteteve të tjera, ata që blejnë shtëpi në Sanya janë më së shumti turistë. Pikërisht rritja e kërkesës për banim në këtë qytet bëri që qeverisja vendore të shpallte planin e zhvillimit të Hainanit si një destinacion turistik ndërkombëtar. Ky është shkaku i dyfishimit të çmimeve të banesave.
Sipas "Time Weekly" gjatë gjysmës së parë të këtij viti, në Hainan janë blerë nga banorët jorezidencialë 6.366 hapësira komerciale. Referuar statistikave mund të theksojmë se Departamenti i Strehimit dhe Zhvillimit Urban dhe Rural i provincës Hainan njofton se 87% e pronarëve të banesave janë të ardhur në Hainan.
Një tjetër shifër interesante thotë se në gjysmën e parë të vitit nga 234 apartamentet e shitura në Sanya, 60% janë blerë nga banorët nga verilindja e Kinës. Në sajë të rritjes së çmimeve dhe fluksit të migratorëve në Sanya vërehet një rritje e përgjithëshme e çmimeve. Sipas një Treguesi të prillit të vitit 2014 çmimet e shtëpive në Sanya u rritën në 24.726 yuan për metër katrorë rreth 3.828 dollarë, rreth 6.200 yuan më të larta se çmimet në provincat Guangzhou dhe Guangdong.
Tashmë banorët autoktonë të Sanyas dhe ata të regjistruar si banorë të përhershëm janë të shqetësuar për shërbimet publike ndaj komunitetit në të ardhmen. Duhen një sërë përmirësimesh në shërbimet spitalore, të sigurimeve, arsimore etj për të përballuar fluksin e banorëve gjithmonë në rritje në ishull. Shumica e të ardhurve, madje dhe nga ata që prej 10 vjetësh jetojnë në Sanya nuk janë pakisur me leje qëndrimi, e cila njihet në kinezisht si "hukou". Ky shqetësim i përket rreth 200 mijë të ardhurve nga verilindja e vendit, të cilët i referohen vendimit të vitit 2008 të qeverisjes vendore të provincës Hainan për mos dhënien e "hukout" personave që blejnë shtëpi në Sanya. (Eda Merepeza)