220151221Hotpot01.m4a |
Statistikat tregojnë se këtë vit në Shangai jetojnë 460 mijë të huaj dhe deri në vitin 2020 kjo shifër pritet të arrijë në 800 mijë. Pra gati do të dyfishohet. Shumë të huaj që punojnë në këtë metropol kinez kanë filluar të sjellin dhe familjet. Fëmijët e të huajve nga vende të ndryshme përveçse ndjekin shkolla ndërkombëtare në Shangai mësojnë dhe gjuhën kineze. Tashmë shumë shkolla ndërkombëtare apo shkolla private dygjuhëshe janë hapur në Shangai, për të përmbushur kërkesat në rritje.Të paktën 4 shkolla do të nisin veprimtarinë e tyre vitin e ardhshëm në Shangai, ndër të cilat dhe Vanke Bilingual School, që ka njoftuar së fundmi ndërtimin e korpusit të saj në një sipërfaqe prej 20 mijë metra katrorë në afërsi të distriktit rural Minhang. Për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike tregu i shitblerjes së apartamenteve vitet e fundit ka shënuar rënie në Shangai. Por me rritjen e kërkesave për shkolla ndërkombëtare të llojit Vanke, një kompani kineze e listuar në bursën e Shenzhenit ka marrë përsipër ndërtimin e ambjenteve shkollore të cilësisë së lartë, për të tërhequr sa më shumë klientë.
Xu Qingchuan, zëvendës menaxher i përgjithshëm i Kompanisë së Pasurive të paluajtëshme Vanke thotë për mediat se tashmë kanë disa projekte në industrinë arsimore, të cilat do të trajtohen si një industri e pavarur. Ideja për ndërtimin e rrjetit të shkollave Vanke lindi gjatë projektit pilot 9 vjeçar "International Bilingual Class C" të ndërtimit të shkollave private, midis Kompanisë Vanke dhe Kolegjit pranë Universitetit Fudan të Shangait.
"Në vitin 2005 disa prindër kinezë që prej vitesh kishin jetuar jashtë vendit, të pakënaqur me shkollat publike kërkuan ndërtimin e disa "klasave të posaçme", për fëmijët e tyre", thotë Chen Shu zëvendës-drejtor i Shkollës private Vanke të Fudanit. Gjatë 9 viteve të fundit në këtë program janë përfshirë studentë nga mbi 20 vende dhe rajone të botës.
Sipas tij nxënësit e nivelit të parë të kësaj shkolle do të kryejnë më shumë mësime në kinezisht se sa në anglisht, si dhe do të zhvillohen provime të ngjashme me ato të shkollave publike kineze. Ndërsa për nxënësit e shkollës së mesme arsimimi do të jetë më shumë sipas stilit perëndimor, me 70% të kurrikulës mësimore në gjuhën angleze.
Aeroporti i ri i Pekinit, më i madhi në botë në vitin 2040
Aeroporti i ri i Pekinit, i planifikuar të ndërtohet në distriktin Daxing Projekti i tij është bërë nga arkitekti britanik me origjinë irakiane Zaha Hadid. Parashikohet që aeroporti i ri të ndërtohet në dy faza dhe të ketë një kapacitet vjetor prej 100 milion pasagjerësh në vitin 2040, duke u bërë aeroporti më i madh në botë, shprehet Wang Baoling, zëvendësdrejtor i Korporatës Beijing SIA City Holdings. Ndër të tjera Wang shtoi se aeroporti i ri pritet të vihet zyrtarisht në funksionim në vitin 2019, me një kapacitet prej 45 milion pasagjerësh në vit i cili do të rritet deri në 100 milion pas përfundimit të aeroportit. Aeroporti Ndërkombëtar i Los Angelesit në ShBA, konsiderohet aktualisht si më i madhi në botë, ku kapaciteti vjetor i pasagjerëve arrin në 96 milion. Nëse kapaciteti i këtij aeroporti nuk do të rritet me kalimin e viteve, atëhere aeroporti i ri i Pekinit do të jetë më i madhi në botë në vitin 2040. Arkitektura e aeroportit të ri të Pekinit ngjan me një feniks. Si një aeroport tepër modern parashikohet që ai të ofrojhë shumë lehtësi për pasagjerët. Ndër këto do të jetë dhe arritja për 13 minuta e bagazheve të pasagjerëve.
Migrim për një klimë më të ngrohtë
Provinca më jugore e Kinës Hainan nuk është vetëm një resort i preferuar turistik veror, por gjatë dimrit kthehet në një vend pushimi për shumë banorë nga veriu i Kinës, që duan të shpëtojnë nga klima e ftohtë.
Është shndërruar tashmë në një traditë të përvitëshme kur sapo trohet dimri i ftohtë shumë qytetarë nga Kina verilindore me tren apo avion i drejtohen strehës tropikale Hainan, për të shpëtuar nga reshjet e dëborës dhe ngricat. Kur vjen pranvera ata rikthehen në shtëpitë e tyre në veriun e vendit. Kulmin këto udhëtime nga veriu në jug të vendin e kanë në nëntor, ku edhe sivjet është regjistruar një numër i lartë qytetarësh që kanë udhëtuar nga provinca veriore Heilongjiang drejt kryeqendrës së provincës Hainan, Haikou, përpara se të shpërndahen në qytetet apo ishujt e saj. Shumica e udhëtarëve janë të moshuar, pra pensionistë të cilët edhe për shkak të moshës preferojnë që muajt e ftohtë të dimrit ti shmangin për të kaluar këndshëm në temperaturën e ngrohtë tropikale të jugut të vendit. Në shumë raste gjyshërit marrin me vete në këtë zhvendosje disamujore drejt veriut të vendit dhe nipat apo mbesat në moshë parashkollore, për të ndihmuar fëmijët e tyre.
Udhëtimi me trenin e zakonshëm nga veriu në jug të Kinës zgjat 3 ditë e dy netë .
Kjo traditë tashmë disavjeçare ka bërë që shumë prej banorëve veriorë të vendit të blejnë apartamente në jug, të cilat i frekuentojnë për një periudhë afro 4 mujore dhe sigurisht edhe gjatë sezonit veror. Ndërsa të tjerë kanë zgjedhur të marrin me qira apartamente në periudhën e dimrit, pasi nuk kanë mundësi të përballojnë çmimet e larta të hoteleve të Hainanit. Si një dukuri sezonale që ndodh rregullisht ky migrim brenda vendit për një klimë më të ngrohtë ka ndikuar në rritjen ekonomike të provincës jugore Hainan, ndonëse banorët e kësaj province jugore ankohen për rritjen e çmimeve të jetesës apo të rradhëve në qendrat shëndetësore. (Eda Merepeza)