20151130Hotpot01 |
Tashmë jemi në kulmin e dimrit dhe askush nuk është i imunizuar nga virozat e stinës. Mjekësia tradicionale kineze shquhet për barnat me bazë bimore dhe këtë dimër të shumtë janë ata që i përdorin, kryesisht për rritjen e imunitetit. Në një klinikë të Shangait që ofron edhe shërbime të mjekësisë tradicionale kineze këtë dimër është vënë re shtimi i interesit të të rinjve për marrjen e ilaçit që mban virozat larg. Në gjuhën kineze përshkrimi nga mjeku i këtij trajtimi mjekësor tradicional njihet me emërtesën "gaofang". Kemi të bëjmë me një ilaç popullor i krijuar kryesisht nga barërat por dhe elemente të tjerë shtesë të nxjerrë nga brirët e drerit dhe i ëmbëlsuar me mjaltë apo sheqer.
Mësohet se edhe çmimi I barnave të mjekësisë tradicionale kineze është rritur vit pas viti, pasi të shumta janë kërkesat për to në periudhën e ftohtë të dimrit. Media e Shangait raporton se një ndër 3 banorë të metropolit kinez ka kërkuar këto ditë të ftohta barin mijëravjeçar, që parandalon virozat e stinës.
Në kohët e lashta kinezët përdornin këtë bar në formë shurupi të trashë për parandalimin e sëmundjeve dhe forcimin e imunitetit. Pas një periudhe braktisjeje, kryesisht nga të rinjtë të këtyre mjekimeve tradicionale vërehet se vitet e fundit shumë kinezë kryesisht të rinj një moshë i janë rikthyer kujdesit shëndetësor me ndihmën e barnave të lashta popullore. Kërkesat për "gaofang" i janë rritur ndjeshëm këtë dimër.
Zonja Huang është zgjuar herët në mëngjes dhe ka shkuar në Spitalin Longhua të Shangait për të marrë një recetë mjekësore për shurupin antivirozë, por atje është befasuar nga rradha e njerëzve që kishin ardhur për të njejtin qëllim. Huang tregon se çdo vit kur nis e ftohet moti ajo vjen rregullisht në këtë spital për të marrë recetën mjekësore, por këtë vit është hera e parë që i duhet të presë rradhën e gjatë. Ka pritur rreth 3 orë kjo zonjë për tu takuar me mjekun i cili i dha recetën "gaofang", ndaj ajo ka vendosur që vitin e ardhshëm të marrë më herët masat për parandalimin e virozave dimërore.
Në këtë periudhë ka rradhë të gjata në klinikat mjekësore apo spitalet e Kinës pasi kryesisht në vjeshtë dhe dimër janë stinët e gaofang-ut. Qysh kur klinikat dhe spitalet e njohur të Shangait Yueyang, Longhua dhe Shuguang kanë nisur dhënien e këtyre barnave tradicionale numri I të interesuarve për to është rritur ndjeshëm. Specialistët e shëndetësisë në këtë metropol thonë për median se numri i të interesuarve për gaofeng është rritur këtë vit 15%. Në Spitalin Yueyang do të përgatiten 20 mijë receta gaofang këtë vit, rreth 15% më shumë se vitin e kaluar. Ka patur raste kur njerëzit kanë lënë takim një muaj para për marrjen nga mjeku të një recete të tillë.
Zonja Huang tregon se prej 7 vjetësh ajo përsërit të njejtin ritual të ardhjes në spital për të marrë recetën e gaofang dhe vëren se nga viti në vit, çmimi është rritur. Konkretisht ajo tregon se në vitin 2008, ky mjekim tradicional kushtonte 900 yuan (ose 141 dollarë) për një kurs trajtimi. Në vitin 2010 çmimi u rrit në 1,400 yuan , ndërsa në 2012 në 1,800 yuan. Këtë vit çmimi I trajtimit me këtë mjekim tradicional është 2,500 yuan,rreth 3 herë më I lartë se në vitin 2008.
Arsyet e rritjes së çmimit
Një nga arsyet e rritjes së çmimit të këtij trajtimi mjekësor tradicional është se përbërësit e tij janë të kushtueshëm. Rreth 85% e përbërjes së trajtimit gaofang ka si përbërës kryesor një lloj xhelatine të përgatitur nga lëkura e gomarit. Sheng Zhaoyuan është drejtor i Farmacisë pranë Spitalit të Integruar të Mjekësisë Tradicionale Kineze në Shangai i cili shpjegon se receta e gaofang realizohet me zierjen 2-3 herë të barërave dhe nxjerrjen e një ekstrakti të tyre, ku shtohen disa barëra të tjera të rralla. Pas këtij procesi, mjeku shpjegon se masës së përftuar nga barnat i shtohet dhe xhelatina e cila ndihmon në shkrirjen e përbërësve bimorë dhe e kthen të gjithë masën në një shurup të trashë. Më tej ai thotë se çmimet e bimëve mjekësore, por dhe të xhelatinës së nxjerrë nga lëkura e gomarit janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, madje deri në 20 %. Kjo shkakton rritjen e çmimit të mjekimit popullor prej 500 gramësh në 2500 yuan. Mjeku shton se këtë vit disa përbërës të këtij mjekimi si xhenxhefil apo kërpudha cordycep nuk kanë rritur çmimin.
Sipas drejtorit të Spitalit Yueyang, Fang Min xhelatina është një ndër përbërësit kryesorë për medikamentin popullor ndaj është rritur çmimi i gaofang-ut.
Një dukuri e re që kanë zbuluar ekspertët këtë fillim dimri është se kërkesa për gaofang është rritur ndjeshëm jo vetëm nga mosha e tretë, por edhe nga mosha e mesme si dhe të rinjtë, madje këta të fundit përbëjnë 1/3 e kërkesës së përgjithëshme për këtë trajtim mjekësor tradicional.
Shen Yan, nëndrejtor I Spitalit Yueyang dhe shef i departamentit të kardiologjisë thotë se ky lloj mjekimi tradicional ndihmon shumë personat me sëmundje të zemrës.
Shërbime online për gaofang
Administrata spitalore e Shangait për tu ardhur në ndihmë qytetarëve të interesuar për të marrë trajtimin mjekësor tradicional të njohur si "gaofang", ka përdorur platformat online Alipay dhe Wechat për planifikimin e takimeve.Kështu Spitali Yueyang u ofron pacientëve aplikimin për lënien e takimeve online dhe kjo metodë ka funksionuar mjaft mirë, duke shmangur rradhët e gjata në spitale. Me një rritje vjetore 10-15% të kërkessës për trajtimin gaofang, disa farmaci apo supermarket kanë orfuar lloje të ndryshme të tij. Por ekspertët e Mjekësisë Tradicionale Kineze thonë se shurupi duhet të merret me rekomandimin e mjekut, i cili i njeh efektet tek çdo pacient.
Madje mjekët kanë paralajmëruar qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve të tregtarëve të ndryshëm, pasi një trajtim i gabuar mjekësori gaofang mund të shkaktojë shqetësime në stomak deri në helmim.(Eda Merepeza)