20151130wifi |
Kompanitë kineze të aviacionit civil po shpejtojnë ofrimin e shërbimeve të internetit në avion. Por sfidat kryesore me të cilat përballen janë çmimet dhe shpejtësia e lundrimit.
A mërziteni gjatë një udhëtimi të gjatë me avion ? Mendoni se do të ishte më mirë nëse do të përdornit internetin gjatë fluturimit ?
Këto pyetje pritet që së shpejti të mos përdoren më, pasi kompanitë kineze të aviacionit civil po nxitin pajisjen e avionëve me rrjet Wi-Fi. Aktualisht pasagjerët e disa linjave ajrore eksperiemntale mund të dërgojnë email, të rezervojnë hotelin, të shohin video apo të bëjnë blerje duke përdorur internetin gjatë fluturimit.
Para pesë vjetësh, tre kompanitë më të mëdha kineze të aviacionit civil: Air China, China Southern Airlines dhe China Eastern Airlines nisën studimin për ofrimin e shërbimit Wi-Fi, gjatë fluturimit. Në këtë biznes momentalisht udhëheq kompania Air China. Pasagjerët në disa linja ajrore të kësaj kompanie mund të përdorin IPad ose laptop për blerje në platforma elektronike, të lexojnë lajmet në websitet e preferuara apo të përdorin rrjetet sociale.
"Pas çdo fluturimi me Wi-Fi, inxhinierët e miniblogut kinez Sina, duhet të kujdesen për mirëmbajtjen e sistemit të tyre në rrjetin e Air China-s", tha Geng Jinsong, drejtor i Zyrës së Projektit të Internetit të kësaj kompanie.
"Pasagjerëve u pëlqen më shumë të dërgojnë mesazhe në rrjetet sociale. Në momentin kur avionët ngrihen për fluturim apo bëjnë uljen në aeroport, ndonjëherë mesazhet e postuara mund të bllokojnë sistemin ", shton Geng, ndërsa flet për pasionin e pasagjerëve kinezë për rrjetet sociale.
Përveç website-ve të listuara, gjatë fluturimit udhëtarët mund të ndjekin dhe programet e tyre të preferuara që transmetohen drejtpërdrejtë. Më 3 shtator, pasagjerët e linjës ajrore CA1369, në destinacionin Pekin-Sanya ndoqën transmetimin e drejtpërdrejtë të paradës ushtarake në sheshin Tian'anmen, zhvilluar me rastin e 70 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
"Pasagjerët u habitën dhe u gëzuan jashtë mase pasi mësuan se nuk do të humbisnin paradën", tha Geng, krenar për realizimin e emisionit nëpërmjet sinjaleve radio-televizive.
Në fakt që nga viti 2010, Air China nisi punën për ofrimin e shërbimeve Wi-Fi. Aktualisht në 6 avionë të kësaj kompanie mund të përdoret interneti. Geng tha se rrjeti i brendshëm i internetit në aeroplan arrin deri në 30Mb, e barabartë me shpejtësinë në tokë të rrjetit 4G.
Nëse do të marrim si shembull avionin A330-300 të Airbus-it, në trupin e tij vendosen 6 projektorë të sinjaleve, ku secili përmbush kërkesat e 60 aparateve për t'u lidhur me internet, çka do të thotë se në një avion të tillë mbi 300 pasagjerë mund të lundrojnë njëkohësisht në internet.
Por, sinjali Wi-Fi në Air China ndryshon nga ai për telefoninë e lëvizshme në tokë.
Pasagjerët fillimisht duhet të futen në website-n e Air China-s për t'u lidhur me rrjetin e brendshëm ose atë kibernetik. Deri tani, Air China ka pajisur 22 aeroplanë me rrjetin Wi-Fi. 16 prej tyre lidhen nëpërmjet LAN në aeroplan dhe mund të shfrytëzojnë informacionet e rezervuara në bazën e të dhënave të pajisjeve të avionit, kurse 6 të tjera lidhen me sistemet si L-Band, Air-To-Ground(ATG), KU-Band që nënkupton lundrimin e pakufizuar në internet.
Sipas Yang Huiting, drejtor i Departamentit të Rrjetit Elektronik të kompanisë Air Media Group, L-Band dhe KU-Band funksionojnë nëpërmjet kanaleve satelitore të komunikimit, kurse ATG nëpërmjet pajisjeve të komunikimit të ndërtuara në tokë. "Por, sistemi ATG kërkon ndërtimin e një kulle në çdo 300 kilometra, çka është praktikisht e pamundur. Prandaj, Air China përdor më gjerësisht KU-Band e cila shfrytëzohet në mbarë botën", tha Yang.
Kurse, Wang Zibo, inxhinier i teknologjisë së komunikacionit satelitor në kompaninë Beijing Marine Communication&Navigation tha se çdo sistem ka edhe mangësi.
"Me L-Bandin, shpejtësia e internetit është kaq e ngadaltë, sa që nuk mund të plotësojë kërkesat e pasagjerëve. Por, KU-Band do të thotë çmim më i lartë përdorimi. Tani për tani ky shërbim është falas sepse është në fazën eksperimentale, por nuk besoj se kjo mund të vazhdojë për një kohë të gjatë sepse konsumatorët kinezë janë mësuar me shërbim falas Wi-Fi në restorante, hotele apo vende të tjera konsumi", tha Wang.
Geng Jinsong, drejtor i Zyrës së Projektit të Internetit të Air China-s tha se përcaktimi i çmimit të përdorimit të internetit në aeroplanet e kompanisë së tij mund të varet nga koha apo prurja e internetit. Kompanitë e aviacionit në botë e ofrojnë këtë shërmbim me çmime që variojnë nga disa dollarë për 1 minutë e deri në një orë.
"Megjithatë, mund të gjejmë rrugëzgjidhje për të ulur shpenzimet e pasagjerëve. Mund të gjejmë partnerë biznesi që kanë interes të fusin produktet apo aplikacionet e tyre në rrjetin tonë", shtoi Geng. Për të treguar epërsinë e këtij bashkëpunimi, Gengu paraqiti një shembull. Sipas tij një pasagjer ndonëse kishte kontrolluar postën elektronike gjatë fluturimit, kur mbërriti në tokë i arriti fatura prej 1200 dollarësh amerikanë.
Gengu tha se fillimisht nevojiteshin 15 ditë për pajisjen e avionit me rrjetin e brendshëm Wi-Fi, kurse tani kjo mund të kryhet brenda 3 ditëve. Gjithësesi Air China nuk mund të nisë përdorimin e Wi-Fi në të 500 aeroplanet e saj.
Sipas tij, kjo ka të bëjë me disa departamente të ndryshme qeveritare, duke përfshirë Ministrinë e Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit, Administratën e Aviacionit Civil, madje edhe Administratën Kombëtar të Radio-Film-Televizionit.
"Duhet të marrim miratimin e të gjitha departamenteve, gjë që do të kërkojë shumë kohë. Kjo ndodh sepse siguria e fluturimit është gjithmonë në vend të parë për të gjitha departamentet. Meqë eksperimentimi i këtij shërbimi nuk është kryer për një kohë të gjatë, na kërkohen shumë të dhëna për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe të aeroplanit, pas nisjes së përdorimit të internetit në avion", theksoi Geng.
Përdorimi i internetit në aeroplan ndoshta nuk është kërkesë e të gjithë pasagjerëve. Huang Jie është një punonjëse e Korporatës së Industrisë dhe të Shkencave Aeronautike që udhëton shpesh me avion. "Disa aeroplanë me të cilët udhëtoj ofrojnë shërbimin e internetit, por me kufizim të funksioneve. Prandaj më së shumti shoh ndonjë film të shkarkuar në kompjuter ose të thjesht çlodhem gjatë fluturimit", tha znj. Huang, duke shtuar se gjatë një udhëtimi pune ajo i kushton më shumë rëndësi çlodhjes se sa shërbimeve që ofrohen.