20151026kinasotkafei |
Tani në Kinë, gjithnjë e më shumë të rinj preferojnë të kenë një biznes të vetin. Ata nuk duan të punojnë pandërprerë si brezi i vjetër, por ëndërrojnë të provojnë sfidat e jetës, në vend të ndjekjes së një rruge me një mundësi deri në fund.
Një ndër ta është 33 vjeçari Zhao Tianwei, i cili para disa vjetësh hapi një bar në parkun Houhai, një ndër zonat më të pëlqyera turistike të Pekinit, plot bare dhe restorante në të dy anët e liqenit.
"Arsyeja e parë për hapjen e këtij bari është se më pëlqen kafeja, por kam dhe pasion gatimin. Mendoj se këto janë dy arsyet e para. Shumë miq të mi kanë të njejtat preferenca. Kjo punë më pëlqen dhe mund të kënaqë edhe të njohurit e mi, duke u ofruar një kënd takimi", tha Zhao.
Para hapjes së barit Zhao Tianwei punonte si redaktor në radio prej 7 vjetësh. Ai e braktisi profesionin për të ndjekur pasionin e tij. Shumë prej kolegëve të tij e quajtën një kapriço vendimin e Zhaos, por ai ishte këmbëngulës, pasi mendon se "jeta ka nevojë për ndryshim". Zhao mendon se të rinjtë duhet të guxojnë dhe të ndërmarrin më shumë nisma.
"Nuk jam penduar për këtë vendim. Isha 30 vjeç dhe mendova se jeta ime kishte nevojë për një ndryshim, pasi nuk isha shumë i lumtur. Doja sa më shumë ndryshime ", shtoi Zhao.
Prandaj, para tre vjetësh ai vendosi të hapte barin "Nevertheless" në Houhai. Çdo mesditë gjatë verës, klientët e tij kalojnë çaste të këndëshme, duke pirë kafe e duke shijuar bukurinë e liqenit të rrethuar me gjelbërim, në shoqërinë e flladit.
Zhao tha se për të realizuar ëndrrën u përball me shumë sfida. Ai kujton se si kërkonte një vend të përshtatëshëm për hapjen e biznesit të tij.
"Bënte shumë vapë në verën e vitit 2012. Kam udhëtuar në 6 distriktet e Pekinit. Me të mësuar lajmin për një vend të përshtatshëm që jepej me qira, u nisa menjëherë nga shtëpia. Kërkimi i lokalit të përshtatshëm zgjati 4 muaj. Më në fund e gjeta këtë vend dhe pastaj nisi dizenjimi, dekorimi, blerjet dhe shumë detaje të tjera. Më dukej sikur më kishin mbaruar të gjitha energjitë. ", tha Zhao.
Është normale që çdo biznes në fillimet e veta të hasë vështirësi. Por për Zhaon përgatitja e një kafeje të shijshme ishte një tjetër sfidë. Ai kujton se në të kaluarën, dinte vetëm të pinte dhe të njihte kafenë cilësore. Por kur ndërmorri këtë biznes, për Zhaon u bë e vështirë tërheqja e klientëve. Dukej gati-gati si "një mision i pamundur". Zhao nisi të provonte vetë përgatitjen e kafesë. Ai shkonte në bar që në mëngjes dhe niste të provonte. Kur kursente koston kafeja nuk ishte cilësore, ndaj një ditë për të arritur një rezultat të mirë Zhao piu 10 gota të mëdha me kafe.
"Provoja pandërprerë lloj -lloj kafesh, si dhe përbërësit e qumështit që i shtohen kafesë. Arrita të krijoj lloje të ndryshme kafesh. Mendoj se në rradhë të parë duhet të përgatis kafenë që më pëlqen më shumë dhe kështu do të shtohet numri i klientëve. ", tha Zhao.
Mungesa e kapitalit është problemi që shqetëson të gjithë nismëtarët e biznesit,ndaj dhe Zhao Tianwei nuk bën përjashtim. Në Houhai, qiraja është shumë më e lartë se në zonat e tjera. Në fillim, ai duhet të kursente çdo qindarkë. Koha më e vështirë për Zhaon ishte periudha e dimrit, pasi kishte hapur barin. "Ishte një ditë shumë e ftohtë. Dëbora binte papushim dhe në bar nuk kishte asnjë klient. Duke dëgjuar zhurmën që era e ftohtë përplaste pas derës, ndjehesha i zhgënjyer shumë kur kujtoja borxhet që kisha", tha Zhao .
Për të ulur koston, që nga dita e hapjes së barit, pronari i tij Zhao Tianwei kryen të gjitha detyrat, nga përgatitja e kafesë, e koktejleve, pastrimi madje dhe punë kamerier .
"Në botë jo çdo gjë ecën mbarë. Nuk është e lehtë të nisësh një biznes të ri. Isha i përgatitur ndaj e përballova me sukses kohën e vështirë", tha Zhao.
Pas tre vjetësh, shumë klientë të barit janë bërë miq të Zhao Tianweit. Ai kujton se disa studente universitare që do të largoheshin nga Pekini erdhën ta përshëndetnin pasi bari i tij ishte për to një ndër kujtimet më të bukura të qytetit, ku studjuan.
Znj. Chen është një kliente 69 vjeçare e barit dhe ajo shkon shpesh aty.
"Mendoj se Zhao nuk është tipi i biznesmenit që do vetëm të fitojë para. Bari i tij ngjan me një produkt kulturor. Nga dekorimet, shijet e pijeve, të akulloreve, ndjehet e veçanta e këtij bari. Përveç këtyre, ai është një djalë i sinqertë, me karakter të butë dhe të hapur. Edhe kjo më tërheq", tha ajo.
Në fakt, për Zhao Tianwei, kafeneja është jo vetëm vendi ku punon, por dhe një burim gëzimi. Kur sheh miqtë që kalojnë këndshëm këtu si në shtëpinë e tyre, ai kënaqet jashtë mase.
"Aktualisht kam vetëm këtë bar, por dëshiroj të hap dhe të tjerë. Do të jenë kënde të rehatshme ku bashkëqytetarët e mi të çlodhen pas punës dhe streseve të jetës", tha Zhao.