20151019Hotpot_2 |
Kina ka nivelin më të ulët të kriminalitetit në botë
Niveli i kriminalitetit në Kinë është më i ulët edhe se në Zvicës, një vend që njihet si ndër më të sigurtët në botë, njofton media kineze Southern Metropolis Daily.
"Niveli i kriminalitetit në Kinë në vitin 2014 ishte 0.7% për 100 mijë banorë, shumë më pozitiv se sa vendet e zhvilluara si SHBA-ja, Britania e Madhe apo Franca.", thekson Meng Jianzhu, kryetar i Komisionit për Politikat dhe çeshtjet ligjore i KQ të PKK-së, gjatë një konference të mbajtur në Dalian të provincës Liaoning.
Vitet e fundit në Kinë është shënuar një rënie e ndjeshme e veprave penale si plaçkitje, përdhunime, vrasje etj, shton Meng.
Nëse i referohemi të dhënave të Byrosë së Sigurisë Publike mësojmë se në periudhën janar-mars të këtij viti numri i veprave penale ka shënuar një rënie prej 15.6%. Sipas Meng në një vend me popullsinë më të madhe në botë dhe me një sipërfaqe të madhe, si Kina janë bërë përpjekje shumë të mëdha për të ruajtur nivelin pozitiv të rendit dhe qetësisë publike.
Ai shton ndër të tjera se numrin më të madh të veprave penale në ditët tona e përbëjnë ato të kryera përmes internetit, si mashtrimet tregtare, skemat piramidale online apo cënimi I privatësisë.
Gjatë fjalës në konferencë Meng i kërkoi departamenteve të sigurisë publike të krijojnë "stacionet policore online",për të parandaluar vepra penale si trafikimi i drogave online etj.
Ndër vendet europiane, Gjermania dhe Zvicra kanë një shkallë të ulë[t të vrasjeve në 0.7%, ndërsa India e ka 3.3%, SHBA-ja 3.8%, Rusia 9.0 % dhe Brazili 26.6 % .
Mbrojtja e pemës së lashtë
Në qytetin Xiangyang të provincës Hubei po kryhen punime restauruese në rrugë dhe sipas medias Chutian Metropolis Daily autoritetet vendore kanë krijuar kushte për mbrojtjen e një peme të lashtë.
Mësohet se pema ka një moshë 323 vjeçare dhe për ta ruajtur nga uji apo dëmtime të tjera është spostuar nga vendi ku ishte mbjellë duke e ruajtur në një terren toke artificial. Masat e marra për shpëtimin e pemës së lashtë nga dëmtimi kanë kushtuar 4 milion yuan ose 627.200 dollarë amerikanë. Mbrojtja e pemës së lashtë tregon përgjegjësinë e përfaqësuesve vendorë për ruajtjen e mjedisit urban, por një ndihmesë të madhe për këtë kanë dhënë dhe banorët e qytetit Xiangyang.
Çiftet e bardha
22 çifte të moshuarish nga qyteti Yiwu i provincës Zhejiang në kujdesin e autoriteteve vendore kanë qenë protagonistë të ceremonisë së martesës . 21 nga këto çifte kishin 60 vjet martesë ndërsa njëri 50 vjet martesë. Bashkëshortët janë të gjithë ish kuadro të ushtrisë apo të pushtetit vendor.
Asnjeri nga këto çifte nuk kishte bërë foto gjatë martesës, ndaj përfaqësuesit e pushtetit vendor vendosën tu bënin një dhuratë të këndëshme. Në ceremoni ishin të ftuar fotografë profesionistë të cilët u dhuruan çifteve të të moshuarve të qytetit një kujtim të ëmbël të bashkëjetesës së tyre të lumtur.
Pasioni për akrobacinë
Në fshatin Chenqiao të kontesë Yingshang në provincën kineze Anhui ndodhet një shkollë akrobacie e krijuar me passion në oborrin e një shtëpie. Nismëtarët e kësaj shkolle të veçantë është 48 vjeçarja Song Yujiao e cila e nis ditën me zgjimin e nxënësve të saj, të cilët të përgjumur nisin ushtrimet akrobatike.
Song dhe bashkëshorti i saj Miao Honghu,kanë qenë akrobatë por me kalimin e viteve ata nuk mund të performonin më ndaj para 7 vjetësh u lindi mendimi për krijimin e një shkolle akrobacie.
"Industria e spektakleve vitet e fundit është rritur mjaft dhe këtë e tregon fakti që rritet dita ditës numri I fëmijëve dhe të rinjve që duan të mësojnë akrobacinë. Kjo mjeshtëri po transmetohet brez pas brezi" tregon Miao. Madje edhe djali e vajza e çiftit të akrobatëve e kanë trashëguar një pasion të tillë të cilin ua kanë përcjellë dhe nipit të vogël 5 vjeçar të kësaj familjeje.
Pas një trajnimi që zgjat 3 orë nxënësit bëjnë një orë pushim për ngrënien e mëngjesit dhe pastaj vazhdojnë trajnimin. Kushtet e jetesës së çiftit të aktobatëve nuk janë mjaft të mira, ndaj në një dhomë ata kanë akomoduar 20 nxënës. Pavarësisht se kjo është një shkollë e thjeshtë në të mësojnë akrobaci 100 nxënës të ardhur nga provincat Anhui, Henan dhe Shandong. Mosha mesatare e nxënësve varion nga 4 deri në 40 vjeç.
Madje e veçanta e pjesmarrjes në kurset e akrobacisë është se vijnë dhe familje për të mësuar këtë art të lashtë. Kështu 30 vjeçari Fan Guangrong, e frekuenton shkollën bashkë me gruan dhe 2 fëmijët e tij dhe ata kanë ardhur nga Yongcheng, i provincës Henan. Ky çift ushtron akrobacinë në ceremoni dasmash në fshtatin e tyre dhe kjo është hera e dytë që ndjekin kurset e shkollës së akrobacisë.
Lidhur me këtë biznes të ri familjar Fan tregon për median kineze se së bashku me gruan ata performojnë në dasma dhe për çdo shfaqje paguhen me 500 yuan (rreth 90 dollarë). Fan mendon se kjo punë është më e bukur dhe më fitimprurëse se sa të largohesh nga fshati i lindjes për të kryer punë krahu në qytetet e mëdha. (Eda Merepeza)