20150922Hotpot02 |
Përhapja e operacioneve plastike dhe varësia ndaj tyre
Operacionet plastike janë një temë e cila ka prekur pothuajse të gjitha shoqëritë, por dhe individët. Duke ndjekur artistët apo yjet botës së spektaklit, kryesisht të rinjtë por jo vetëm ata dekadat e fundit e kanë shtuar interesin e tyre për ndryshimin e pamjes fizike. Ndërhyrjet kirurgjikale kryesisht kryhen në fytyrë ku ndryshohet forma apo madhësia e hundës, hiqen qeskat e syve, ndryshohet forma e mollëzave të faqeve apo e mjekrës, fryhen buzot dhe ndryshohen veshët apo harku i vetullave. Në moshat e mesme nisin ndryshimet për heqjen e rrudhave dhe tendosjen e lëkurës duke kryer botox apo lifting. Duhet theksuar se objekt i këtyre ndërhyrjeve nuk janë vetëm femrat por edhe meshkujt, ndonëse rekordin e shënojnë gjithësesi femrat. Përvez fytyrës ndërhyrjet kryhen dhe në pjesë të ndryshme të trupit, ku tek femrat synohet rritja e numrit të gjoksit, heqja e shtresave dhjamore në pjesën e barkut, modelimi i vitheve apo i krahëve. Të gjitha këto kanë koston e tyre ekonomike dhe për ata që nuk ua mban xhepi, kryerja e një ndërhyrje të tillë estetike, ose e thënë thjesht "për qef" ndikon shumë në buxhet.
Por rezultati i ndërhyrjeve plastike në fytyrë apo trup jo gjithmonë është i suksesshëm. Madje ka patur shumë raste kur VIP-at janë transformuar për keq dhe kanë nisur proceset gjyqësore ndaj kirurgëve plastikë apo klinikave që kryejnë këto ndërhyrje.
Kina nuk përjashtohet nga kjo dukuri mbarëbotërore. Përveç operacioneve plastike që kryhen kudo, por në masë më të madhe në metropolet kineze, shumë te reja apo të rinj i kryejnë ato edhe jashtë vendin kryesisht në Korenë e Jugut. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria jugkoreane e Shëndetit dhe Mirëqenies, vetëm në vitin 2013, vendi ka pritur gati 210 mijë "turistë mjekësorë" për operacione plastike. Ndër ta, turistët kinezë zënë vendin e parë, duke kaluar mbi 1/4 e numrit të përgjithshëm. Mirëpo, mjekët e paliçensuar, operacionet të shtrenjta por me cilësi të dobët, shërbimet ilegale ndërmjetëse, kanë ndikuar në fatkeqësitë e sipërpërmendura. Sipas njoftimeve, në Korenë e Jugut funksionojnë mbi 20 mijë qendra që merren me operacione plastike. Ndërsa, shifrat nga shoqata jugkoreane profesioniste në estetikën kirurgjikale thonë se vetëm 1500 prej tyre janë me liçencë dhe se vetëm 2.1 mijë mjekë janë regjistruar me dokumente zyrtare si kirurgë plastikë. Megjithë mosrealizimet në këtë drejtim, shumica e tyre nuk dëmtohen nga paditë, pasi në klinikat private nuk ka marrëveshje. Prandaj pacientët e dëmtuar nuk mund të përdorin të drejtat e tyre ligjore.
Kohët e fundit janë shtuar rastet e të pakënaqurve nga ndërhyrjet plastike dhe si pasojë e tyre të rinjtë kanë rënë në depresion, por ka patur dhe reagime ekstreme deri në vetëvrasje.
Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë kinezë kanë krijuar "varësi " ndaj operacioneve plastike. Për ta, kjo është rruga më e shpejtë për t'u bërë më tërheqës. Por, sipas psikologëve, një varësi e tillë është një çrregullim psikologjik.
Yu kërkon pamjen e dikurëshme
Yu Lu është një 25 vjeçare nga province kineze Shandong e cila ka tentuar vetëvrasjen për shkak të transformimit që ka pësuar fytyra e saj pas disa operacioneve plastike.
Yu shpenzoi rreth 30,000 yuan (ose 4,711 dollarë amerikanë) prillin e kaluar për qeskat e syve, zvogëlimin e hundës dhe një tjetër ndërhyrje në pjesën e syve, si dhe botox. Por 4 muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale, kur Yu u pa në pasqyrë, nuk e pëlqeu aspak fytyrën e saj të re. Në një rrëfim për median kineze Yu ka thënë se ka lëkurë të tendosur, sy dhe hundë të ndryshuar por nuk i pëlqen vetja, pasi i duket portreti i saj si një maskë. Yu madje ka shtuar se fytyra e saj nuk ka ruajtur asnjë karakteristikë.
Ndonëse kjo vajzë e re kineze ka kryer ndërhyrjet plastike në fytyrë për tu bërë më e bukur dhe më tërheqëse, i fejuari i saj e ka lënë menjëherë pas operacionit. Yu ka pësuar një gotitje të rëndë emocionale për shkak të operacionit plastik, aq sa nuk del nga shtëpia dhe madje kërkon ta kthejë fytyrën e saj ashtu siç e kishte më pare.
Yu ashtu si dhe të tjerë kinezë janë penduar shumë pas operacioneve plastike që kanë kryer me synim përmirësimin e pamjes së tyre të jashtme. Disa prej tyre kanë kryer një tjetër operacion plastik për të përmirësuar pamjen e tjetërsuar.
Opinioni i specialistit
Në një artikull të botuar në revistën "Life Times" muajin e kaluar nga Ma Jiguang, drejtor i Departamentit VIP pranë Spitalit të Kirurgjisë Plastike në Pekin, që është një nga qendrat më të njohura të kirurgjisë plastike në Kinë, 30-40% të pacientëve janë rikthyer në spital për të riparuar "gabimet" e ndërhyrjeve plastike. Sipas zotit Ma pjesa më e madhe e pacientëve dëshirojnë të ndryshojnë pikërisht pamjen jonatyrale që u ka shkaktuar operacioni plastik.
Nëse do të shohim një foto të të resë kineze Yu të botuar në "Metropolitan" mund të themi se ajo nuk ka patur fare nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në fytyrën e saj të bukur. E shqetësuar vetë vajza thotë se pas ndërhyrjes sytë i duken shumë të mëdhenj krahasuar me fytyrën e vogël dhe madje ajo ka krijuar përshtypjen se duke humbur tiparet e saj dalluese, tashmë duket si një fytyrë-gjarpër.
Cao Jiwu është president i Spitalit të Kirurgjisë Plastike dhe Estetike Huamei, në Guiyang, të provincës Guizhou. Sipas tij 15-20% e pacientëve janë rikthyer për të korrigjuar gabimet e operacionit plastic.
3-5% e pacientëve duan të rifitojnë pamjen e tyre natyrale, kurse pjesa tjetër pas operacionit plastic kanë pësuar dëmtime të tipareve dhe nuk pëlqejnë pamjen e re për të cilën kanë paguar shtrenjtë. Cao tregon se shumica e vajzave që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale plastike janë të bukura, por duan të ndjekin modën e pamjes së jashtme të artisteve apo modeleve të njohura të kohës. Madje ai thotë se shumë prej tyre zgjedhin si model ndryshimi të portretit aktoret koreane. Nga ana tjetër Cao nënvizon se jo të gjitha operacionet plastike mund të korrigjohen, për shkak të ndryshimit të structures kockore dhe se nëse i kryen ndryshimet ato mund të shkaktojnë dëme edhe më të mëdha.
Sipas një vëzhgimi të kryer nga portali sina.com në prill të këtij viti, 69% e 520 të anketuarve thonë se janë kundër operacioneve plastike dhe i quajtë ato të panevojshme.
Ndërsa në një raport të "American Medical Journal" të muajit të kaluar theksohet se arsyeja përse njerëzit nuk pëlqejnë operacionet plastike është se në mënyrë të pavetëdijshme gjykojnë të tjerët që mendojnë se janë të bukur me këto ndërhyrje.
Hai Ling, psikolog i Qendrës Jinxin jep një tjetër arësye përe njerëzit nuk i pëlqejnë ndërhyrjet kirurgjikale plastike. Sipas tij rezultati i operacioneve plastike tregon dike që nuk është i kënaqur me veten. Nëse një person nuk ka vetëvlerësim,atëhere të tjerët do të reagojnë negativisht ndaj tij.
Gazetarët e agjencisë Xinhua intervistuan muajt e fundit 207 studentë në universitet e Pekinit, Tianjinit dhe Nankinit. Mbi 16% e pjesëmarrësve u shprehën se kishin menduar për riformimin e fytyrës dhe mbi 93% e të intervistuarve ishin dakord se njerëzit më të bukur kanë më shumë shance në karrierë dhe edukim.
Gati 60% e klientëve të klinikave private janë studentë të shkollave të larta, deklaroi për median një specialisti operacioneve plastike në Shangai. Sipas tij, jo vetëm vajzat studente, por prirja e "përmirësimit të vogël fizik" shihet dhe te djemtë kinezë. Të dhënat tregojnë se gati 10% e të rinjve që operacione plastike janë të rinj universitarë.(Eda Merepeza)