20150907Hotpot2 |
Shkelësit e trafikut "dënohen" me kapele jeshile
"Kurrë mos vendos një kapele jeshile në Kinë!". Ky është një supersticion i disa kinezëve sipas të cilëve kapelja jeshile e mbajtur në kokë nga burrat sjell ters.Por banorët e qytetit Luohu të provincës Shenzhen kanë përdorur pikërisht këtë bestytni për të "dënuar" shkelësit e trafikut, raporton Western China Metropolis Daily.
Kjo ide lindi pasi u publikua lajmi se në gjashtëmujorin e parë të vitit 127 mijë drejtues automjeti kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Mosha e shkelësve të trafikut është nga 18-30 vjeç. Kjo është një fushatë sensibilizuese pasi policia rrugore kryen detyrën e saj duke gjobitur shkelësit e rregullave të trafikut.
Larg vapës në një kështjellë akulli
Kur në muajin gusht në qytetin kinez Chongqing u shpall alarmi portokalli për temperaturat e larta banorët e tij gjetën një mënyrë shumë origjinale dhe të dobishme për të shpëtuar nga vapa.
Sipas Chinanews.com shumë banorë të këtij qyteti u strehuan në një "kështjellë akulli dhe dëbore" e quajtur "Përralla prej dë bore". Kjo është një qendër çlodhëse në një sipërfaqe prej 2.500 metra katrorë, brenda së cilës temperatura është -10 gradë celsius ndërkohë që në ambjentet e jashtme termometri shënonte 40 gradë. Duke qëndruar brenda kësaj kështjelle të akullt vizitorët luanin mahjong, poker,por shumë prej tyre bënin patinazh dhe lojra të tjera në akull.
Aventurë dashurie
Dashuria e një çifti mund të shprehet në mënyra nga më të ndryshmet. Por kinezi 27 vjeçar Ding Yizhou vendosi që bashkë me të dashurën e tij 28 vjeçare Lai Ming të bënin një udhëtim në mbarë Kinën. Asgjë e veçantë nuk duket në këtë histori, nëse nuk shtojmë se vajza e re vuan nga një sëmundje e lindur që e ka lënë atë të paralizuar në një karrocë me rrota. Kjo nuk e ka penguar aspak të dashurin e saj Ding të ndërmerrte një udhëtim me motoçikletë nga qyteti i tyre i lindjes Liuzhou i Rajonit Autonom Guanxi. Ding e vendosi karrocën me rrota të Lait në koshin e motoçikletës. Dashuria e këtij çifti ka lindur që në shkollën fillore kur mësonin në të njejtën klasë. Por ata nisën të njiheshin më mirë dhe të ndjenin dashuri për njeri tjetrin pas një mesazhi që Lai postoi në rrjetin kinez të mesazheve QQ, ku shkruante se "Do të dëshironte të takonte miqtë e saj para se të vdiste". I lidhur me një dashuri pa kushte me këtpë vajzë Ding shpenzoi të gjitha kursimet e tij për të ndihmuar në trajtimin mjekësor të Lait, por gjendja e saj vetëm keqësohej. Gjatë një bisede një dita vajza i tha të dashurit se ajo do të dëshironte që me një kamera të filmonte një udhëtim rretheqark Kinës. Pikërisht kjo dëshirë e saj ndikoi në idenë e Dingut për të vizituar së bashku atdheun. Nëntorin e kaluar Dingu nisi përgatitjet duke shpenzuar 16 ditë për përshtatjen e karrocës me rrota të Lait që të vendosej lehtësisht në motoçikletën e tij. Madje bëri dhe përshtatje të tjera të automjetit të vetëm duke vendosur çadër, vend për ushqimin dhe lehtësi të tjera për një udhëtim të gjatë. Udhëtimi i dy të dashuruarve nisi me 200 yuanë (32 dollarë). Dingu mendonte se lekët nuk ishin kryesoret për këtë udhëtim, pasi kishte vendosur që të ndalej e të kryente punë ditore, për të fituar paratë e nevojshme. Dingu punoi në kontenë Wuxuan por dhe në ndalesa të tjera gjatë udhëtimit. Ndërkohë vështirësi të shumta i dolën çiftit gjatë udhëtimit, sidomos me karrigen me rrota të Lait. Gjatë udhëtimit nuk u është ndarë për asnjë qeni, një nga miqtë e tyre të dashur.
Jetojmë në erën dixhitale dhe Dingu postonte herë pas here në rrjetet sociale foto nga udhëtimi i tij me të dashurën. Kjo mënyrë rezultoi fantastike për të rinjtë në vështirësi. Nga përdoruesit e rrjeteve sociale u mblodh në formë ndihme një shumë prej 12 mijë yuanësh, afro 2 mijë dollarë si dhe u dhuruan një biçikletë elektrike. Pas këtyre dhurimeve Dingu tha se nuk pranonte më para pavarësisht dashamirësisë së tyre, pasi kjo ishte ëndrra e tij për të bërë të lumtur të dashurën Lai. Çifti vazhdon udhëtimin nga Nanning, në Guangxi të provincës Yunnan, por ëndrra e tyre është të arrijnë në Tibet,ndonëse kushtet shëndetësore të Lait mund të mos e përballojnë udhëtimin në lartësitë mni 4 mijë metra mbi nivelin e detit. Ata janë të varfër, por të dashuruar dhe të lumtur. (Eda Merepeza)