PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Një gëlltitje e botës
2015-09-07 17:18:01 CRI Komenti juaj Printoni

Krahas zhvillimit ekonomik, konsumatorët kinezë po i kushtojnë vëmendje më të madhe cilësisë dhe shumëllojshmërisë së ushqimeve. Me këtë rast prodhimet e importit gjejnë një super treg në Kinë. Sipas të dhënave statistikore, nga viti 2010 deri në vitin 2013, vëllimi i mishrave, i frutave të detit, qumështit dhe i perimeve që Kina importoi nga ShBA-ja është dyfishuar, deri në 3.4 miliardë dollarë amerikanë në vit.

Ndërkohë, konsumatorët kinezë janë të interesuar për blerjen e të importuarave në platforma elektronike. Me disa klikime në kompjuter apo smartfon, karavidhja nga Australia dhe produktet e mishit nga Europa mund të mbërrijnë me postë të shpejtë drejt e në shtëpinë e klientit kinez.

Kohët e fundit, dy gjigantët e blerjeve online JD.com dhe Tmall të Alibaba-së nisën një konkurrence të ashpër në nënshkrimin e kontratave me sa më shumë prodhues të huaj për shitjen e produkteve të tyre në platformat e veta. Në të kaluarën, "lufta" mes tyre ishte fokusuar kryesisht për qumështin për foshnja, veshje luksoze dhe kozmetikë. Kurse, kohët e fundit beteja është orientuar drejt prodhimeve të freskëta të mishit dhe frutave të detit.

Rritja e kërkesës për këto produkte ushqimore përballet me një sistem të ndërlikuar logjistik sepse në tërë procesin, mishi dhe frutat e detit duhet të transportohen dhe shpërndahen në temperaturë të ulët. Çdo vonesë mund të ulë cilësinë dhe freskinë e këtyre produkteve "të ndjeshme".

Më herët në prill, JD.com hapi një hapsirë të re në uebsitin e vet për shitjen e posaçme të mallrave nga Franca, Koreja e Jugut, Zejlanda e Re, ShBA-ja dhe Kanadaja. Kurse marka e Alibaba-së, Tmall që merret me shitjen në internet nisi në fillim të këtij viti shitjen e produkteve të importuara ushqimore dhe zgjeroi më shumë territorin e tyre muajt e fundit .

Jo vetëm kaq, pothuajse në të njëjtën kohë, uebsiti yihaodian.com me mbështetjen e gjigantit botëror të supermarketeve Walmart filloi ofrimin e produkteve nga vende të ndryshme. Në këtë platformë mund të gjesh sa të duash durian nga Tajlanda apo karkaleca nga Argjentina.

Jo vetëm këto kompani kineze, por edhe shitësit ndërkombëtarë në internet po shpejtojnë të zënë tregun kinez. Përveç uebsitit të vet, Amazoni ka krijuar një depo të madhe në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait dhe një dyqan të veçantë në platformën Tmall. Grosisti amerikan Costco ka edhe një dyqan në Tmall, ndërsa rivali i tij eBay shpalli bashkëpunimin me JD.com për shitjen e produkteve të importuara. Dyqanet online të markës japoneze Rakuten kanë publikuar uebsajtin e tyre në gjuhën kineze ku pranohen pagesat me kartat e të gjitha bankave kineze dhe Alipay, shërbimi më i përdorur në internet në Kinë.

"Kompanitë e huaja kanë mësuar zakonet e konsumit të kinezëve. Bashkëpunimi me shitësit më të fuqishëm vendorë në internet mund t'i ndihmojë të shesin produktet më shpejt dhe me kosto më të ulët", u shpreh ambasadori kanadez në Kinë, Guy Saint-Jacques, i pranishëm në ceremoninën e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis JD.com dhe ministrisë kanadeze të bujqësisë.

Sipas tij, Kanada-ja sheh mundësi të madhe zhvillimi të tregut kinez. Sipas të dhënave statistikore, konsumatorët kinezë shpenzuan vjet 690 miliardë dollarë amerikanë në blerjet në internet.

Ndërkohë , përveç importimit, prodhuesit kinezë po nxiten edhe të blejnë ndërmarrje të huaja për prodhim të ushqimit, duke shfaqur interes të madh jo vetëm për tregun e brendshëm por edhe atë të huaj.

Gazeta britanike "Financial Times" në një artikull të saj thekson se ndër të gjitha investimet jashtë vendit që firmat kineze bënë në gjysmën e parë të vitit më të pëlqyerat janë ato të kompanive ushqimore dhe të energjetikës. Sipas artikullit, arsyeja kryesore e rritjes së blerjes së këtyre kompanive është ndryshimi i modelit të zhvillimit ekonomik të Kinës. "Motivi kryesor i zhvillimit ekonomik të Kinës po ndryshon nga eksportimi në konsumim", njoftoi "Financial Times".

Kurse në një raport të Bankës Botërore mbi ndryshimin e strukturës së konsumit të ushqimit në Kinë nënvizohet se në bazë të zhvillimit të shpejtë në 30 vitet e kaluar është përmirësuar cilësia e ushqimit të kinezëve. "Në 20 vitet e ardhshëm pritet të rritet shpejt konsumi ushqimor i kinezëve. Sidomos në 10 vitet e ardhshëm, kjo shpejtësi do të jetë në nivel të lartë", thekson raporti i Bankës Botërore.

Z. Yang Zhizhong, drejtor ekzekutiv në Kinë i kompanisë më të madhe japoneze të letrave me vlerë "Nomura" u shpreh se shtresa e mesme e shoqërisë kineze po pasurohet. "Ata kanë edhe kërkesë më të lartë për ushqim të shumëllojshëm. Ndërsa, me mbështetje të mjaftueshme kapitale, kompanitë kineze synojnë të blejnë direkt prodhuesit sesa të mjaftohen vetëm me përfitimet e importit ", tha z. Yang.

Sivjet, një ndër kompanitë më të fuqishme kineze të tregtimit të drithërave COFCO bleu me 1.5 miliard dollarë amerikanë një pjesë aksionesh të korporatës së njohur singapore "Noble Group", duke krijuar një firmë me investim të përbashkët për tregtimin e sheqerit, fasuleve, grurit etj.

Ndërsa, "Brightfood" nga Shangai bleu me 1.2 paundë markën e njohur britanike për prodhimin e ushqimeve të mëngjesit "Weetabix", me afro 1 miliardë dollarë amerikanë, duke fituar të drejtën e kontrollit të kompanisë izrealite "Tnuva" që njihet për zhvillimin e bujqësisë moderne.

Korporata "Fosun" bleu 20% të aksioneve të "Osborne-s", një ndër prodhuesit më të njohur spanjollë të proshutave dhe pijeve alkoolike. Kurse në vitin 2013, me 7 miliardë dollarë amerikanë investim, "Shuanghui International" u bë pronare e markës amerikane "Smithfield Foods" të prodhimeve të mishit.

 Disa kompani kanë avancuar më shumë. Vitin e kaluar korporata kineze Yili krijoi qendrën studimore me Universitetin hollandez Wageningen për prodhimin e produkteve të qumështit. Para krijimit të qendrës studimore, Yili ka investuar në Zelandë të Re, ShBA dhe Itali për të zgjeruar aftësinë e prodhimit. Sipas një përgjegjësi të kësaj qendre, studjuesit do të përqendrohen kryesisht te rritja e lopëve, produktet e qumështit dhe siguria ushqimore.

Krahas rritjes së kërkesës së brendshme, pritet që më shumë kompani kineze të përparojnë për t'u ofruar konsumatorëve ushqim të shumëllojshëm.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China