20150831kinasot |
Zgjidhja e problemit të ushqimit dhe veshmbathjes së një popullsie prej 1.3 miliard banorësh është një ndër kontributet më të mëdha që ka dhënë Kina. Por me përmirësimin e kushteve të jetesës evidentohen dhe problemet e para.
Sipas një raporti të publikuar kohët e fundit mbi nivelin e të ushqyerit të popullsisë në Kinë, theksohet se ushqyerja e fëmijëve është në nivelet e duhura, por po rritet numri i fëmijëve obezë. Rezultatet e sondazhit në raportin mbi peshën e fëmijëve që jetojnë në qytet tregon se nga viti 1982 deri në vitin 2010, përqindja e djemve obezë u rrit nga më pak se 1% deri në 10%, pra dhjetë herë më shumë. Ndërsa për vajzat, kjo shifër u rrit nga 0.2% deri në 6%. Njëkohësisht 41% e fëmijëve mbipeshë vuajnë nga presioni i lartë i gjakut, një sëmundje që zakonisht prek njerëzit e moshës së mesme.
Adoleshentët kinezë po hanë më shumë, por po bëjnë më pak stërvitje fizike, gjë që shkakton rreziqe të mëdha të prekjes së tyre nga sëmundjet kronike.
Në korrik pas përfundimit të semestrit shkollor prindërit e nxënësve të Shkollës Fillore Mofan të qytetit Tianjin nisën të zgjedhin kurset jashtë shkollore, ku fëmijët e tyre do të pushojnë 6 javë. Këto kurse fokusohen te veprimtaritë artistike, lojrat e ndryshme sportive, kurset e anglishtes, të matematikës etj, pasi prindërit synojnë që fëmijët e tyre të kenë aftësi më të mira konkurruese në të ardhmen, në shkollë apo shoqëri.
Yue Lini është babai i një nxënësi të klasës së tretë të kësaj shkolle i cili më shumë se sa për kurset jashtëshkollore interesohet për shëndetin e të birit obez. Djali i tij 10 vjeçar me gjatësi 1.3 metër peshon 60 kg. Gjatë një kontrolli mjekësor i konfirmuan se vuan dhe nga presioni i lartë i gjakut. Por djali i Yue-së nuk është një rast i vetëm. Gjithnjë e më shumë fëmijë kinezë po vuajnë nga sëmundjet kronike. Nga një sondazh i kryer vitin e kaluar nga Byroja e Shëndetësisë e Pekinit del se ndër të anketuarit nga 6 deri në 18 vjeç, 10% vuajnë nga presioni i lartë i gjakut dhe 10% janë obezë, një nivel 2 herë më i lartë se në vitin 2000.
Ndërsa në një raport të publikuar vjet nga Qendra e Shëndetit të Fëmijëve dhe të Grave e qytetit Tianjin, të Kinës Veriore tregon se 7% e fëmijëve të anketuar deri në moshën 6 vjetçare kanë presion të lartë të gjakut. 50 mijë fëmijë të 654 kopshteve të këtij qyteti kishin nivelin e yndyrës në gjak gati 10% më të lartë se niveli normal.
Sipas ekspertit Ma Guansheng, zv.drejtor i Instutitit të Ushqimit dhe Sigurisë Ushqimore, pranë Qendrës Kombëtare për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ndryshimi i strukturës ushqimore është një ndër shkaqet e obezitetit tek fëmijët. Rritja e obezitetit tek fëmijët në qytet është shtuar dhe si pasojë e konsumit të ushqimeve në fast-food. Në një raport të publikuar nga ky Institut tregohet se ndër katër qytetet ku është kryer sondazhi, mbi 16% e fëmijëve hanë katër herë ose më shumë gjatë javës në fast-food, shifër kjo e cila në vitin 1998 ishte vetëm 1.9%. "Sipas kontrollit, ata që hanë 4 herë në javë ushqim në fast-food kanë më shumë prirje për obezitet", thotë mjeku Ma.
Sëmundjet kronike si ato kardiake, të sistemit frymëmarrës, kanceri dhe diabeti po bëhen arsyet kryesore të vdekshmërisë globale. Një raport i Bankës Botërore tregon se numri i kinezëve të prekur nga këto sëmundje "jongjitëse" ka arritur në 260 milionë, që i korrespondojnë 85% të numrit të vdekjeve në Kinë.
Sipas Mao Zhengzhong, zv.drejtor i Shoqatës së Sigurimeve Shëndetësore të Kinës, nga viti 2000 deri në vitin 2009, është trefishuar kostoja e kujdesit mjekësor ndaj sëmundjeve kronike. Kurse, 1 ndër 6 kinezë rrezikohet të preket nga një sëmundje kronike.
Më 1 korrik, Komisioni Kombëtar për Shëndetësi dhe Planifikimin Familjar publikoi një raport ku tregon se kur fëmijët shtojnë në peshë ata pakësojnë lëvizjet. Sipas raportit, në vitin 2012, mbi 81% e fëmijëve kinezë nuk kryenin mjaftueshëm stërvitje fizike.
Për të kontrolluar peshën e fëmijëve, këtë verë, shumë prindër i kanë dërguar vajzat e djemtë në kampingje të veçanta për rënie nga pesha. Sipas mediave të Shangait, numri i pjesmarrësve në këto kampe është rritur 50%.
Programi i Kampit Veror Dianfeng këtë sezon ka përfshirë 360 adoleshentë. Gjatë një periudhe 28 ditore ata do të jetojnë në kamp duke kryer çdo ditë 4 orë stërvitje fizike si basketboll, aerobi, vrapim etj.
Sipas parashikimit të Kampit pas 4 javësh, të rinjtë pritet të humbasin mesatarisht 10% të peshës së tyre trupore. Por, sivjet, numri i pjesmarrësve në kamp që vuajnë nga obeziteti është rritur 20%, duke arritur një nivel "kritik". Sipas një përgjegjësi të kampit, adoleshenti me peshën më të madhe është një 17 vjeçar 150 kilogramë, i prekur nga diabeti, presioni i lartë i gjakut, niveli i lartë i yndyrnave dhe sheqerit në gjak.
Por, ekspertët vënë në dukje se ulja e peshës nëpërmjet stërvitjes në një kohë të shkurtër nuk mund të ketë efekt afatgjatë. Nëse ata rikthehen në stilin e mëparshëm të jetës, pesha e tyre do të rritet sërish. Profesori i fiziologjisë sportive i Institutit të Sportit të Shangait, Chen Wenhe thotë se mënyra më e mirë e kontrollit të peshës së trupit është aktiviteti i vazhdueshëm sportiv me intensitet të ulët ose të mesëm duke praktikuar sporte si noti, badmintoni, veglat e ndryshme në salla fitnesi etj. Sipas tij pas kampit, nëse pesha e fëmijëve rritet sërish, prindërit janë përgjegjës për këtë.
Eksperti Chen thotë se shumica e rasteve të obesitetit ka të bëjë me familjen. Shumë prindër, që kanë stres të lartë në punë, nuk kanë kohë për tu kujdesur për fëmijët. Në Kinë, ky problem bëhet dhe më i madh pasi gjyshërit zakonisht merren me rritjen e brezit të tretë. Ata përpiqen të plotësojnë çdo kërkesë të nipërve dhe mbesave dhe janë të mendimit se fëmijët topolakë tregojnë shëndetin e mirë. Por eksperti Chen nuk kursen kritikat as për jetën shkollore. "Sipas një sondazhi, vetëm 20% e nxënësve stërviten pas shkollës ose në pushim. Por për shkak të detyrave të shumta dhe konkurseve në studime ata nuk kanë kohë për më shumë stërvitje. Klasat e kulturës fizike në shkollë nuk realizohen në orare të përshtatëshme dhe shpesh në vitin e fundit të diplomimit zëvendësohen nga lëndët e tjera", tha Chen.
Sipas tij dy janë faktorët e rëndësishëm për rënien nga pesha të obezëve. "Së pari, ushqimi i fëmijëve duhet të jetë i shumëllojshëm, i pasur në vitamina. Ata duhet të hanë më pak karbohidrate si sheqer etj., dhe yndyrna. Produktet prej soje dhe mishi pa yndyrë janë burime të mira për proteina. Për ata që kanë shumë oreks këshillohet të konsumojnë një supë pa shumë kalori dhe të përtypin ngadalë ushqimin. Së dyti eksperti i fiziologjisë sportive Chan këshillon që fëmijët obezë duhet të shtojnë stërvitjen fizike. "