PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Një prirje e re për arsimimin e fëmijëve kinezë jashtë vendit
2015-08-24 14:42:18 CRI Komenti juaj Printoni

Një prirje e re e kohëve të fundit në Kinë është dërgimi i fëmijëve për të studjuar jashtë vendit që në moshën parashkollore. Kryesisht brezi i ri i prindërve intelektualë në metropolet kineze duke dashur të kenë fëmijë me një nivel sa më të lartë arsimor, por më së shumti njohje të gjuhës angleze në moshë të re ndërmarrin nisma personale në këtë drejtim. Janë të shumta rastet kur nëna e një parashkollori me një vizë 6 mujore për një nga vendet perëndimore, kryesisht SHBA, Britani e Madhe, Kanada apo Australi shkon në këto vende bashkë me fëmijën, i cili regjistrohet në një kopësht të huaj. Ndërkohë nëna e vogëlushit në cilësinë e turistes mendon se investimi që ka kryer do të japë frytet përgjatë jetës shkollore të fëmijës së saj.

Por sa e drejtë është kjo nismë e disa prindërve kinezë për nisjen e procesit mësimor të fëmijës jashtë vendit ? Në rubrikën e sotme "Hotpot" flasim pikërisht për këtë dukuri të re sociale në familjet kineze, në emër të një shkollimi sa më cilësor të fëmijëve të tyre.

I veshur me uniformën e zjarrfikësave 4 vjeçari Zhang Jixuan,po kryen para bashkëmoshatarëve të tij detyrën e sotme, atë të përgatitjes së një punonjësi të shërbimit zjarrfikës për të shpëtuar njerëzit në një godinë të përfshirë nga flakët. Ky vogëlush kinez po kryen studimet parashkollore në një kopësht në Pasadena të shtetit amerikan të Kalifornisë. Por ai nuk është i vetmi, pasi vitet e fundit shumë prindër kinezë ashtu si nëna e tij Wang Feng kanë vendosur që shkollimi i fëmijëve jashtë vendit të nisë që në moshën e hershme parashkollore.

Nga Pekini zonja Wang arriti në Pasadena në mars të vitit të kaluar dhe e rregjistroi djalin e saj Zhang në kopshtin "Montessori", me shpresë se ai do të niste hershëm mësimin e gjuhës angleze, i rrethuar nga fëmijë amerikanë. Sipas zonjës Wang formimi edukativ I djalit të saj në gjuhën angleze që në nivelin e kopështit do të lehtësojë arsimimin e tij të mëtejshëm në shkollat amerikaane. Por viza amerikane në këtë rast është 6 mujore dhe gjatë kësaj kohe vogëlushi 4 vjeçar Zhang studjon kundrejt pagesës 1 mijë dollar në muaj në këtë kopësht privat.

Dëshira e zonjës Wang për të gjetur një kopësht sa më të përsosur për djalin e saj nisi që në qytetin e saj, Pekin. Por duke krahasuar pagesën e kopshteve private në gjuhën angleze të Pekinit me atë në SHBA ajo mendon se në Pasadena niveli i anglishtes dhe i metodës pedagogjike është më i lartë. Duke krahasuar pagesën zonja Wang thotë se një kopësht privat në gjuhën angleze në Pekin kushton mbi 5 mijë yuan në muaj ose

812.98 dollarë amerikanë, por niveli pedagogjik nuk është aq i lartë sa në kopshtin amerikan. Pikërisht kjo ishte arsyeja përse zonja Wang zgjodhi shtetin amerikan të Kalifornisë për të dërguar djalin e saj në kopësht.

Opinioni i ekspertëve

Sipas Akademisë Kineze të Shkencave Sociale në vitin 2013 numri i fëmijëve kinezë që kanë ndjekur kopshtet, shkollat fillore jashtë vendit është 413,900.

Feng Zengjun, profesor i Shkollës së Edukimit pranë Universitetit Sun Yat-Sen i intervistuar nga Guangzhou Daily tha se prindërit preferojnë sistemin e edukimit të hershëm në perëndim pasi ai është krejt i ndryshëm nga ai në Kinë. Sipas tij në vendet perëndimore arsimi parashkollor zhvillohet në formë loje dhe kjo ndikon që fëmijët të mësojnë të marrin vetë vendime dhe të jenë krijues. Profesori Feng shton se në sistemin shkollor kinez fëmijëve që në kopësht u kërkohet të zotërojnë sa më shumë teori, por ata luajnë më pak dhe kanë mungesë pavarësie.

Ndërsa Chen Zhilin, psikolog i specializuar në edukimin e fëmijëve dhe çështjet familjare thotë për "Metropolitan" se fëmijët kinezë në kopshtet e huaja ndjekin dëshirën e prindërve, por nuk merret parasysh dëshira e vetë fëmijëve. Sipas tij edukimi në shkollat kineze të niveleve të ndryshme ka përparësitë e veta dhe prindërit nuk kanë pse të detyrojnë fëmijët të përshtaten me një sistem tjetër edukimi dhe një tjetër kulturë,e cila është e huaj dhe për vetë prindërit.

Vendimi i disa prindërve për dërgimin e fëmijëve të tyre për studim që në moshën e kopështit jashtë vendit nuk gjen përkrahje te një pjesë e madhe e prindërve kinezë.

Reagime kundër prirjes

Zhang Weiwei, nëna e një vajze 5 vjeçare nuk është dakord që fëmija të ndjekë një kopësht jashtë vendit për një periudhë të shkurtër 6 mujore. Ajo e quan këtë në dëm të fëmijës që në shumicën e rasteve nuk e njeh mirë gjuhën angleze. Madje ajo shton se nuk është dakord edhe për shkak se pas 6 muajsh ky fëmijë do të rikthehet në atdhe, për të ndjekur më pas shkollën. Sipas psikologëve në këto raste ndryshimi i ambjentit shkollor për fëmijët në moshë të vogël, por edhe komunikimi në gjuhë të huaj, bashkëmoshatarët që flasin një gjuhë të huaj, ndikojnë në formimin e tij. Një eksperiencë e shkurtër 3 apo 6 mujore në një kopësht amerikan për fëmijën është thjesht një lojë që do të ketë fare pak ndikim në formimin e tij të mëvonshëm.

Dëshirat dhe synimet e prindërve për një fëmijë me sa më shumë formim për të përballuar konkurrencën kur të rritet nuk përputhen në të gjitha rastet me rrugën e drejtë që prindërit duhet të ndjekin për shkollimin e fëmijëve të tyre. Në shumë raste ata zhgënjehen me rezultatet e këtij eksperimenti në qendër të të cilit kanë vendosur fëmijën e tyre, por edhe përsa i përket shpenzimeve të kryera për ta realizuar këtë sipërmarrje.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China