20150817Hotpot02 |
Instituti i Birësimit CCAI raporton se në vitin 2014 95% e fëmijëve kinezë të birësuar nga prindër amerikanë vuanin nga sëmundje të rënda.
Një nga themeluesit e Institutit Nie Lili ka thënë për median "Southern People Weekly" se mbi 98% e fëmijëve në shtëpitë e fëmijës janë me nevoja të posaçme. Para vitit 2008 kjo përqindje ishte nga 20-30. Sipas tij prindërit kinezë zakonisht duan të birësojnë fëmijë të porsalindur ose deri në moshën 2 vjeçare.
Sipas një raporti të "Nandu Daily" në vitin 2013 është ulur shumë braktisja nga prindërit e foshnjave vajza dhe e fëmijëve të shëndetshëm, por është shtuar numri i braktisjeve të fëmijëve që lindin me sëmundje të ndryshme. Zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i Kinës nuk ka ndikuar në uljen e braktisjes së foshnjave. Në shumë pak raste një familje kineze dëshiron të birësojë një fëmijë me aftësi të kufizuara dhe ky është shkaku përse kjo kategori fëmijësh birësohet më së shumti nga prindër të huaj.
Sipas raportit në vitet 1990-2005 familjet e huaja kanë birësuar më së shumti vajza. Ndikuar nga politika e një fëmije, e ndjekur në Kinë familjet kineze kishin preference për të patur djalë, për këtë arsye numri i braktisjes së foshnjave vajza ishte imadh. Nga viti 1990 deri në 2005 familjet amerikane kanë birësuar 60 mijë fëmijë nga Kina. Ndërsa pas liberalizimit të politikës së një fëmije në vitin 2005 vihet re se është ulur numri i braktisjes së foshnjave vajza nga prindërit biologjikë. Gjithashtu raporti nënvizon se është shtuar numri i familjeve kineze që birësojnë fëmijë të shëndetshëm, ndaj bëhet gjithnjë e më e vështirë për prindërit e huaj të birësojnë fëmijë të shëndetshëm nga Kina.
Rregullat e birësimit për prindërit e huaj
Sipas rregullores së Ministrisë së Çeshtjeve Sociale të Kinës për birësimin, aplikuesit që dëshirojnë të birësojnë fëmijë nga Kina duhet të marrin një vërtetim nga agjencitë shtetërore të vendit të tyre. Pas kësaj agjencitë e huaja të birësimit kontaktojnë me agjenci kineze të birësimit të njohura nga qeveria kineze dhe nisin procedurat e birësimit. Në dokumentet e birësimit përfshihet certifikata e anëtarëve të familjes birësuese, certifikata e martesës e çiftit birësues,dëshmia e banesës dhe e të ardhurave të prindërve birësues, të dhëna për profesionin e tyre, rezultatet shëndetësore të anëtareve të familjes birësuese, dëshmitë e penalitetit, arsyet e birësimit dhe një deklaratë ku prindërit birësues shpjegojnë përse u duhet besuar atyre rritja e fëmijës që do të birësohet.
Sipas Andrea Brezonsek, drejtor i Departamentit dhe Birësimeve të Mjekëve të Botës, Instituti më i madh i Birësimeve në Francë, dikur nga Kina birësoheshin fëmijë të shëndetshëm në moshë fare të vogël, kurse me kalimin e viteve po shtohet numri i fëmijëve që kanë problem shëndetësore dhe nuk janë në moshë foshnjore. Ai tregon se për birësimin e një fëmije të shëndetshëm nga Kina nën moshën 3 vjeç, prindërit birësues duhet të presin të paktën 6 vjet.
Të dhëna për fëmijët e braktisur
Në një raport të vitit 2010 lidhur me gjendjen e fëmijëve në Kinë, botuar nga Instituti i Kërkimeve Filantropike dhe Universiteti Normal i Pekinit, çdo vit në Kinë braktisen nga prindërit biologjikë 100 mijë fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve me nevoja të posaçme.
Zëvendësdrejtori i këtij institute Gao Yurong, thotë se në Kinë shumë familje të varfëra apo me të ardhura të pakra që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, duke qenë të paafta të kujdesen për ta, i braktisin.
Sipas tij në legjislacionin kinez braktisja e fëmijës përbën një vepër penale dhe për këtë shumë prindër janë ndëshkuar sipas ligjit.
Nie Lili dhe i shoqi Zhong Hui birësuan një vajzë 9 vjeçare me një sëmundje të rëndë të zemrës në vitin 2004. Për shkak të kushteve të saj shëndetësore, niveli inteligjencës së vajzës ishte sa i një fëmije 2 vjeçar, por tani falë dashurisë pa kushte dhe kujdesit të jashtëzakonshëm të prindërve birësues, vajza është një 20 vjeçare që gëzon shëndet të plotë dhe studjon për art design në një universitet të Kinës.
Nësa e saj birësuese Nie thotë se një prind birësues ndjen mëshirë të madhe për fëmijën e birësuar që ka problem shëndetësore dhe kjo e motivon të bëjë çdo sacrifice për ta shëruar dhe për ti siguruar atij një jetë të lumtur. (Eda Merepeza)