20150803Hotpot1 |
Sanfu-Ditët më të nxehta të vitit dhe tradita kineze
Këtë vit Ditët Sanfu, që sipas Akademisë së Shkencave të Kinës përkojnë me 30 ditët më të nxehta të vitit, në fakt do të jenë 10 ditë më shumë. Sipas përllogaritjeve Kina ka hyrë në Toufu, që është faza e parë e Sanfu që në datën 13 korrik dhe pritet që ditët më të nxehta të vitit, të njohura si Sanfu të zgjasin deri në 22 gusht. Sipas Kalendarit Hënor Kinez 3 javët më të nxehta të vitit, ose 30 ditë njihen me emrat Toufu, Zhongu dhe Mofu. Ato përkojnë me gjysmën e korrikut deri në gjysmën e gushtit dhe varion nisja e tyre, duke mos përkuar me të njejtën datë çdo vit.
Si të përballojmë nxehtësinë së verës ?
Duke iu referuar periudhës Sanfu të vitit ekspertët e mjekësisë tradicionale kineze këshillojnë të mos pihet uji apo pije të ftohta, duke përjashtuar krejtësisht akullin. Pra krejt e kundërta e veprimit të shqiptarëve dhe perëndimorëve që gjatë verës mbajnë ujë, lëngje frutash dhe birra në frigorifer, apo në restorante dhe bare shërbehen me akull. Madje sipas ekspertëve kinezë gjatë ditëve Sanfu nuk duhet të konsumojmë as akullore, pasi ata thonë se nxehtësia e verës prek vetëm pjesën e jashtme të trupit dhe jo atë të brendëshme të tij. Kështu që përdorimi nga ana e njerëzve i pijeve të ftohta me qëllim freskimi, nuk është aspak i dobishëm.
Nëse do ti referohemi mjekut të lashtë tradicional kinez të dinastisë Lindore Han, Zhang Zhongjing dhe veprës së tij "Shanghanzabinglun" (Trajtimi i të nxehtit dhe sëmundje të tjera) për të parandaluar të nxehtin gjatë verës, njerëzit duhet të konsumojnë pije të ngrohta që të djersijnë dhe të përmirësojnë qarkullimin e gjakut.Që nga kohët e lashta mjekët kinezë këshillonin që gjatë ditëve të nxehta të verës, ose Sanfu të konsumojmë sa më shumë perime dhe zarzavate dhe sa më pak mish dhe ushqime të yndyrshme.
Një tjetër teori e mjekëve kinezë tradicionalë që në lashtësi është se gjatë ditëve të nxehta të verës njerëzit mund të kurojnë sëmundjet që zakonisht shfaqen gjatë dimrit, si të ftohtin, astmën dhe artritet apo reumatizmat.
Për të kuruar gjatë verës këto sëmundje të stinës së ftohtë të dimrit edhe në ditët tona kinezët përdorin Sanfutie, ose mjekimin me garzën Sanfu, që është mjaft i përhapur.
Sanfutie është një lloj garze e përgatitur sipas mjekësisë tradicionale kineze me barëra. Trajtimi kurues bazohet në parimin e yin dhe yang, sipas të cilit barazpeshimi I elementeve të trupit është jetik për shëndet të mirë.
Kjo garzë me barëra mjekësore që njihet si Sanfutie përmban barëra të cilësuara si "të nxehta" në natyrë dhe aplikohet në pikat e njohura të akupunkturës, zakonisht pas qafe, ku besohet se sigurohet plotësimi i elementit yang.
Gjatë verës nëse ndodhesh në qytete të ndryshme të Kinës të ze syri njerëz të moshave të ndryshme që në pjesën e pasme të qafës mbajnë një garzë rrethore. E pra kjo është sanfutie.
Këto garza janë përdorur në mjekësinë tradicionale në lashtësi dhe përmenden në dokumente që i përkasin Perandorit të Verdhë, i cili ka jetuar mbi 2 mijë vjetë më pare.
Garzat Sanfu u bënë mjaft popullore gjatë dinastisë Qing që ka sunduar në vitet 1644-1911, por vitet e fundit kjo traditë është rigjallëruar me kthimin e vemendjes së kinezëve tek trajtimet e mjekësisë tradicionale kineze.
Kalendari hënor tradicional kinez e ndan vitin në 24 terma diellorë. Periudha e Nxehtë, ose 12 termat diellorë të vitit këtë vit kanë nisur më 23 korrik dhe përfundojnë në 7 gusht. Pikërisht në Periudhën e Nxehtësisë pjesa më e madhe e territorit kinez preket nga temperaturat e larta. Këto 24 terma janë krijuar mijëra vjet më pare për të udhëzuar bujqit në prodhimin bujqësor. Por kultura e termave diellorë është ruajtuar në Kinën e ditëve të sotme, pjesë e së cilës është Sanfu.
Çfarë është Periudha e Nxehtësisë së Madhe
Sezoni i mbjelljes dhe korrjes
Kur temperaturat e ajrit ngrihen dhe shtohen shirat e verës edhe prodhimet bujqësore janë të mbara. Por Periudha e Nxehtësisë së Madhe përkon dhe me fatkeqësi natyrore si përmbytje apo tajfune. Ndaj këshillohet që mbjelljet dhe korrjet duhet të kryhen në kohën e duhur për të shmangur prekjen e tyre nga fenomenet natyrore të dëmshme si shirat e rrëmbyer, breshëri apo përmbytjet.
Nisja e varkës së Nxehtësisë së Madhe
Kjo është një traditë folklorike kineze qindra vjeçare që ka lindur në Taizhou të provincës Zhejiang. Varka mbushet me kafshë të ndryshme që duhen sakrifikuar ndër to derra, dele, pula, peshq dhe karkaleca. Më shumë se 50 peshkatarë mbushin varkën dhe marshojnë nëpër rrugët, ku dëgjohen ritmet e daulleve dhe fishekzjarret. Në të dy anët e rrugës ku ecin peshkatarët me varkën njerëzit brohorasin lutje për mbarësi.Pas një sërë ritualesh anija kthehet në skelën e portit dhe pasi i vihet flaka shtyhet drejt rrjedhës së ujit. Ky ritual shoqërohet me lutjet e njerëzve për shëndet dhe mbarësi në jetë.
Lufta e bulkthave
Në ditët më të nxehta të verës, apo siç njihen në Kinë Nxehtësia e Madhe është sezoni i bulkthave të cilët gjenden kudo, veçanërisht në fshat. Luftimi i bulkthave ka qenë një traditë mjaft e përhapur në Kinën e lashtë, ndonëse edhe sot mund të praktikohet në disa zona të vendit. Ky zakon daton më shumë se 1 mijë vjetë më parë që në kohën e dinastisë Tang.
Hani Litchi dhe Mizao
Një tjetër traditë verore e Nxehtësisë së Madhe është dhe ngrënia e frutit ekzotik me emrin litchi, kurse në Putian të provincës kineze Fujian festohet me rastin e Periudhës së Nxehtësisë së Madhe dhe hahet Mizao. Litchi është një frut që përmban glukozë dhe vitamina Madje thuhet se konsumimi i këtij fruti gjatë ditëve më të nxehta të verës është më i ushqyeshëm se sa i ginsengut.
Mizao bëhet me anë të orizit të fermentuar.Kinezët e gatuajnë Mizaon me sheqer të kuqërremtë gjatë ditëve të Nxehtësisë së Madhe. Mjekët tradicionalë kinezë thonë se ky ushqim i jep trupit energji.
Konsumoni supë me mish deleje
Në provincën jugore të Kinës Shandong ka një traditë që në ditët më të nxehta të verës, që njihen si Nxehtësia e Madhe, njerëzit përgatisin supë me mish deleje. Ky ushqim quhet edhe "supa verore e deles"
Konsumoni ananas
Kjo është një traditë tajvaneze gjatë Nxehtësisë së Madhe. Tajvanezët thonë se të hash ananas gjatë ditëve më të nxehta të vitit jo vetëm është e shëndetëshme, por edhe ka shije më të mirë.
Konsumoni xhelatinë
Ushqimet me xhelatinë që në kinezisht quhen "Xiancaodong" janë kryesisht barëra të ndryshëm që pasi thahen në diell përdoren në gatim dhe prodhojnë xhelatinë. Madje një thënie popullore në provincën Guangdong thotë se nëse ha gjatë ditëve të nxehta të verës xhelatinë do të mbetesh përherë i ri.
(Eda Merepeza)