20150803Hotpot2 |
Agjenci funerale për kafshët
Kafshët po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e rëndësishme e jetës së njeriut. Ka familje me fëmijë që mbajnë kafshë shtëpiake si qen apo mace, por ka dhe njerëz që jetojnë vetëm dhe ndajnë ditë-netët me një kafshë shtëpiake. Numrin më të madh të kafshëve shtëpiake e gjen në shtëpitë e të moshuarve që jetojnë vetëm, pasi për ta shoqëria e tyre është vërtet me vlerë.
Përderisa kafshët i konsiderojmë të afërta në përditshmërinë tonë dhe u sigurojmë atyre ushqimin, me raste veshmbathjen, kujdesin shëndetësor dhe argëtimin, atëhere përse të mos i kryejmë dhe shërbimin e fundit ? Funeralin !
Për këtë qëllim kanë nisur të përhapen edhe në Kinë agjencitë funerale për kafshët. Në këto ambjente kryhen të gjitha shërbimet që marrin përsipër agjenci të tilla dhe për njerëzit. Madje në Kinë për kafshët propozohet përveç varrimit klasik me arkivol dhe djegia në kremator e më pas ruajtja e hirit. Nuk ka asnjë ndryshim të ritualit mortor që u ofrohet njerëzve.
Du Pengfei, është një 20 vjeçar i cili punon në një Agjenci Funerale për Kafshët në qytetin bregdetar të Qingdaos, në provincën Shandong. Pas një aplikimi online për punë ai u pranua nga kjo agjenci. Edhe vetë Du është shumë i lidhur me kafshët shtëpiake dhe ai mban një qen në shtëpi. Ky ishte një motiv më shumë për të punuar në këtë agjenci.
Muajt e fundit Du ka punuar për organizimin e 15 funeraleve të qenve dhe maceve, të cilëve edhe pasi kanë ndërruar jetë nuk u mungon përkujdesja e "pjestarëve të familjes" ku kanë jetuar në harmoni dhe kanë dhuruar aq dashuri dhe besnikëri.
Janë pronarët e kafshëve shtëpiake që vendosin llojin e funeralit dhe mënyrën e organizimit të tij.
Në ditën e parë të punës në agjenci, Du organizoi funeralin e një qeni, mbi të cilin ishte kryer eutanazi pasi kishte qëndruar i paralizuar për 2 muaj dhe vuante nga ulcera e stomakut. Du tregon se kur po kryente përgatitjen e funeralit mundi të kuptonte dhimbjen e pronarit të këtij qeni, pasi dhe vetë ai ka një qen. Du mendon se është me vlerë ti qëndrosh pranë një kafshe në momente sëmundjeje, ta kurosh atë dhe të mos e lesh të vuajë. Por nga ana tjetër ai mendon se edhe varrimi i një kafshe është pjesë e trajtimit të tij me dinjitet nga ana e njerëzve. Sipas mediave kineze, në qytetin Qingdao çdo vit ngordhin mbi 4 mijë qen,ndër të cilët 90% varrosen ose u kryhet kremimi nga ana e pronarëve të tyre. Por një pjesë tjetër e qytetarëve kryejnë djegien e zakonëshme të kafshëve pas ngordhjes. Ky proces është burim ndotjeje në shumicën e rasteve, pasi nuk përdoren disinfektantët e nevojshëm, shprehet Du.
Agjencia funerale Haiwen e themeluar në vitin 2012 është e para në provincën Shandong, por tashmë numri i agjencive të tilla sa vjen e po rritet. Mësohet se kjo prirje tashmë po përhapet në mbarë Kinën.
Shërbime ndërnjerëzore
Gjithnjë e më shpesh degjojmë të flitet për njerëz që ndajnë qiratë e apartamenteve me të tjerë, apo ofrojnë makinën në shkëmbim të një çmimi. Për këtë janë të njohura kompanitë e shërbimeve Airbnb ose Uber. Por tashmë vërehet një shkëmbim më i madh i marrëdhënieve ndërnjerëzore.
Zuijiao është një sipërmarrës kinez nga Shangai, i cili ka shpikur një mënyrë të re për shkëmbime ndërnjerëzore, duke gatuar e më pas duke hapur shtëpinë e tij për të tjerët. Ndryshe nga lokalet që organizojmë festa të ndryshme me shpenzime të mëdha, Zuijiao synon që përmes mbledhjes së njerëzve të ndryshëm rreth një tryeze ekziston një shanc i madh që ata të shkëmbejnë ide, përvoja dhe burime.
Është vërtet interesant të marrësh pjesë në një nga banketet e organizuara nga Zuijiao.
Zakonisht banketet organizohen gjatë fundjavës. Gatimet në këto bankete kryesisht janë të kuzhinës kineze, europiane dhe japoneze. Ndërsa çmimet variojnë nga 68 yuanë (10.95 dollarë) deri në 128 yuanë. Në një banket mund të marrin pjesë deri në 10 vetë, të cilët prenotojnë më parë nëpërmjet internetit, madje dhe duke përzgjedhur menunë.
Kuzhinierja që punon për këtë ide biznesi të Zuijiaos, quhet Qiang Yuting dhe ka lindur në Yangzhou. Puna e saj në këtë sipërmarrje është me kohë të plotë por më e ngarkuar është gjatë fundjavës. Përveç kuzhinës kineze ajo është e specializuar dhe në atë spanjolle. Ajo tregon se gatimet në banketet e Zuijiaos janë të freskëta dhe të shijshme me prodhime bio, por edhe atmosfera që krijohet është tepër e veçantë. Qiang i kushton vemendje detajeve kur gatuan, por edhe kur shtron tavolinën. Ajo kujdeset që në tryezën e banketit të mos mungojnë lulet po as muzika jazz në sfond. Edhe vetë gatimet e Qiang janë një ndërthurje e shijes, me ngjyrën.
Në mëngjesin e ditës kur do të përgatisë banketin Qiang shkon në treg ku blen të gjithë artikujt që i duhen për gatim, madje nga udhëtimet jashtë vendit ajo ka blerë dhe erëza të ndryshme që nuk gjenden në Kinë. Në menunë e një banketi përfshihen 2 pjata të ftohta në formë antipaste me karkaleca dhe asparagus, fileto mishi, qofte, tofu, supë pule dhe ëmbëlsirë.
Tofuja gatuhet sipas kuzhinës së Yangzhout, vendlindjes së Qiang. Kjo kuzhiniere përpiqet që recetat e saj të jenë unike dhe të mos kenë asnjë ngjashmëri me atë që lehtësisht gjenden në menutë e restoranteve. Ky është një motiv i rëndësishëm pse klientët e preferojnë këtë lloj banketi.
Banketi që krijon miqësi
Qëllimi kryesor i frekuentimit të banketeve të Zuijiaos nga klientët nuk është thjesht ushqimi, por lidhja e miqësive të reja. Shefi i marketingut i kësaj sipërmarrjeje, Yuan Xiaomeng thotë se klientët vijnë me prenotim online dhe në të njejtën tavolinë takojne klientë të tjerë me të cilët bisedojnë dhe njihen gjatë darkës. Banketet tërheqin klientë të moshave të ndryshme, të cilët kanë interesa të ndryshme, por të ndodhur në një tavolinë të përbashkët gjatë bisedës krijojnë njohje të cilat më pas mund të kthehen në miqësi. Ryuan Chen që punon në industrinë e energjive të reja është një nga klientët e këtij banketi dhe thotë se e frekuenton shpesh. Sipas tij të kalosh darkën në një ambjent njerëzish që i takon rastësisht është ide e re dhe e këndëshme. Madje ai e krahason atmosferën që krijohet në këtë banket me një party. Sipërmarrësi Zuijiao ka në plan që në të ardhmen të zgjerojë menunë e banketeve, duke shtuar kësisoj dhe klientelën.(Eda Merepeza, Foto: CFP)