PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Në rradhë për divorc
2015-08-03 15:16:19 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, në qytetin Guangzhou të Kinës Jugore numri i divorceve është rritur aq shumë sa zyrat e gjendjes civile mezi po e përballojnë. Sipas websitit të Zyrës së Regjistrimit të Martesave të Guangzhout, këtë muaj çiftet që plotësojnë dokumentet për divorc duhet të presin të paktën një muaj para se të takohen me nëpunësit përkatës. Sipas ligjit kinez,procedura e divorcit nis vetëm pas marrjes së certifikatave nga zyra e regjistrimit, për të kaluar më pas te vendimi i gjykatës.

"Kemi mungesë personeli ", tha drejtori i një zyre regjistrimi të martesave në Guangzhou, duke shtuar se nëpunësit e gjendjes civile po punojnë jashtë orarit.

Kjo zyrë ka 6 sportele për kryerjen e proçedurave ligjore për rreth 100 çifte në ditë të cilat pajisen me dokumentacionin e nevojshëm për martesë apo divorc. Përveç kësaj zyra përballon çdo ditë 300 qytetarë që aplikojnë për certifikatën e beqarisë.

Për dhënien e çertifikatës së martesës së një çifti punonjësit të gjendjes civile i duhen15 deri në 20 minuta (plus lexim të dokumenteve, betimit dhe nënshkrimit të tyre). Kurse për të përfunduar lidhjen martesore të një çifti duhet të paktën gjysmë orë ose më shumë kohë. Krahas shtimit të divorceve kohët e fundit, punonjësit e kësaj zyre përballojnë dhe presione psikologjike. Sipas këshilltarëve të martesave, shumë nga qytetarët shprehin padurim, nervozizëm gjatë kryerjes së procedurave dhe me këto përballen punonjësit gjatë ditës.

Por vihet re se gjatë sezonit veror ka një shtim të divorceve. Disa çifte pas një grindje në fundjavë, të hënën i drejtohen zyrës së gjendjes civile për të kryer procedurat e divorcit.

Sipas të dhënave të gjendjes civile periudha nga korriku deri në shtator shënon kulmin e regjistrimit të divorceve në vend. Kjo fatkeqësisht përkon dhe me periudhën kur shumica e nxënësve mbarojnë provimin për pranimin në ciklin e lartë të shkollës së mesme ose në universitet, që janë dy provimet më të rëndësishme për ta. Madje ka shumë çifte në prag të divorcit, që me marrëveshje i kanë shtyrë procedurat e divorcit pasi fëmijët e tyre të kryejnë provimet.

Që nga viti 2009, vërehet se në gjykatat e provincave Shandong, Zhejiang, Liaoning, Hu'nan, Tianjin, Chongqing etj., 20 ditë pas provimit për pranimin në universitet, numri i divorceve shtohet ndjeshëm, krahasuar me atë para provimeve.

Sipas gazetës së qytetit Changsha, "Sanxiang Metro", këtë verë, gati 500 çifte kërkuan divorc gjatë javës së parë, pasi fëmijët dhanë provimin për në shkollat e larta, shifër kjo dy herë më e lartë se në periudhën para provimit.

Krahasuar me çiftet e reja që lidhin martesë bazuar në ndjenjën e tyre të dashurisë, ato të moshës së mesme ecin në drejtim të kundërt, atë të prishjes së martesës.

Por, pavarësisht shkaqeve të divorcit, disa përdorues kinezë të internetit shprehin mendimin se divorci është zgjidhja e duhur për ato çifte që nuk jetojnë dot më bashkë. Madje shumë prej tyre shtojnë se është detyrë e zyrave të gjendjes civile të shërbejnë me cilësi ndaj kërkesave të qytetarëve. Ka edhe opinione që çiftet duhet të përpiqen të ruajnë martesën, duke toleruar njeri-tjetrin, para se të marrin vendimin për divorc.

Një punonjëse e gjendjes civile tha për mediat se gjatë punës së saj mbi 20 vjeçare "divorci është bërë gjithnjë e më i lehtë, madje gati i favorshëm për njerëzit.

Në Kinën e lashtë, ndonëse meshkujt ishin dominues në shoqëri dhe familje ata nuk mund të divorcoheshin me lehtësi, sepse ata bazoheshin në vendimin e prindërve. Një vit pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës, më 1 maj 1950, u botua për herë të parë Ligji mbi Martesën, në bazë të të cilit edhe gruaja kishte të drejtë të kërkonte divorc nga bashkëshorti. Procedurat ligjore të kohës kryheshin bazuar në dakordësinë e çiftit. Madje nën presionin shoqëror shumë çifte vendosnin të pajtoheshin dhe të përpiqeshin për harmoni në familje. Pas vitit 2003, divorci në Kinë u bë më i lehtë për tu arritur. Nga vitet 80-të të shekullit të kaluar deri në 2003, duhej 1 muaj kohë për shqyrtimin e një zgjidhje martesore. Kurse në shtesën e ligjit të gushtit të vitit 2003 u hoq koha e shqyrtimit të divorcit dhe zgjidhja martesore mund të kryhej thjesht me regjistrimin e çeshtjes në gjendjen civile.

Në vendet perëndimore, procedura e divorcit është shumë e komplikuar. Një çifti francez për të realizuar divorcin i duhet të jetojnë të ndarë më shumë se 3 vjet. Një situatë e ngjashme ndodh edhe në Gjermani dhe Britani, ku një çift duhet të presë përfundimin e divorcit, nga 1 deri në 5 vjet.

Për të "shpëtuar" më shumë familjet nga divorcat e pamatura, disa zyra të regjistrimi u kërkoujnë çifteve të rezervojnë paraprakisht çeshtjen, duke kufizuar numrin e divorceve që trajtojnë në ditë.

Megjithatë, vjet mbi 3.6 milionë çifte kineze zgjidhën martesën e tyre, shifër kjo 3.9% më e lartë se në vitin 2013. Lidhur me këtë, disa ekspertë janë të mendimit se simbolizon "zgjimin e feminizmit", duke e konsideruar si përparim social.

Përqindja më e lartë e divorceve është shënuar në Rajonin Autonom të Singjian-Ujgurit, ku sipas të dhënave, ndër 260 mijë çifte të martuara në vitin 2012, deri vitin e kaluar, mbi 100 mijë janë divorcuar.

"Përqindja e lartë e divorceve në Singjian mund të lidhet me kulturën etnike. Shumica e të divorcuarve janë banorë të kombëisë ujgure, që ndikohen nga besimi i tyre fetar, mysliman që lejon poligaminë ", shprehet Li Xiaoxia, sociologe e Akademisë së Shkencave Shoqërore të Singjian-it.

Sipas saj, shoqëria lokale po tregohet gjithnjë e më tolerante me femrat e divorcuara, të cilave u jepen ndihma materiale dhe nuk gjykohen në rast rimartese.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China