20150727diplomimit |
Diplomimi që ka qenë dikur një ceremoni e thjeshtë po ndërlikohet nga vetë procesi. Sipas një sondazhi të publikuar nga Bashkimi Mediatik i Universiteteve të Kinës(China University Media Union), këtë verë, mbi 68% e të diplomuarve kinezë nga shkollat e larta kanë një buxhet prej mbi 4000 juanësh(645$) dhe 2% duan të shpenzojnë mbi 10000 juanë(1612$) për të t'i thënë lamtumirë jetës shkollore. Për shumë të rinj, po të mungojnë udhëtimet, festat, fotot artistike, kjo verë do tu dukej e mërzitshme.
Udhëtimi zë pjesën kryesore të buxhetit, sa 57% me 3000(480$) - 5000(800$) juanë. Xiao Lishan, një e diplomuar nga Universiteti Jugperëndimor i Kombësive i qytetit Chengdu, kryeqendër e provincës Sichuan të Kinës, kurseu për një vit për të siguruar mjaftueshme për një udhëtim jashtë vendit. Me 3000 juanë të kursyera nga ushqimi dhe veshjet, 1800 juanë nga bursa shkollore dhe 2000 juanë nga puna me kohë të pjesëshme, Xiao Lishani, kreu një udhëtim me miqtë e saj nëpër Nepal, Vietnam dhe Nanning në rajonin autonom të Guangxi Zhuang të Kinës Jugore.
Kurse, për Feng Tingting-un, udhëtimi që kushtoi 10000 juanë në Tajvan "përfundoi jetën shkollore me një kujtim të bukur". Në krahasim me këto dy vajza, udhëtimi i Wu Chu-së nuk ishte aq i shtrenjtë. Ky 22 vjeçar vizitoi me biçikletë 13 distrikte dhe qyteza të provincës Hu'nan ku ndodhet universiteti i tij dhe mbërriti në vendlindje, në provincën Sichuan. Gjatë rrugës, Wu Chu hëngri në restorante të vogla dhe fjeti në çadrën e vet, duke harxhuar vetëm 1000 juanë(161$) për udhëtimin që zgjati mbi 20 ditë. Përveç udhëtimit, fotografia artistike dhe festa e lamtumirës përbëjnë dy ngjarje të rëndësishme, ku nuk mund të mungosh.
Jiajia është një e sapodiplomuar nga Shkolla e Lartë e Mjekësisë Kineze në qytetin Zhuzhou të provincës Hu'nan. Ajo shkoi në një studio për të bërë një seri fotosh artistike. Po t'i shtosh këtij shpenzimi dhe qiranë për veshjet, pagesa për fotografin dhe kosto e albumeve, llogaritet që këto kujtime t'i kenë kushtuar 1800 juanë(290$).
Ndërsa, shoqja e saj, Xiao Hong harxhoi më shumë për të blerë veshje për foto. Për të ruajtur pamjen e rinisë shkollore ajo bleu tre kostume. Veshjet e saj i përkasin kohës së lashtësisë, një personazhi filmi të animuar dhe një studenteje moderne, të gjitha këto për tre seri fotosh.
Mbase për vajzat, ruajtja e kujtimeve të bukurisë rinore është e pashmangshme për t'i dhënë lamtumirën jetës shkollore. Kurse për djemtë festat e ndarjes kushtojnë më shumë.
Xiao'jin, i diplomuar nga Kolegji i Ekonomisë dhe i Menaxhimit pranë Universitetit të Industrisë të Hu'nan-it ka qenë një ndër drejtuesit e Bashkimit Studentor. Me rastin e diplomimit, ai ishte shumë i zënë pasi mori pjesë në shumë festa të organizuara me nismën e të njohurve të tij. "Vetëm gjatë një muaji, harxhova mbi 4000 juanë(645$) për festa të tilla, sa shpenzimet e mia në një semestër", tha Xiao'jin. Sipas tij, festat e lamtumirës ishin me shokët e konviktit, ata të kursit, apo miqtë nga i njejti qytet, të njohurit në organizata të ndryshme studentore etj. Pas darkës, të rinjtë frekuentojnë edhe karaoke. Kështu që edhe pse ndahen shpenzimet në mënyrë barabartë, shpenzimet prapë mbeten të larta. Xiaojini tha se të gjitha paratë vijnë nga pagat e tij gjatë praktikave në një kompani vendëse. "Përndryshe, nuk do t'i kisha aq të shpuara duart", thotë ai me humor.
Nga ana e prindërve, duke folur për financimin e udhëtimit luksoz të vajzës, babai i Feng Tingting-ut u shpreh i qeshur se ky udhëtim është "shpenzimi i fundit më i madh" në jetën shkollore të së bijës. Prandaj, ai thotë se do të plotësojë kërkesat e saj brenda mundësive që ka sepse "kjo është koha e fundit para se vajza të dalë në shoqëri dhe pas punësimit të gjitha shpenzimet do të përballohen prej saj".
Ndërsa, në ceremoninë e lamtumirës me shkollën, 4235 të diplomuar nga Kolegji Pedagogjik i provincës Jiangsu morën një dhuratë të posaçme, një mesazh statistikor për disa shifra informative të shënuara gjatë studimit të tyre katërvjeçar. Në mesazh paraqiten statistikat si me përdorimin e kartës së studentit të kolegjit, sa para një student ka harxhuar, numri i përgjithshëm dhe titujt e librave që ai ka marrë nga biblioteka, çmimet ose bursa e fituar në shkollë, etj.
"Çdo i diplomuar mori një mesazh që lexohet vetëm nga ai vete me llogarinë e regjistrimit. Për të kryer këtë projekt, ne shpenzuan disa javë në qendrën elektronike të kolegjit, duke shoshitur të gjitha informacionet e të diplomuarve të sivjetshëm", tha Wang Youjian, zv. drejtori i Zyrës së Punës së Studentëve të Kolegjit Pedagogjik të Jiangsu-së.
Sipas tij, numri më i lartë i marrjes së librave nga biblioteka ishte 490, gjë që tregon se studenti ka lexuar një libër në tre ditë. "Por, sipas të dhënave, zbuluam gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e studentëve nuk e frekuentojnë shpesh bibliotekën. Në mesazhin për ta, shkruam edhe fjalë inkurajuese për përmirësim të mëtejshëm të tyre ", shtoi z. Wang.
Kjo dhuratë e çmuar u bë menjëherë tema më e diskutuar ndër të diplomuarit. Xiao Zhou, me të lexuar mesazhin e vet, u përfshi nga kujtimet. Sipas tij, gjatë 4 vjet studimi ai kishte marrë vetëm dhjetëra libra nga biblioteka. Por me kartën elektronike të kolegjit, ai kishte bërë shumë shpenzime për të blerë ushqim dhe gjëra të tjera. "Vetëm në këtë drejtim, kalova nivelin mesatar të shokëve. Më vjen turp! Shpresoj që në të ardhmen, shkolla t'i publikojë njëherë në vit këto informacione, në mënyrë që studentët dembelë si unë, të kenë kujdes për paraqitjen e tyre në shkollë", thotë ky 22 vjeçar që mbylli jetën shkollore këtë verë.