PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Fëmijët gjeni të Kinës
2015-07-28 14:55:44 CRI Komenti juaj Printoni

Shumë prindër kinezë kanë prirjen të zbulojnë tek fëmijët e tyre aftësi prej gjeniu. Për këtë ata ndjekin një itinerar të paracaktuar të shkollimit të fëmijëve që në parashkollor. Kryesisht kjo modë ndiqet nga prindërit në Pekin të cilët duket se e kanë gjetur recetën për ta bërë fëmijën e tyre të aftë për sa më shumë njohuri.Që në moshën 3 vjeçare kjo kategori prindërish e regjistron fëmijën në Kopshtin "Happy Times" në distriktin Dongcheng, ku ai përgatitet për të ndjekur pas fitimit të testit në Shkollën Yucai ku marrin arsimin fillor. Kur fëmija arrin në klasën e katërt ai i nënshtrohet testit për në Shkollën e mesme Nr.8, ku në një klasë të veçantë mësojnë ata që do të studjojnë në Universitetin e njohur Renmin apo në atë të talenteve Tsinghua. Ky është itinerari që çdo prind nis të përpunojë në mendjen dhe shpenzimet e tij për të arritur një ditë që fëmija e tij të bëhet gjeni. Kjo ide nuk është aspak e gabuar, por nuk është e suksesshme tek të gjithë fëmijët dhe prindërit, pavarësisht planit paraprak mbeten të zhgënjyer sapo fëmija nuk arrin të kalojë testin.

34 vjeçarja Sunny Song punon për një kompani shtetërore ndërsa i shoqi është inxhinier dhe kanë një vajzë 8 vjeç, për të cilën janë mjaft krenarë. Arsyeja është se muajin e kaluar vajza e tyre Mohan u cilësua me veti "mbinormale" në klasën e saj ku janë përzgjedhur 20 fëmijë të talentuar të akademisë me 500 nxënës. Prindërit e saj u tregojnë të gjithëve certifikatat dhe çmimet e ndryshme të fituara nga Mohan në lëndë të ndryshme shkollore si matematikë, anglisht, arte, shkenca shoqërore etj. Nëna e kësaj vajze thotë se ajo çdo ditë zgjidh 5 ushtrime të olimpiadave të matematikës dhe 60 ushtrime të aritmetikës. Prindërit e kësaj vogëlusheje paguajnë 30 mijë yuan ose 4,832 dollarë amerikanë në vit për kurset jashtëshkollore që ndjek e bija.

Klasat e veçanta për fëmijët e talentuar

Shumë prindër kinezë, ashtu si Songu përpiqen ti drejtojnë fëmijët e tyre drejt gjenialitetit. Ata bëjnë shumë përpjekje që fëmijët e tyre të përfshihen në klasat e përzgjedhura, ku mësojnë nxënësit e talentuar me një program të veçantë.Në metropolet kineze ka "akademi për fëmijët e talentuar" dhe "klasa të olimpiadave matematike".

Shi Jiannong, është drejtore e Qendrës Kërkimore për Fëmijët supernormalë (RCSC), është i mendimit se edukimi i diferencuar i fëmijëve të talentuar është shumë i rëndësishëm dhe në Kinë ka shumë të tillë.

"Nga një kërkim i yni rezulton se 1 % e fëmijëve kanë IQ më të lartë se 140," Sipas disa ekspertëve fëmijët me inteligjencë mbi mesataren janë një grup i vogël dhe vlerësimi për këtë arrin në 15%. Shi thekson se krijimi i klasave të veçanta brenda shkollave është një mënyrë e mirë për sistemin e arsimimit në Kinë.

Krahas numrit të pakët të shkollave që kanë një program të tillë të diferencuar mësimor, Shkolla Nr.8 e Pekinit është ndër të parat që e ka këtë program për një periudhë gati 30 vjeçare.

Në një periudhë 5 vjeçare, ky program i orienton nxënësit të përfundojnë arsimimin në lëndët bazë dhe të fitojnë aftësi të klasës së 5-të dhe të 6-të, por edhe të përgatiten për shkollën e mesme dhe të lartë. Sipas njoftimit të kësaj shkolle për pranimin e nxënësve fëmijët 10-11 vjeçarë me njohur të klasës së 4-të duhet të kalojnë me sukses provimet e gjuhës kineze, matematikës, arsyetimit logjik, kujtesës dhe fokusimit të objektivave.Pas seleksionimit vetë 30 nga mijëra kandidatë do të kenë fatin të përfshihen në klasat e posaçme.

Një metodë e ngjashme didaktike është praktikuar që në vitin 1979 nga Qendra Johns Hopkins për talented e reja në shtetin Merilend të SHBA-së. Por në shkollën amerikane nuk përdoret termi "gjeni" për nxënësit.

Kjo qendër përfshin në programet e saj didaktike çdo vit mbi 24,000 nxënës në programet e saj online, ku marrin pjesë të rinj nga 80 vende të botës. Në periudhën deri në vitin 2010 numri i studentëve nga Kina të rregjistruar në këtë qendër ishte 117 ndërsa në periudhën 2010-2015 ky numër arriti në 798.

Opinioni i ekspertit

Li Shijia, ka ndjekur studimet post- doktoraturë pranë Shkollës Mjekësore Otto von Guericke pranë Universitetit Magdeburg në Gjermani dhe ështënjë studjuese e njohur në shkencën kineze. Në një studim të saj ajo kushton vëmendje etjes së prindërve kinezë për ti patur fëmijët gjeni. Li shprehet se nuk beson se një program mësimor mund të shndërrojë një fëmijë me inteligjencë normale, në një gjeni. Madje shton se edhe ata gjeni të njohur në historinë e njerëzimit nuk kanë ndjekur këtë process edukimi. Sipas Lisë prindërit mund të shërbejnë si orientues për edukimin e fëmijëve pa i varur të gjitha shpresat te lloji i shkollës apo programet mësimore të posaçme. Ekspertja i këshillon prindërit të mos fiksohen me idenë e pasjes së një fëmije gjeni.

Ellen Winner, pofesore pranë Departamentit të Psikologjisë në Kolegjin e Bostonit, e specializuar për fëmijët me të dhëna të veçanta i këshillon prindërit të mos bëhen kaq kërkues ndaj fëmijëve të tyre. Sipas saj pak fëmijë kanë fat të jenë gjeni, ndaj prindërit gabojnë kur i dettyrojnë fëmijët e tyre të mësojnë gjithë ditën, apo të mos pushojnë për të gjetur patjetër talentin e tyre. Sipas saj një fëmijë gjeni dallohet menjëherë nga bashkëmoshatarët, por ajo mendon se vitet e fundit prindërit apo programet e ndryshme televizive kanë përhapur më shumë se sa duhet termin "gjeni" në rradhët e fëmijëve. Sipas kërkimeve të psikologëve për këtë ndikon dhe ndikimi i internetit, ku informacionet shkëmbehen shumë shpejt. Sipas psikologes amerikane pjesa më e madhe e fëmijëve të talentuar dhe një inteligjencë mbi mesataren nuk bëhen gjeni, por bëhen ekspertë në fusha të ndryshme. Por ka raste kur një fëmijë me të dhëna nuk arrin nivele të larta edhe për shkak të ngutjes së prindërve për ta bërë atë sa më pare gjeni. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China