PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Një udhëtim turistik në Rajonin Autonom Ningxia Hui
2015-07-15 10:46:52 CRI Komenti juaj Printoni

Rajoni Autonom Ningxia Hui, i ndodhur në veriperëndim të Kinës, buzë Lumit të Verdhë ka qenë i famshëm që në kohën e Rrugës së lashtë të mëndafshit. Qytetet më veriore të këtij rajoni shquhen për shkretëtirën, stuhitë e rërës, ajrin e thatë, por në Ningxia vizitorët shijojnë gjelbërimin dhe klimën e këndshme falë afërsisë së tij me Lumin e Verdhë.

Vetë fjala "Ningxia" do të thotë "verë e qetë" në gjuhën kineze. Ky emër romantik përkon me bukurinë e peizazhit dhe qetësinë e këtij rajoni që tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë nga të katër anët e vendit.

Ningxia ka një histori të pasur, kulturë shumëetnike dhe kuzhinë tepër të pëlqyer.

Koha më e përshtatshme për turizëm në Ningxia është nga maji deri në tetor.

Historia

Një mijë vjet më parë grupi etnik kinez Dangxiang (ose Tangut) themeloi mbretërinë e quajtur Xia ( ose me emrin Xiaxia) në brigjet e Lumit të Verdhë, aty ku ndodhet sot Rajoni Autonom Ningxia. Ndonëse me një jetëgjatësi 189 vjeçare mbretëria Xia konsiderohet si një nga pakicat etnike më të rëndësishme në historinë e Kinës, falë zhvillimit të bujqësisë dhe risive industriale të banorëve të saj.

Emri "Ningxia" që përkthehet "Xia e qetë dhe paqësore" u vendos pas pushtimit mongol të mbretërisë. Në ditët e sotme turistët që e vizitojnë Rajonin mund të mësojnë rreth historisë së tij duke vizituar Mauzoleumin në periferi të kryeqendrës së Ningxia-së, Yinchuan.

Në këtë mauzoleum ndodhen varret e 9 perandorëve që udhëhoqën gjatë ekzistencës së Mbretërisë Xia. Muzeu shtrihet në një sipërfaqe prej 53 km katrorë dhe varret e perandorëve ndodhen në ndërtesat e ngjashme me piramidat e Egjiptit, ndaj ato quhen "Piramidat e Kinës".

Një ndër këto monumente është Varri Tai, ku prehet perandori themelues i Xias, Li Yuanhao (1003-1048) me një mbishkrim të poetit kinez Chen Yunhe, ku shkruhet: "Të vetmuar dhe plot trishtim, këto varre flasin për historinë e shkuar të humbjes së një mbretërie."

Në Rajonin Autonom të Ningxia-së një grup i madh etnik e përbën popullsia Hui. Aktualisht në Ningxia jetojnë mbi 2.3 milion banorë të pakicës Hui, të cilët përbëjnë 36% të popullsisë së Rajonit.

Shumë banorë Hui janë të besimit islam dhe në kryeqendrën Yinchuan sinjalistika rrugore është e shkruar në gjuhët kinezisht dhe arabisht. Kur shëtit në rrugët e këtij qyteti të zë syri njerëz të veshur me të bardha sipas riteve myslimane.

Një tjetër veçori e këtij ndikimi të fesë islame janë dhe restorantet me kuzhinë myslimane, ku nuk shërbehet alkool dhe ku gatimi kryesor është me mish qingji. Në Parkun Kulturor Hui, një konte pranë qytetit Yinchuan ndodhet një destinacion turistik me karakteristika islame, ku vizitorët mund të mësojnë shumë rreth traditave të popullsisë Hui.

Ndërtesa e lartë e bardhë sipas stilit islamik është tepër e veçantë dhe nuk gjendet në vende të tjera në Kinë.

Brenda kësaj godine ndodhet një sallë prej 7 mijë metrash katrorë e cila ngjan me sallën qendrore të Xhamisë Blu të Stambollit.

Lumi i verdhë dhe rëra e verdhë

Zhongwei është një qytet në jug të Ningxia. Pas një udhëtimi 2 orësh me tren nga Yinchuan arrihet në stacionin Shapotou, zona e 5-të turistike në vend, ku mund të vizitosh pjesën juglindore të Shkretëtirës Tengger, përmes së cilës kalon Lumi i Verdhë. Shapotou shquhet për bukurinë e tij natyrore, ku ndërthuren lumi dhe shkretëtira në një harmoni të përsosur.

Turistët që vizitojnë Shapotou mund të shëtisin me motorrë uji në lumen e verdhë, por edhe mund të bëjnë serf në rërën e shkretëtirës.

Nga varret solemne të perandorëve, në parqet e mrekullueshëm dhe ndërthurjen e kulturave Ningxia është një parajsë e vërtetë për turistët. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China