20150706Hotpotp2 |
Për të rinjtë e sotëm kinezë të kalosh ditën pa përdorur rrjetet sociale si WeChat dhe Sina Weibo është një gjë e rrallë. Ndërsa 29 vjeçari Song Feng, punonjës IT ka provuar të kundërtën. Ai ka fshirë të gjitha aplikimet app nga telefoni i tij prej 6 muajsh, pasi arriti në përfundimin se po "çmendej prej tyre".
E dashura e tij Wang është shumë e dhënë pas mediave sociale dhe nuk humbet asnjë ditë pa botuar diçka në internet nga jeta e përditëshme e saj apo edhe e miqve të saj. Song tregon se e dashura Wang ndiqte çdo postim të tij në rrjetet sociale dhe e analizonte me imtësi çdo mesazh apo publikim të tij. Songu tregon se kishte filluar të kishte frikë të postonte të rrjetin social të Kinës WeChat Moments ndonjë status apo foto, sepse e dashura Wang niste debatet me të, madje deri duke vënë në dyshim dashurinë dhe besnikërinë e tij.
Ai kujton se ka patur shumë zënka me të dashurën Wang për shkak të Wechat-tit dhe postimeve të tij në të. Madje ai thotë se për hir të së dashurës ai shpesh here detyrohej të postonte dhe veprimtari që lidheshin me përditëshmërinë e tyre, por që nuk ishte aspak dakord ti bënte publike. Në të kundërt e dashura e tij Wang postonte çdo veprimtari të tyre gjatë kohës së lire në rrjetet sociale. Për shkak të keqkuptimeve midis Songut dhe të dashurës së tij Wang për shkak të rrjeteve sociale, çifti i të dashuruarve u nda. Shkak për këtë ishte bërë se e dashura e tij Wang kishte zbuluar se i riu Song vazhdonte të komunikonte në rrjetet sociale me ish të dashurën e tij. Songu është i mendimit se jeta private nuk duhet përfshirë në ndjekjen e rrjeteve sociale, pasi është e lehtë të humbësh partneren për shkak të tyre. Ai madje sugjeron se kohën që të rinjtë në përgjithësi ia kushtojnë rrjeteve sociale është më mirë tia kushtojnë prindërve, të afërmve dhe miqve në jetën reale.
Mediat sociale shkurtojnë distancën midis njerëzve që jetojnë larg, por për disa çifte ato sjellin pasoja negative në marrëdhënie,madje deri në divorc. Duke e pare konkretisht këtë rrezik shumë njerëz kanë nisur të ulin kohën e shpenzuar në mediat sociale, madje disa prej tyre I kanë braktisur tërësisht ato.
Shirley Yang, është një 27 vjeçare nga Shangai e cila e kishte braktisur prej një viti rrjetin social që frekuentonte. Para dy vjetësh ajo njohu ish bashkështortin në rrjetin social douban.com dhe ata u martuan pas 3 muaj njohjeje. Por martesa e tyre zgjati vetëm 6 muaj.
Yang tregon se kjo eksperiencë e shkurtër martesore i tregoi dy gjëra. Së pari, gjetja e një partneri online është një rrezik i madh. Së dyti, shumica e atyre që janë të varur nga rrjetet sociale, në jetën e përditëshme janë krejt të ndryshëm nga ajo që shfaqen në to.
Një sondazh i kryer me 1,953 të rritur të cilët janë ndarë nga partnerët gjatë 2 viteve të fundit, i kryer në janar të këtij viti në Britaninë e Madhe nga website VoucherCodesPro tregon se mbi 40% e tyre e kishin takuar partnerin në mediat sociale dhe kryesisht në Facebook, Twitter dhe Instagram, kurse 1/5 e tyre kishin nisur lidhjen pa e njohur fare më pare njeri-tjetrin.
Megjithatë, fansat e mediave sociale dhe ekspertët e martesave mendojnë se grindjet apo ndarjet e çifteve me pretekstin e rrjeteve sociale tregojnë se kanë ekzistuar shkaqe të tjera mes çiftit që pjesmarrja në këto rrjete i ka nxitur deri në ndarje.
Meng Lu, është një këshillues psikolog nga Pekini i tha gazetës Metropolitan se disa marrëdhënie në çift ose martesa kanë problem dhe mediat sociale thjesht ndikojnë në nxjerrjen e tyre në sipërfaqe. Sipas Meng, çelsi i një marrëdhënie të suksesshme është mirëkuptimi dhe arësyeja e dështimit të një marrëdhënieje është shumë e komplikuar, kurse rrjetet sociale thjesht janë një pretekst.
Sipas Mengut fshirja e postimeve nga ana e përdoruesve të rrjeteve sociale, apo largimi prej tyre bëhen shkak për gjendjen e tyre emocionale të ankthit dhe kjo është e ngjashme me djegien e letrave apo të fotove të ish partnerëve në kohën kur internet nuk ekzistonte.
I riu kinez Song e takoi për here të pare vajzën që sot është dashura e tij Zhang, në muajin prill ndërsa vizitonte një panair libri. Të dy të rinjtë donin të blinin të njejtin libër, por kishte mbetur vetëm një kopje e tij. Songu tregon se e la vajzën ta blinte ajo librin, por e pëlqeu vajzën dhe i kërkoi numrin e telefonit. Ajo pranoi dhe kështu të rinjtë pas një jave u takuan në Bibliotekën Kombëtare, pasi vendosën të lexonin librin së bashku. Sipas Songut kështu nisi njohja me Zhang përmes një interesi të përbashkët për leximin dhe braktisja e rrjeteve sociale ka ndikuar pozitivisht në sjelljen e tij. Ndërsa psikologu Meng është i mendimit se njerëz si i riu Song që kanë eliminuar rrjetet sociale nga jeta e tyre, po përballen me sfidën e përballimit të përditshmërisë pa jetën virtuale. Mungesa e rrjeteve sociale në një marrëdhënie krijon mundësi më të mëdha për një komunikim ballë për ballë të njerëzve, thotë psikologu Meng.
Kur dikush krijon një lidhje dashurie nuk ka pse të braktisë rrjetet sociale, këshillon psikologu Meng. Sipas tij nëse individi e përdor në mënyrë korrekte median sociale ajo do të ndihmojë në një marrëdhënie të shëndetëshme të tij me partnerin apo partneren. Ai shton se partnerët nuk duhet të gjurmojnë njeri-tjetrin përmes rrjeteve sociale dhe as të gjykojnë integritetin e tij përmes një postimi. Psikologu thotë se rëndësi ka të njohësh partnerin apo partneren në jetën reale, përsa i përket karakterit të tyre, pasioneve, mendimeve dhe jo bazuar në sjelljen e tyre në rrjetet sociale. Meng thekson se në një marrëdhënie mirëkuptimi dhe besimi i ndërsjelltë janë themelet e lidhjes. Këto janë dy parime themelore të cilat duhen patur parasysh pavarësisht rrjeteve sociale. (Eda Merepeza)