20150629burrat |
Kritikat e saj për paraqitjen e jashtme të bashkëshortit pasqyrojnë dhe opinionet e shumë femrave të tjera për meshkujt kinezë. Ato mendojnë se atyre u mungon sensi i paraqitjes së jashtme sa më tërheqëse.
Yu Lingyuani, drejtor i modës pranë revistës britanike "For Him Magazine"(FHM) thotë se krahasuar me femrat kineze, meshkujt kanë shumë për t'u përmirësuar, në drejtim të veshjes. Profesori i psikologjisë Zhang Jiehai pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Shangait ka zhvilluar një studim ndërkulturor, sipas të cilit, në sytë e femrave të huaja, meshkujt kinezë shpesh lenë përshtypjen e njeriut të pakujdesshëm për pamjen e jashtme dhe sjellje. Ndër kritikat e tyre është se meshkujt kinezë duken " jo shumë të pastër", "mbajnë thonj të gjatë" etj.
Kjo temë ka qenë në fokus të opinionit publik në vitin 2013, kur një artikull në një rrjet social kritikoi lidhjen e dobët të meshkujve kinezë për modën, madje arrihej deri aty sa thuhej se ata "nuk i meritojnë femrat e bukura kineze". Në këtë artikull vihej në dukje se në rrugët e Shangait sheh femra kineze elegante në veshje dhe të trukuara me kujdes. Por burrat në krah të tyre, nuk kanë pamje dhe as veshje të kombinuar me femrat.
Sipas një sondazhi të publikuar vjet nga gazeta e përditshme e qytetit bregdetar Guangzhou "Guangzhou Daily", afro 60% e të intervistuareve femra ishin dakord me këtë koment. Por mbi 70% e të intervistuarve meshkuj ishte kundër.
Në prillin e këtij viti, në një artikull të botuar në gazetën "Nandu Daily" të provincës Guangdong trajtohej sërish kjo dukuri. "Pse meshkujt kinezë nuk kanë paraqitje të bukur"? Qindra mijëra përdorues të internetit shprehën kritika ndaj stilit të prerjes së flokëve ose kujdesit ndaj fytyrës që mungon te meshkujt kinezë.
Lidhur me këtë argument ka opinione pro dhe kundër. Han Bing, 27 vjeçar i punësuar në sektorin financiar Pekin thotë se nëse i krahason meshkujt kinezë me ata perëndimorë, nuk mund të thuhet se kinezët vishen keq. Madje Han kujton se kur jetonte në Britani apo gjatë udhëtimeve në SHBA ka parë shumë meshkuj që nuk kujdeseshin për veshjen apo pamjen në përgjithësi.
29 vjeçarja studente e anglishtes me pseudonimin, Sally Bennett, nga Pekini e kundërshton opinionin e përgjithshëm, sipas të cilit meshkujt kinezë janë indiferentë ndaj modës. Sipas saj, në Australi apo Britani, nuk është një gjë e rrallë të shohësh meshkuj me pizhama që ecin zbathur në qendra tregtare.
Sipas Sally-t në Kinë ka shumë meshkuj që kujdesen për pamjen e jashtme dhe përpiqen të përsosen më tej".
Pavarësisht mungesës ose jo të vëmendjes së meshkujve kinezë ndaj pamjes së jashtme, fakt është se gjithnjë e më shumë prej tyre po ndjekin kurse për të përmirësuar paraqitjen.
Yang Xin, është trajnuese e një kursi njëmujor në qytetin Wu Han të Kinës Jugore. Sipas saj, në vitin 2012, ajo kishte vetëm 40 kursantë në muaj, por tani numri i tyre është trefishuar.
36 vjeçari He Meng e mbaroi këtë kurs gushtin e kaluar. Ai vendosi ta ndjekë atë pasi krijoi firmën e vet. "Veshjet e mia në të kaluarën nuk përshtateshin me punën që kryej aktualisht, pasi marr pjesë në mbledhje biznesi apo takime pune ", thotë Hë. Në kurs ai mësoi si të zgjedhë kostumin, kravatën, këpucët, rripin si dhe përshtatjen e modeleve apo ngjyrave. Sipas tij, në kurs mësoi si të sillet më mira në publik, qoftë për tonin e zërit apo mënyrën e të folurit.
Yu Lingyuani, drejtor i modës thotë se pritet që ky ndryshim të ndodhë në masë të gjerë. "Kina po zhvillohet ekonomikisht dhe shijet e njerëzve duhet të jenë në krah të modës", thotë ai.
Lidhja e qytetarëve të një vendi me modën nuk mund të ndahet nga historia e tij dhe në këtë rast kujtojmë se Kina ka një histori dhe kulturë mijëravjeçare.
Profesori i asociuar i Universitetit Pedagogjik të Kinës Jugore, Chi Yuka, vuri në dukje se që nga lashtësia talentet e meshkujve konsiderohen si më të rëndësishme se bukuria, që ishte një tipar femëror.
Në traditën e lashtë nuk kishte rëndësi nëse një mashkull ishte i pashëm apo i shëmtuar, por ai duhet të ishte i talentuar dhe i aftë. Nga ana tjetër, z. Chi vuri në dukje se edhe gjatë evolucionit shoqëror, ndër epërsitë kryesore të meshkujve renditen vetëm aftësitë e tyre për të fituar burime jetese. Të qenët i pashëm nuk i shërbente një burri, që nuk ishte i aftë.
Ndërsa, Nie Jing, këshilltar i Qendrës së Shëndetit Psikologjik, pranë Universitetit të Pekinit thotë se femrat tërhiqen më shumë nga dukja, por meshkujt kinezë pamjes së jashtme nuk i kushtojnë vëmendje të veçantë. Ata duan më shumë të tregojnë aftësi të tjera. Por, sipas Nie, paraqitja e jashtme e një personi tregon jo vetëm rëndësinë që ai i kushton vetes, por është shprehje e respektit ndaj të tjerëve. "Koncepti tradicional që vlerëson meshkujt vetëm nga aftësitë, mund të shihet si një justifikim i burrave kinezë për bukurinë fizike ", shtoi ai.
Megjithatë, nuk duhet shpërfillur rezultati i sondazhit të sipërpërmendur, sipas të cilit në të gjitha familjet e intervistuara, 38% e shpenzimeve përballohen nga meshkujt, kurse vetëm 10% nga femrat. Prandaj është e lehtë për tu kuptuar se mbi 86% e të intervistuarve meshkuj thanë se shpenzimet e tyre për veshje apo artikuj kozmetikë zënë më pak se 10% e të ardhurave të tyre mujore.