PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kurrë nuk jam e hollë sa duhet
2015-06-01 16:36:52 CRI Komenti juaj Printoni

Edhe pse është elegante, madje më shumë se sa duhet, 26 vjeçarja Mumu nga qyteti Taiyuan, kryeqendër e provincës Shanxi të Kinës Veriore, përpiqet të humbë peshë.

"Mund të qëndroj pa ngrënë për tre ditë, duke pirë vetëm ujë", tha Mu, pesha e së cilës është vetëm 36 kilogramë. "Asgjë nuk më gëzon më shumë se sa kur shoh se bëhem më e lehtë, kur rri mbi peshore", shtoi ajo. Por, mania e saj shkakton edhe probleme: Ajo inatoset lehtë, mërzitet, ka dhimbje koke të shpeshta, tension të ulët të gjakut dhe ndërprerje të ciklit menstrual.

Ndonëse i shoqi dhe prindërit e qortojnë, madje e lusin të hajë, Mu nuk i dëgjon. "Nuk dua të ha asgjë gjatë ditës. Ndonjëherë kur jam e uritur ha diçka të vogël, por më vret shumë ndërgjegja për këtë veprim ", thotë ajo.

Sipas Mumu-së, njerëzit normalë nuk mund ta kuptojnë maninë e saj për të humbur peshë, sidomos të moshuarit. Në kujtimet e tyre uria është diçka e dhimbshme që lidhet me të kaluarën e viteve 50-të -60-të të shekullit të kaluar, kur uria shkaktoi shumë viktima në krahina të ndryshme të vendit. Për të moshuarit është e pakuptueshme se si të rinjtë e sotëm duan të dobësohen pa tjetër, ndërkohë që kinezët kanë bërë shumë përpjekje për të zgjidhur problemin e ushqimit.

Në Kinën e sotme shumë vajza të reja barazojnë dobësinë trupore me bukurinë. Mumu mendon se ajo nuk ka problem pavarësisht nga ana fizike apo mendore. Por sipas psikologut Song Zhenzhu nga Spitali Nr.1 i Sëmundjeve Mendore i qytetit Qiqihar të provincës Heilongjiang, Mu është prekur nga një sëmundje serioze mendore që quhet "anoreksi-nervore" për shkaktimin e çrregullimit të ngrënies nga mania e humbjes së peshës.

Në botën perëndimore, njoftimet masive mediake mbi çrregullimin e ngrënies filluan nga vitet e 80' të shekullit të kaluar, pas vdekjes së këngtares së njohur amerikane Karen Carpenter nga komplikacionet e lidhura me anoreksinë. Tani, artiste të njohura si Lady Gaga, Lindsay Lohan dhe Jessica Alba kanë pohuar eksperiencën e vuajtjes nga çrregullimi i ngrënies. Në Britani, gati 2.5% e popullsisë preket nga simptoma të ngjanshme, vetëm 11% e të cilëve janë meshkuj. Kurse, në Francë ka afro 40 mijë të prekur nga anoreksia, 90% e të cilëve janë të rinj.

Për të kundërshtuar publicitetin që u bëhej trupave shumë të hollë, më 3 prill të këtij viti, parlamenti francez miratoi një projekt-ligj që ndalon kompanitë e modës të punësojnë modele anoreksike. Madje ligji përcakton se vajzat që duan të bëhen modele duhet të paraqesin një vërtetim mjekësor ku treguesi i masës trupore ( BMI) është mbi 18, gjë që do të thotë se pesha e një modeleje me gjatësi 1.75 metra duhet të arrijë deri në 55 kilogramë.

Në Kinë krahas zhvillimit ekonomik është përhapur dhe prirja e anoreksisë. Sipas të dhënave statistikore nga Qendra e Shëndetit Mendor e Shangait, në 10 vjetët fundit, numri i pacientëve të prekur nga anoreksia që trajtohen në spital u katërfishua në krahasim me 10 vjetët e mëparshëm.

Kurse, rezultatet e një sondazhi të kryer në vitin 2013 zbuluan se ndër 206 studentet e intervistuara, 17% e tyre kishin shfaqur simptom "jotipike" të çrregullimit të ngrënies.("Jotipik" do të thotë prirje e prekjes nga sëmundja në të ardhmen.)

Ndër to, shumë vajza ishin elegante, por mendonin se ishin të shëndosha. Një pjesë e madhe e tyre mendonin se nuk kishin një pamje tërheqëse,por edhe as mjaft të mira në aftësitë komunikuese. Standardet e tyre estetike për peshën e trupit janë ndikuar nga reklamat e modeleve super të holla. Për këto studente kineze, sa më e hollë fizikisht të jesh, aq më bukur dukesh.

Psikologu Song është i mendimit se paraqitja e shumë modeleve të holla në media mund të shkaktojë "njëanshmëri njohëse"(cognitive biases), duke bërë që femrat të kufizojnë shumë ngrënien dhe të preken nga anoreksia. Kurse, si shkaqe të tjera ai rendit prishjen e marrëdhënieve të ngushta sociale për shkak të imazhit ose peshës.

Sipas tij, ata që kanë më pak vetëbesim ose janë perfeksionistë të tepruar, preken më lehtë nga çrregullimet e ngrënies. Ndërsa, Mumu duke folur për mediat shton se këmbëngulja e saj për humbjen e peshës nisi para dy vjetësh, kur nda me të dashurin e atëhershëm. "Ai i kishte thënë se isha shumë e shëndoshë", tha ajo. Sipas saj, nëse do të ishte elegante, i dashuri nuk do ta linte. Tani, si paciente tipike e anoreksisë, Mu refuzoi të vizitohej te mjeku dhe të trajtohej, pasi mendon se nuk është sëmurë.

Lidhur me këtë, psikologu Song thotë se familja duhet të luajë një rol të rëndësishëm në ndërhyrjen paraprake. "Nëse ata nuk janë në gjendje ta bindin vajzën e tyre të shkojë te mjeku, të paktën ta inkurajojnë të bisedojë me psikologët", shtoi Song. Sipas tij, anoreksia-nervore është shumë e rrezikshme sepse ndër të gjitha sëmundjet mendore shënon vdekshmërinë më të lartë. Sipas të dhënave statistikore, nga 5-20% e pacientëve të diagnostikuar me anoreksi kanë vdekur nga komplikacionet e ndryshme ose vetëvrasja.

Psikologu Song kundërshton idenë e zakonshme se çrregullimi i ngrënies nuk mund të shërohet. Sipas tij aktualisht po përdoren dy trajtime me efekte të dukshme.

I pari është CBT(Cognitive Behavioral Therapy) për minimizimin dhe ndryshimin e mendimeve negative të të sëmurëve ndaj trupit të tyre, duke i bindur për dëmet që shkakton çrregullimi i ngrënies .

I dyti është FBT(Family-Based Treatment). Në të, familjarët luajnë një rol aktiv për rikthimin në nivel normal të peshës. Kjo terapi ka dalë më efektive për pacientët adoleshentë. Të dhënat treguan se së bashku me prindërit, 80% e të sëmurëve të mitur u shëruan plotësisht.

Përsa u përket atyre që janë prekur nga komplikacionet psikologjike të anoreksisë, psikologu Song tha se mjekët duhet të përdorin në radhë të parë mjekimet për të stabilizuar gjendjen mendore dhe pastaj devijimin e vëmendjes nga koncepti i gabuar. "Nëse pacienti është në gjendje të rënduar fizike menjëherë i duhet injektuar ushqim në vena, për ta sjellë në gjendje normale shëndetësore.", këshillon psikologu.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China