20150518hotpot01 |
Çdo javë 25 vjeçarja pekinase Kate Chen, me profesion nëpunëse shpenzon gjysmë dite në internet. Ajo viziton site të ndryshme, portale lajmesh por dhe qëndron me orë të tëra në rrjetet sociale të Kinës.
"Në mënyrë të pavetëdijshme përdorimi i interentit u bë një rutinë e përditshmërisë sime. Ndonjëherë pa e kuptuar fare unë konstatoj se kam harxhuar gjysmën e ditës në internet gjatë orarit të punës, pa bërë asgjë tjetër," thotë Kate.
Kate vuan nga simptoma "cyberloafing" që në shqip mund të përkthehet "humbje kohe në internet" dhe ajo nuk është e vetmja. Sipas një studimi të kryer në vitin 2013 nga Universiteti amerikan I Kansasit 60 deri në 80% e nëpunësve civilë shpenzojnë orë të tëra në internet jo për motive pune, por gjatë orarit të punës, raporton Daily News.
Tashmë sindroma "Cyberloafing është përhapur botërisht, pasi kudo njerëzit lundrojnë në internet, pa dallim moshe, kombësie, niveli shoqëror. I pyetur për këtë dukuri e cila është përhapur mjaft dhe në Kinë psikologu Chen Zhilin shprehet se dy faktorët që ndikojnë më shumë në këtë dukuri janë gjendja shpirtërore e individit dhe mungesa e gjumit.
Kur e pyesin protagonisten e këtij artikulli, pekinasen Kate për gjendjen e saj shpirtërore ajo tregon se këto ditë është ndjerë e trishtuar për shkak të ngordhjes së qenit të saj të dashur. Madje ajo tregon se ndonëse shefi i kishte ngarkuar si detyrë të shkruante një raport ajo për dy ditë rresht nuk mundte ta realizonte atë por humbiste kohën në internet.
Kate tregon se shumë nga kolegët e saj por edhe miqtë janë të prekur nga "cyberloafing", kryesisht kur ata ndjehen të mërzitur apo me problem të tjera në punë, apo familje.
"Humbja e qenit tim të dashur më trishtoi pamasë dhe ndërsa qëndroja me orë të tëra në internet duke lexuar lajme nga showbiz apo duke ndjekur miqtë e mi në rrjetet sociale, sikur e kaloja këtë gjendje", shprehet Kate.
Mendimi i psikologut
Psikologu Chen shpjegon se në rastin e Kate, sindroma "cyberloafing" është shfaqje e gjetjes së një shtegu për të shpëtuar nga emocionet negative.
"Gjendja jo e mirë shpirtërore të çon në cyberloafing," thotë psikologu Chen, duke shtuar se me një laptop apo cellular në dorë, njerëzit shpresojnë të çlirohen nga emocionet negative, thjesht duke lundruar në internet. Zakonisht me këtë mënyrë njerëzit bëhen gjithnjë e më shumë depressive, pasi ata nuk përballojnë shkaqet e vërteta të depresionit të tyre.
Pagjumësia është një tjetër shkak i "cyberloafing". Sipas një studimi të publikuar në Journal of Applied Psychology, në vitin 2012, sa mëpak orë gjumë të bëjë njeriu, aq më I lodhur do të jetë gjatë orarit të punës dhe do të ketë një prirje të shtuar për të qëndruar kot në internet.
Sipas psikologëve gjumi i mirë është një nga faktorët e rëndësishëm që ndikon në vetëdisiplinimin e individit.
"Është si një rreth vicioz. Personat e prekur nga Cyberloafing shpresojnë se qëndrimi kot në internet do tu ngrejë gjendjen shpirtërore, thotë psikologu Chen. Sa here që ata shpenzojnë kohën kot në internet, ata mendojnë se gjendja e tyre është përmirësuar, por ky është vetëm një iluzion. Ata duhet të rikthehen në realitet dhe ta pranojnë atë. "
Nëse dukuria "cyberloafing" ndikon jetën dhe punën tuaj, ose nëse emocionet negative nuk ju ndahen prej disa kohësh, ju duhet të këshilloheni me një psikolog, këshillon nga ana e tij psikologu kinez Chen.
Sipas tij mënyra më efikase për të shpëtuar nga "cyberloafing" është rikthimi në jetën reale, nëpërmjet komunikimit me botën reale që të rrethon. Kur e ndjeni se nuk ju intereson asgjë dhe shpenzoni orë të tëra pa dobi në internet, psikologu këshillon të dilni nga ambjenti i mbyllur dhe të takoni miqtë tuaj ose shëtisni. Përpiquni të largoni laptopin ose celularin nga dora juaj dhe të flini me orar të plotë. Përpiquni të drejtoni emocionet, duke kryer veprimtari fizike si vrapimi apo ecja e shpejtë në natyrë, banjot e diellit, noti, madje edhe duke qëndruar në park e duke soditur natyrën. Të gjitha këto do të ndihmojnë të mos bëheni skllevër të internetit.
Një tjetër psikolog kinez, njëherësh nutricionist Sun Tao ka deklaruar për "Metropolitan" se edhe ushqimi mund të ndihmojë në përmirësimin e emocioneve apo të vetëdisiplinimit të individit , duke ndikuar në uljen e varësisë nga internet apo "cyberloafing".
"Disa njerëz mendojnë se biskotat apo çokollata rregullojnë menjëherë gjendjen emocionale dhe të vetëkontrollit, pork jo është diçka e përkohëshme. Për të arritur në një përmirësim afatgjatë të emocioneve, njerëzit duhet të ushqehen shëndetshëm, duke konsumuar më shumë zarzavate, apo vitamina të grupit B, si dhe drithëra, këshillon Sun.
Jeta moderne me dinamizmin e saj na përball gjithnjë e më shumë ku dukuri të reja, por varësia nga interneti dhe telefoni celular është bërë një dukuri mbarëbotërore, që përfshin pothuajse të gjithë individët. Gjithnjë e më shumë njihemi me këto dukuri që në fakt i kemi pjesë të përditshmërisë sonë, ashtu si pa kuptuar. Një ndër to është dhe shpenzimi i kohës pa dobi në internet. (Eda Merepeza)