20150518student |
Në vitin 2014, numri i studentëve të huaj në Kinë arriti në 377 mijë, shifër kjo 5.77% më e lartë se në vitin 2013. Lajmi u bë i ditur në fund të prillit nga Ministria e Arsimit e Kinës.
Sipas të dhënave mbi 370 mijë studentë nga 203 vende e rajone të botës studiojnë në 775 shkolla të larta, institute kërkimore në 31 provinca të Kinës. Ndërsa, 9.8% e tyre janë me bursa nga qeveria kineze.
Korea e Jugut, ShBA-ja dhe Tajlanda janë burimet kryesore të studentëve ndërkombëtarë në Kinë. Por, sipas Ministrisë së Arsimit, megjithëse numri i përgjithshëm i studentëve të huaj është rritur shpejt, gjithnjë e më pak prej tyre zgjedhin si destinacion shkollor metropolet si Pekini, Shangai etj.
Ndër 377 mijë studentët e huaj, të regjistruar në vitin 2014 në pjesën kontinentale të Kinës, 20 mijë studiojnë në kryeqytetin Pekin, ose 3364 më pak se në vitin 2013. Ndërkohë, numri i studentëve të huaj të pranuar nga universitetet në provincën Jiangsu të Kinës Lindore, provincën Liaoning të Kinës Veriore dhe provincën Shandong është rritur ndjeshëm.
"Vura re se gjithnjë e më shumë studentë të huaj preferojnë të studiojnë në qytete jo kryesore të Kinës" tha z. Xiong Bingqi, drejtor i Institutit Studimor të Edukimit të Shekullit 21-të, një organizatë jofitimprurëse e krijuar në vitin 2002, për të ndjekur dhe analizuar politikat arsimore në mbarë vendin.
22 vjeçarja Denise Amoruso nga Italia është studente e Universitetit Pedagogjik të Kunming-ut. Ajo tha se zgjodhi Kunming-un, kryeqendër e provincës Yun'nan të Kinës Jugperëndimore por jo Pekinin apo Shangain për të shmangur numrin e madh të të huajve në këto metropole.
"Zgjodha Kunming-un sepse këtu ka më pak të huaj në krahasim me Pekinin dhe Shangain. Prandaj, mund të kem më shumë kohë dhe shanse të komunikoj me banorët vendës dhe të praktikoj gjuhën kineze. Nga ana tjetër, mendoj se qytetarët në Kunming janë më miqësorë dhe janë gjithmonë të gatshëm të më ndihmojnë në njohjen e zakoneve kineze", tha Denise.
Në fakt, Amoruso, e cila fitoi një bursë të Institutit të Konfucit pohoi se në fillim, ajo dëshironte të studjonte në Universitetin e Kulturës dhe të Gjuhës të Pekinit,por pastaj ndërroi mendje.
Në vitin 2013, para aplikimit për studime, Amoruso bëri një vizitë turistike dyjavore në Kinë, duke udhëtuar nga Pekini në veri deri në Shangai në jug."Shumica e banorëve në qytetet e mëdha janë mësuar të kenë kolegë, apo fqinjë, miq të huaj. Ata kanë mjaft eksperienca të udhëtimeve jashtë vendit. Prandaj, nuk kanë shumë kuriozitet për të huajt. Kurse banorët në qytete më të vogla janë ndryshe. Përveç kësaj, në Kunming ka ajër të pastër dhe klima mjaft e mirë ", tha Denise .
Lidhur me këtë, eksperti Xiong Bingqi shtoi se qeveritë lokale në qytetet e mesme dhe të vogla të Kinës kanë bashkëpunuar edhe me shkollat e larta vendore për të tërhequr më shumë studentë të huaj. Që nga viti 2010, qeveria provinciale e Jiangsu-së ka krijuar një bursë me investim vjetor prej 2.42 milionë dollarësh amerikanë për studentë të huaj. Në këtë drejtim financohen njëkohësisht mësimdhëniet e 1500 lëndëve në gjuhën angleze në universitetet e kësaj province.
Giulia Cipollone, 20 vjeçe nga Italia po studjon me bursë në degën e biznesit ndërkombëtar në Universitetin Yun'nan. Ajo tha se përveç motit të butë dhe shumëllojshmërisë etnike vendëse, zgjodhi Kunming-un dhe jo ndonjë metropol kinez pasi këtu ka më shumë shance për të ardhmen e saj."Tani, qytetet jo kryesore të Kinës si Kunmingu janë në zhvillim e sipër. Dua të merrem me tregti pas diplomimit. Prandaj, këtu mund të kuptoj më mirë ekonominë kineze sidomos zhvillimin e saj në qytete dhe qyteza të vogla në Kinë", tha Giulia.
Z. Xiong tha se mendimi i Giulias është një ndër arsyet kryesore përse studentët e huaj interesohen të studjojnë jashtë Pekinit dhe Shangait. Sipas tij, ndërmarrjet ndërkombëtare kanë krijuar degë në qytete të mesme dhe të vogla të Kinës, prandaj vendet e mundshme të punës janë një faktor që tërheq studentë të huaj.
Sipas një raporti të publikuar në mes të vitit 2014 në gazetën "Western China Metropolis Daily", kur shumica e 500 kompanive më të fuqishme krijuan selitë e tyre në Pekin dhe Shangai, 269 prej tyre kanë hapur edhe zyra në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore.
Mirëpo, Amoruso tregon se të studjosh dhe jetosh në qytete të vogla të Kinës ka dhe disfavore.
"Shumica e pedagogëve nuk flasin anglisht. Kjo duhet të jetë një gjë e mirë sepse të detyron të mësosh kinezisht. Por kur ata na mësojnë gramatikë, nuk kuptoj asnjë fjalë", ankohet Amoruso. Sidomos pas bisedave me miqtë që studiojnë në Pekin, ajo vërn se ata mësojnë më shpejt dhe më shumë.
Sipas saj, një tjetër vështirësi e të jetuarit në këto qytete është gjetja e një mjeku që flet anglisht .
Ndërsa, Sam Buckner, 26 vjeçar që studjoi një vit gjuhën kineze në Institutin Huangshan të provincës Anhui të Kinës Qendrore ankohet se megjithëse Huangshani është një qytet i mirë për studim, atje nuk ka shumë shanse pune në kompani, pasi mori çertifikatën e njohjes së gjuhës. Ai tani punon në Pekin si agjent shitjeje i pronësisë së patundshme.
Për këtë, z. Xiong tha se çdo student është para situatave specifike. Për sa i përket eksperiencës së Buckner-it, vështirësitë e gjetjes së punës shkaktohen nga gjendja vendore dhe fusha që studenti synon të punësohet. "Huangshani është një qytet i vogël në Kinë me një popullësi afro 1 milion banorë. Shtylla ekonomike është turizmi prandaj atje nuk ka shumë vende pune për të huajt", tha z. Xiong.
Mirëpo, megjithëse numri i studentëve të huaj po shtohet, shpejtësia e rritjes ka shfaqur prirje ngadalësimi."Nga viti 2012 deri në 2013, përqindja e rritjes ishte 8.6%. Kurse nga viti 2013 deri në vitin 2014, kjo shifër ishte vetëm 5.8%", tha z.Xiong.
Për të shpejtuar hapjen e mëtejshme ndaj botës në fushën e arsimit, qeveria kineze dhe institucione të tjera po thjeshtojnë procedurat, dhe po shtojnë bursat. Por z. Xiong vuri në dukje se përmirësimi i infrastrukturës universitare është me rëndësi pasi i bën shkollat e larta më tërheqëse. "Universitetet pavarësisht në qytete të mëdha apo të vogla duhet të ofrojnë më shumë lëndë në gjuhën angleze. Duhet të krijojnë edhe lidhje me më shumë universitete të huaja, në mënyrë të që njihen reciprokisht diplomat dhe notat për të lehtësuar studimet e të huajve në Kinë", shtoi specialisti i politikave arsimore Xiong.