20150413Hotpot01 |
Stina e pranverës, veçanërisht në pjesën veriore të Kinës ka mot me erë. Një kohë ideale për balonat fluturuese. Këtë përvojë të këndëshme ndanë të shtunën e 11 prillit banorë të Pekinit, rreth 200 ekspertë të huaj që punojnë dhe jetonë në metropolin kinez si dhe organizatorët e "Festivalit ndërkombëtar të balonave në Pekin".
Në "Garden Expo" një park gjigand i distriktit Fengtai të Pekinit startoi veprimtaria e përvitëshme e garës së balonave, mes entuziasmit të pjesmarrësve të shumtë. Pekinas të moshave të ndryshme kishin ardhur në park me balona të përmasave të ndryshme, secila duke paraqitur një simbol të kulturës kineze. Dragonj, personazhe të legjendave kineze, apo të Operas së Pekinit, por dhe kompozime të shpendëve, apo balona me karakter humoristik mbushën qiellin e parkut në atmosferën muzikore dhe entuziasmin e pjesmarrësve.
Ceremonia nisi me përshëndetjen e organizatorëve të Festivalit të Balonave si dhe përfaqësuesve të distriktit Fengtai dhe Shoqatës së Miqësisë.
Rreth 200 të huajt, ekspertë të institucioneve të ndryshme në Pekin, mes të cilëve dhe rreth gazetarë të Radios së Jashtme të Kinës (CRI) nga Bangladeshi, Brazili, Vietnami, Argjentina, Rumania, India, Pakistani, Shqipëria, Senegali, Nepali, Japonia, Korea e Jugut, Bjellorusia, Polonia etj, pas vizitës në ekspozitën e balonave të pjesëmarrësve në Festival, nisën të krijonin balonat e tyre. Organizatorët na erdhën në ndihmë për të gjithë procesin e krijimit të balonave dhe ishte vërtet një përvojë e këndëshme por dhe gazmore. Më pas në një atmosferë mjaft festive nisi ngritja e balonave.
Mijëra fotografi u realizuan me nisjen e ngritjes së balonave dhe shumëllojshmëria e tyre ta vështirësonte zgjedhjen.
Garuesit në Festën e Balonave
42 ngritës balonash nga Kina por dhe të ardhur për këtë Festë nga Korea e Jugut, Malajzia, Tajlanda, Kanadaja, SHBA-ja morën pjesë në këtë veprimtari në distriktin Fengtai të Pekinit.
Disa prej tyre ishin veshur me kostume karakteristike të vendeve që përfaqësonin, madje dhe balonat e tyre ishin mjaft përfaqësuese. Më tërhoqi vemendjen një balonë me përmasa të mëdha ku dukej një çift i qeshur dhe në të shkruhej "Kites couple" (Çifti i balonave).
U takova me garuesit, çiftin profesionist në ngritjen e balonave, Ron dhe Baew Spaulding, ai amerikan dhe ajo tajlandeze, të cilët për herë të parë merrnin pjesë në festën e balonave të Pekinit. Më treguan se dëshironin të ishin garues në ngritjen e balonave në provincën Shandong të Kinës, ku zhvillohet një konkurs ndërkombëtar i ngritjes së balonave. Mes entuziasmit të kësaj feste ku të shumtë ishin fëmijët pekinas të shoqëruar nga prindërit dhe gjyshërit, takova mjaft ngritës balonash vendës, të cilët më thanë se në çdo park të Pekinit në këtë periudhë sheh balona, madje edhe në mbrëmje ato ngrihen me ndriçues, sikur i urojnë mirëseradhjen pranverës.
Veprimtaria përfundoi me një shëtitje në parkun "Grand Expo" ku janë ekspozuar skulptura moderne, por dhe makete banesash dhe objektesh natyrore nga mbarë Kina. I gjithë parku është përfshirë këto ditë nga lulet e pjeshkës, aroma e tyre dhe vizitorë të shumtë, që përqafojnë pranverën në çdo cep të tij.
Legjenda e balonave në Kinë
Sipas legjendës një marangoz i quajtur Lu Ban shpiku balonën mbi 2 mijë vjet më parë.Në lashtësi balonat kinezët i realizonin me një lloj druri të veçantë të quajtur "Mu juan". Në kinezisht "Mu" do të thotë "dru" dhe "Juan" do të thotë "harabel". Pra "Mu Yuan" do të thotë " Harabeli prej druri".Por as shpikja e letrës nuk i shpëtoi vëmendjes së krijuesit të balonave ndaj ai i quajti ato "Zhi juan", ku "Zhi" do të thotë "letër" e kështu me "Zhi Yuan" nënkuptojmë "harabel prej letre ".
Në Kinën e lashtë balonat nuk janë përdorur vetëm për argëtim, si një lojë fëmijësh. Mësohet nga arkivat e kohës se balonat përdoreshin edhe për qëllime ushtarake. Rreth 1500 vjet më parë, perandori Wudi ishte i rrethuar në Nanjing nga trupat kryengritëse dhe për këtë ai vendosi të dërgonte një balonë në shenjë ndihme nga jashtë.
Ndërsa gjatë sundimit të dinastisë Tang balonat nisën të modifikoheshin duke u shtuar më shumë elemente. Kur balona ngjitej lart në qiell, era i lëkundte ato dhe nga fërkimi me ajrin dëgjohej një lloj melodie, e ngjashme me atë të instrumentit me tela Zheng. Nga kjo lindi një tjetër emër për balonën ai "Feng Zheng".
Balonat e sotme të Kinës
Në Pekin por edhe në qytete të tjera të Kinës ngritja e balonave është një traditë që vazhdon nga lashtësia. Madje sa nis pranvera ka zona të metropolit kinez ku të kap syri shumë balona në qiell. Qielli pranveror mbrëmjeve zbukurohet me vezullime të balonave fluturuese. Madje edhe në sheshin më popullor të Kinës në Tiananmen njerëzit mblidhen për të parë ngritjen e balonave të formave dhe madhësive të ndryshme. Ka balona deri në 100 metra të gjatë me formë dragoi e përbërë nga 100 seksione. Çdo prill në qytete të ndryshme kineze zhvillohet Festa e balonave e njohur si Weifang, madje në provincën Shandong kjo festë arrin kulmin dhe tërheq shumë turistë vendës dhe të huaj të cilët nga vende të ndryshme të botës marrin pjesë në garën e balonave.