20150316Interviste |
Drejtorja e Agjencisë Shqiptare të Investimeve, Manjola Gjoni theksoi për Radio Ejani se janë shtuar kontaktet me kompanitë shtetërore dhe private kineze, kryesisht në fushën e hidrokarbureve. Shqipëria si pjese e mekanizmit Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore po bashkëpunon me kompani kineze të fushës së hidrokarbureve dhe të energjisë që janë të interesuara për të investuar në Shqipëri. Në këtë drejtim ndikojnë pozitivisht kontaktet midis dy qeverive tona dhe mjafton të përmendim takimet e kryeministrit Rama me homologun kinez Li Keqiang në Kinë si dhe në samitet, ku vendet tona janë përfaqësuar. Bashkëpunimi me Kinën bëhet më i mundur edhe për shkak të miqësisë tradicionale midis dy vendeve tona. Kur takohemi me delegacionet kineze ndjehemi shumë mire dhe bashkëpunimi është i frytshëm edhe për faktin se ata e njohin Shqipërinë, tha zonja Gjoni. Ky është një avantazh për palën shqiptare në kontaktet me palën kineze.
Në këtë aspekt ajo theksoi se investitorët kinezë në Shqipëri konsiderohen strategjikë për vetë kapitalet e investuara dhe shtoi se pritet së shpejti që parlamenti shqiptar të miratojë ligjin për lehtësimin e investimeve strategjike, ku përfshihen dhe ato kineze. Janë disa kompani kineze që kanë paraqitur projekte investimesh në Shqipëri kryesisht në energjitikë dhe infrastrukturë.
Lidhur me Rrugën e Arbrit, zonja Gjoni tha se kredia sapo është nënshkruar me një bankë kineze. Rruga e Arbrit përfaqëson një projekt ambicioz nga i cili nuk përfiton vetëm Shqipëria, por dhe vendet e tjera të rajonit nëpër të cilat kalon ajo.
Zonja Gjoni u bën thirrje kompanive kineze të investojnë në Shqipëri, ku ekziston një klimë e favorshme për bizneset, falë lehtësimit të procedurave burokratike. (Eda Merepeza)