20150316Hotpot02 |
Një djalë i pashëm, i aftë dhe 190 centimetra i gjatë adhurohet që në shikimin e parë nga femrat, por edhe nga kalimtarë të tjerë të rastit. Ai nuk është një yll i kinemasë apo i showbiz-it, por ushtari kinez që ngre flamurin në sheshin Tiananmen, në qendër të Pekinit, për më shumë se 11 vjet.
I riu 29 vjeçar Gao Hongfu, e ka ngritur flamurin kombëtar për periudhën më të gjatë se kushdo ushtar tjetër i Gardës Kombëtare në Sheshin Tiananmen, që nga nisja e këtij rituali në fund të vitit 1982.
foto nga Gao Hongfu
Një kompani e njohur nga Guangzhou, i provincës jugore Guangdong, kohët e fundit i ofroi të riut Gao një vend pune si zëdhënës me një pagë vjetore prej 500.000 juan ($ 80,000). Por Gao e refuzoi.
Në një intervistë për Global Times, pyetjes se si është e mundur që një djalë i ri refuzon një rrogë të tillë dhe një pozicion pune kaq të kënaqshëm, Gao është përgjigjur se kompania nuk vlerësonte aftësitë e tij por thjesht pamjen fizike dhe do të merrej me promovimin e prodhimeve të saj.
I riu patriot
I lindur në vitin 1985 në fshatin Gaozhai të provincës Henan, Gao kreu shërbimin ushtarak në vitin 2002, kur ishte 17 vjeç dhe ndiqte shkollën e mesme. Ai është një adhurues i Ushtrisë Popullore Çlirimtare dhe kishte shumë dëshirë të ishte një ushtar i saj. Për këtë sipas Gaos ka ndikuar dhe parade ushtarake e 1 tetorit të vitit 1999, me rastin e 50 vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës.
"Kur po e shihja drejtpërdrejt në transmetimin televiziv paradën ushtarake pata një dëshirë të fortë që një ditë të ngrija flamurin," tregon Gao
Kështu ëndrra e tij u bë realitet kur në mars të vitit 2003 ndër më shumë se 10 mijë rekrutë të Trupave të Policisë së Pekinit ai u zgjodh për të ngritur flamurin e Gardës Kombëtare në qendër të Pekinit, pikërisht në Sheshin Tiananmen. Falë performances së tij të mire dhe me praktikën e trajnimin e duhur ai u zgjodh dhe pas një viti për ngritjen e flamurit.
Sëbashku me një ekip prej 36 ushtarësh të Gardës së Nderit, Gao u bë pjesë e grupit që ngre flamurin kombëtar në lartësinë 5 metra. Ceremonia e ngritjes së flamurit kryhet çdo ditë, në lindje dhe perëndim të diellit dhe shoqërohet nga një public prej mijëra vetësh , vendës apo të huaj që në ato çaste ndodhen në sheshin Tiananmen.
Me një pamje fizike mjaft të hijshme, Gao dhe ushtarët e tjerë të Gardës Kombëtare tërheqin vëmendjen e kalimtarëve të shumtë në shesh.
Përzgjedhja e kandidatëve
Çdo vit, Garda Kombëtare e Flamurit përzgjedh rreth 40 ushtarë të rinj nga Forcat e Policisë Ushtarake të Pekinit, për ngritës flamuri. Por sipas Gaos, ata mund të eliminohen gjatë trajnimit që kryejnë.
Ushtarët e rinj trajnohen për disa muaj në ceremoni publike. Trajnimi është vërtet i vështirë për tu kryer fizikisht. Ushtarët për të qenë të përqëndruar në detyrën e tyre ushtrohen duke qëndruar 4 orë në këmbë dhe duke mbajtur një kryq në shpinë dhe një peshë tjetër mbi kokë. Madje ka edhe raste ekstreme të stërvitjes, tregon Gao, kur trajnuesi vendos milingona në fytyrën e ushtarit, për të pare sa arrin ai të jetë i përqëndruar në misionin e tij. Për të forcuar krahun e tij të djathtë që Gao e përdor për ngritjen e flamurit ai ushtrohet disa orë në ditë me pasha 3 kg. Ai tregon se mbi 100 anëtarë të Gardës Kombëtare të Flamurit të ndodhur në Kullën e Sheshit Tiananmen dhe në hyrje të Pallatit të Muzeut, i njohur edhe si Qyteti i Ndaluar, janë përgjegjës për ngritjen, ruajtjen dhe uljen e flamurit kombëtar në shesh.
"Sapo veshim uniformën ushtarake dhe nisim ecjen drejt Kullës Tiananmen ne nuk jemi më vetvetja. Ne përfaqësojmë ushtrinë dhe atdheun, thotë Gao, duke shtuar se edhe pse ata përsërisin të njejtat lëvizje çdo ditë, ata e trajtojnë çdo ditë si ditën e pare të punës së tyre.
Më 1 tetor të vitit 2009 Gao ngriti flamurin në nisjen e parades në Sheshin Tiananmen, me rastin e 60 vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe ai nuk do ta harrojë kurrë atë çast.
Gao tregon se e ka ngritur dhe ulur 6 200 herë flamurin dhe nuk ka bërë kurrë asnjë gabim. Me krenari të dukshme Gao thotë se edhe kur moti është me shi, apo erë ai e ngre në mënyrë të përsosur flamurin.
Jeta sociale e flamurngritësit
Rojet e flamurit nuk kanë shumë kohë të lirë. Edhe kur janë profesionistë në ceremoni të ndryshme zyrtare, ata vazhdojnë njësoj stërvitjen e përditëshme. Gjatë orarit të punës për ta përdorimi i celularit është i ndaluar. Ata janë të rrethuar nga admirimi femëror. Shumë vajza u dërgojnë mesazhe apo letra, por Gao thotë se nuk u është përgjigjur kurrë, pasi programi i ngjeshur i punës së tij e bën gati të pamundur krijimin e një lidhjeje sentimentale. Gjatë një periudhe 12 vjeçare Gao tregon se e ka kaluar vetëm dy here Vitin e ri pranë familjes. Në shkurt ai është kthyer nga një takim me familjarët. Për here të pare prindërit e pane Gaon të ngrinte flamurin kombëtar në një ceremony në një shkollë të mesme në vendlindjen e tij. Pas një qëndrimi të shkurtër në familje Gao u kthye në Pekin. Shumë punëdhënës e kanë takuar, përfshirë pronarë të agjencive imobiliare, të shkollave apo bankave. Gjithashtu i janë ofruar punë si manaxher pasurish, pozicione për trajnim apo punonjës sigurie. Por Gao ende nuk ka vendosur për profesionin e ardhshëm, por shpreson të jetë diçka e ngjashme me ngritjen e flamurit, që të mund të kontribuojë për atdheun.
Sivjet në Kinë do të zhvillohet një parade ushtarake me rastin e 70 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Gao shprehet se herët a vonë ai nuk do të jetë më pjesë e Gardës Kombëtare të Flamurit, por do të përpiqet për të qenë një qytetar i denjë i shoqërisë kineze.(Eda Merepeza)