20150309kinasot |
Dy forumet më të rëndësishme politike të Kinës po zhvillohen në kryeqytetin Pekin, përkatësisht sesioni vjetor i Komitetit Kombëtar të Asamblesë Kombëtare Popullore dhe ai i Konferencës Konsultative Politike.
Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës si parlamenti i Shqipërisë, është organi suprem legjislativ dhe i pushtetit në vend. Asambleja zgjidhet për një legjislaturë njëherë në 5 vjet dhe sesioni i komitetit kombëtar mbahet njëherë në vit. Ajo përbëhet nga deputetët e zgjedhur nga provinca, rajone autonome, qytete të varura direkt nga qendra të ndryshme dhe nga ushtria. Në sesionin vjetor, përfaqësuesit takohen në Pekin me delegacionet e niveleve të sipërpërmendura administrative dhe ushtarake.
Kurse, Konferenca Konsultative Politike është institucioni më i rëndësishëm i bashkëpunimit shumëpartiak dhe konsultimeve politike. Në krahasim me Asamblenë Kombëtare Popullore, përbërja e anëtarëve të Konferencës Konsultative Politike ka ngjyrë më të theksuar partiake, dhe me përfaqësim të gjerë publik. Komiteti Kombëtar i Konferencës Konsultative Politike përbëhet nga përfaqësuesit e Partisë Komuniste të Kinës, të partive të ndryshme demokratike, të personaliteteve pa parti, të shoqatave popullore, të pakicave kombëtare e të qarqeve të ndryshme, përfaqësues të bashkatdhetarëve nga Hong Kongu, Makao-ja, Tajvani, si dhe personalitete të ftuara në veçanti.
Sesioni vjetor është një fazë e rëndësishme për mbledhjen e sugjerimeve të anëtarëve të Konferencës Konsultative Politike ndaj qeverisë së drejtuar nga Partia Komuniste e Kinës, për punën që qeveria ka bërë dhe do të bëjë në fushat politike, ekonomike, jetën kulturore dhe shoqërore etj.
Por, një gjë që ndryshon nga deputetët e vendeve perëndimore është se pavarësisht anëtarëve të Asamblesë Kombëtare Popullore apo Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, përfaqësuesit nuk kanë rrogë, as subvencion. Përveç atyre që shërbejnë "full time" për funksionimin e organeve, anëtarët e tjerë duhet të vazhdojnë veprimtarinë në profesione të ndryshme gjatë pushimit mes sesioneve vjetore. Ndër të gjitha qarqet profesionale, anëtarët që vijnë nga arti dhe kultura në Konferencën Konsultative Politike tërheqin shumë vëmendjen e publikut, pasi shumë prej tyre janë personalitete të spikatura në këto fusha. Ja disa prej përfaqësuesve dhe propozimet e tyre për të ardhmen e vendit.
1, Jackie Chan
Nëse ju pëlqejnë filmat e Kungfu-së, Jackie Chan duhet të jetë një ndër figurat më të njohura për ju. Me "artin marcial akrobatik", të krijuar nga ai dhe të shfaqur në filmat e tij, Jackie Chan njihet dhe pëlqehet ndërkombëtarisht. Por, mbase nuk dini se ai është edhe një ndër anëtarët e Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike dhe këto ditë po ndodhet në Pekin për dhënien e propozimeve ndaj punës qeveritare.
Si Asambleja Kombëtare Popullore, anëtarët e Komitetit Kombëtar ndahen sipas qarqeve dhe çdo legjislaturë ka një mandat 5 vjeçar. Ky është viti i tretë që Chan merr pjesë në sesionin vjetor. Në dy vitet e kaluara, ai ka paraqitur propozime për forcimin e luftës kundër piraterisë së patentave, sigurinë ushqimore dhe forcimin e zbatimit të ligjit.
Sipas tij, titulli i anëtarit të Konferencës Konsultative Politike i ngarkon më shumë përgjegjësinë për vendin. Por, në krahasim me anëtarët e tjerë, shkrimi i propozimve bëhet kryesisht nga punonjësit e kompanisë së tij. "Lëviz shumë shpesh në vende të ndryshme të botës dhe axhenda e ngjeshur ndikon në kryerjen e dokumentit. Prandaj, zakonisht unë përcaktoj idetë kryesore të propozimeve personale, ndërsa sondazhet dhe përllogaritja e shifrave kryhen nga stafi im", shprehet Chan.
2, Yao Ming
Po të jeni fansa të NBA-së, pa tjetër do të kujtoni yllin gjigant nga Kina Yao Ming. Basketbollisti 2.26 metra i gjatë ka luajtur me sukses në skuadrën Houston Rockets për 9 vjet, duke kontribuar mesatarisht me 19 pikë,9.3 "rebounds" çdo ndeshje.
Pas kthimit në atdhe në vitin 2011, Yao iu përkushtua zhvillimit të sportit sidomos të basketbollit profesionist në Kinë. Ai financon një shkollë për trajnimin e basketbollistëve të rinj dhe ka blerë aksionet e një klubi kinez të basketbollit. Në vitin 2013, Yao u zgjodh anëtar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike dhe paraqiti për dy vjet me radhë propozimet për zhvillimin e mëtejshëm të sportit. Sivjet, Yao përgatiti një propozim për shtimin e mësimeve specifike fizike në shkollat e vendit. Sipas tij, përvojat eksperimentale në shkollat e mesme të Shangait(vendlindje e Yao-së) vërtetojnë se përveç mësimdhënies së përgjithshme sportive, zotërimi i ndonjë loje specifike në basketboll, volejboll, futboll, not, tenis etj., mund të favorizojë krijimin e një baze të shëndoshë për të rinjtë kinezë në stërvitjen fizike. Sipas Yao-s, po të përvetësojnë njohuri profesionale të ndonjë sporti, të rinjtë mund të forcojnë besimin e tyre për këtë sport, duke i kushtuar më shumë energji dhe kohë në të ardhmen.
3, Liu Xiang
Liu Xiang, mbase është një emër jo shumë i njohur për Shqipërinë, por është mjaft i famshëm si vrapuesi më i shpejtë aziatik që ka thyer rekordin botëror të vrapimit me pengesa 110 metra. Liu fitoi edhe disa medalje të arta në Lojërat Olimpike dhe në Kampionatin e Atletikës.
Në propozimet e sivjetshme, Liu paraqiti kërkesën që qeveria të luajë një rol më të rëndësishëm në përgatitjen e punonjësve profesionistë të sporteve. Sipas tij, qytetarët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi ruajtjes së shëndetit dhe ky treg ka vlerë të madhe ekonomike.
"Por, ekonomia sportive nuk është vetëm ekonomia e produkteve sportive sepse ajo lidhet ngushtë me punonjësit që ofrojnë shërbimet ", tha Liu Xiang. Ai vuri në dukje se tani në Kinë mungojnë profesionistët që merren me këtë çështje dhe ata që punojnë në këtë sektor duhet të kenë trajnimin e duhur. Liu paraqiti edhe propozimin që qeveria të hartojë politika të favorshme për sportistët që kanë dalë nga jeta profesionale dhe duhet të japin kontribut në këtë drejtim.